Skandali i fertilitetit | Dhuruesi i spermës me mutacion në gen që rrit rrezikun e kancerit. 

Një hetim i gjerë ka zbuluar një skandal në tregun ndërkombëtar të fertilitetit, ku një dhurues sperme, i cili pa dijeninë e tij mbante një mutacion të rrezikshëm gjenetik kancerogjen, ka bërë të mundur lindjen e të paktën 197 fëmijëve në 14 shtete europiane, përfshirë edhe Shqipërinë.

BBC raporton se bëhet fjalë për një mutacion në gjenin TP53, i lidhur me sindromën e rrallë Li-Fraumeni, një gjendje që rrit deri në 90% rrezikun për të zhvilluar gjatë jetës forma të rënda kanceri, që nga tumoret e fëmijërisë e deri te kanceri i gjirit, trurit, kockave apo leucemitë.

Dhuruesi, i cili kishte filluar të dhuronte spermë që në vitin 2005 kur ishte student, rezulton ta këtë mutacion vetëm në rreth 20% të spermës së tij, çka e ka lejuar të mbetet vetë i shëndetshëm, por jo fëmijët e krijuar prej spermatozoideve të tij.

Disa prej tyre janë diagnostikuar tashmë me kancer, ndërsa disa kanë ndërruar jetë në moshë shumë të re. Pikërisht mjekët që ndiqnin këto raste ngritën alarmin në një konferencë ndërkombëtare, kur vunë re një “lidhje të frikshme” midis disa fëmijëve të sëmurë dhe të njëjtit dhurues.

Hetimi është kryer nga 14 transmetues publikë europianë, mes tyre BBC, dhe ka zbuluar se sperma e dhuruesit është shpërndarë në 67 klinika fertiliteti në vende si Danimarka, Belgjika, Spanja, Gjermania, Greqia, Polonia, Irlanda, Maqedonia e Veriut, Serbia, Hungaria, Gjeorgjia, Islanda, Qiproja dhe Shqipëria.

Vetëm në Belgjikë, ku limiti është gjashtë familje për dhurues, sperma e tij u përdor nga 38 gra, duke sjellë në jetë 53 fëmijë.
Banka Europiane e Spermës, me seli në Danimarkë, ka pranuar se kufizimet janë shkelur në disa shtete, duke hedhur dritë mbi boshllëqet e mëdha të kontrollit në industrinë globale të fertilitetit.

Shpërndaje