Rezerva ligjore dhe zbatimi i saj në praktikë

Punoi: Av. Doc. Valentina KONDILI, Lektore e së Drejtës Civile

Botuar në Revista Avokatia Nr.17


Hyrje

Trajtimi i disa koncepteve dhe nocioneve për trashëgiminë, konkretisht për rezervën ligjore në trashëgiminë testamentare është i nevojshëm për arsye se, rezerva ligjore trajtohet si kusht që duhet të plotësohet prej trashëgimlënësit në përmbajtjen e testamentit. Edhe në praktikën gjyqësore ka pasur çështje lidhur me mosmarrëveshje që rrjedhin prej marrëdhënieve juridike të trashëgimisë për sa i përket rezervës ligjore. Nga përmbajtja e vendimeve të gjykatave del që janë mbajtur qëndrime të ndryshme për kuptimin dhe zbatimin e saj. Nisur nga sa më sipër ka vend të trajtohen në mënyrë të përmbledhur elementët thelbësorë të këtij instituti, si edhe disa probleme të dala në praktikën gjyqësore. Problematika meriton vëmendje, sepse vetë jeta e përditshme e bën të nevojshëm hartimin e testamentit, duke respektuar këtë institut.

Duke evidentuar çështjen krijohet mundësia për studimin e saj dhe njësimin e praktikës gjyqësore, nëpërmjet dhënies së vendimeve njësuese. Përmbajtja e rezervës ligjore në trashëgiminë me testament, e lidhur me praktikë gjyqësore Trashëgimlënësi ka të drejtë me vullnetin e tij të ligjshëm të disponojë pasurinë e tij pas vdekjes, si edhe të caktojë personin që do t’i kalohet pasuria, por njëkohësisht mund të përjashtojë nga trashëgimia një ose disa nga trashëgimtarët e tij ligjorë. Në Kodin Civil, lidhur me përjashtimin e trashëgimtarëve ligjorë prej trashëgimlënësit me testament janë vendosur kufizime nëpërmjet institutit të rezervës ligjore, parashikuar nga neni 379 i Kodit Civil.

Krahas shprehjes së vullnetit të testatorit për përjashtimin e trashëgimtarëve ligjorë, që të ketë cenim të rezervës ligjore duhet të plotësohen dhe disa kushte: testatori nuk mund të përjashtojë nga trashëgimia fëmijët e tij të mitur ose trashëgimtarë të tjerë të mitur, të cilët trashëgojnë me zëvendësim (neni 361, paragrafi i dytë), si edhe trashëgimtarë të tjerë të paaftë për punë, në qoftë se thirren në trashëgim, dhe as të cenojë me testament në çdo mënyrë qoftë pjesën që u takon këtyre trashëgimtarëve në bazë të trashëgimisë ligjore, përveç kur këta janë bërë të padenjë për të trashëguar.

Trashëgimtarë të mitur janë fëmijët e mitur të trashëgimlënësit apo të paslindurit e tyre pa kufizim, kur janë të mitur dhe trashëgojnë me zëvendësim, në kushtet e parashikuara nga neni 361/1 i Kodit Civil, në rastin kur një nga fëmijët ka vdekur, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është i përjashtuar nga trashëgimi.

Për rezervën ligjore në praktikë ka pasur qëndrime jo të njëjta lidhur me përjashtimin nga trashëgimia. Është kuptuar që përjashtimi nga trashëgimia ligjore bëhet vetëm kur trashëgimlënësi në mënyrë të shprehur ka përjashtuar një ose disa trashëgimtarë ligjorë. Përjashtimi nga trashëgimia ligjore, nëpërmjet disponimeve me testament, mund të bëhet në mënyrë të shprehur, ose në mënyrë të heshtur.

Përjashtimi nga trashëgimia në mënyrë të shprehur parashikohet në nenin 378 të Kodit Civil, sipas të cilit trashëgimlënësi edhe pa caktuar trashëgimtarë në testament mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore një apo më shumë trashëgimtarë të tij, ose duke caktuar trashëgimtarë testamentarë hesht për thirrjen në trashëgim të trashëgimtarëve të tjerë ligjorë. Testamenti është veprim juridik që ka një sërë veçorish dalluese dhe, si i tillë, përcaktimi i përmbajtjes së tij bëhet duke interpretuar atë në mënyrë sa më pozitive.

Në çështjen civile me paditëse R. Sh. dhe të paditur N. L.(Sh), me objekt pavlefshmërinë e testamentit nr. 6, datë 13.02.1996, lënë nga testatorja L. Sh., për sa i përket 1/3 -s pjesë të pasurisë për shkak se është prekur rezerva në favor të paditëses, ka rezultuar që testatorja ka disponuar pasurinë në favor të vajzës së saj, të paditurës N. L. Si trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë të trashëgimlënëses krahas vajzës së saj N. L. janë dhe dy fëmijët e tjerë V.Sh dhe T. Sh. Ky i fundit është babai i paditëses, e cila në kohën e çeljes së trashëgimisë ka qenë e mitur për shkak se ka qenë me moshë 15 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur rrëzimin e padisë së paditëses R. Sh. ka arsyetuar, se: “trashëgimtari T. Sh., (babai i paditëses), nuk është përjashtuar nga trashëgimia ligjore që në vend të tij të hyjë me zëvendësim paditësja. Testatorja nuk ka lënë jashtë trashëgimisë fëmijë të saj të mitur apo të mitur të tjerë që trashëgojnë me zëvendësim.” Paditësja është vajza e djalit të trashëgimlënëses, i cili nuk është thirrur në trashëgim si trashëgimtar testamentar. Paditësja, në kohën e çeljes së trashëgimisë, pra, në kohën e vdekjes së testatores ka qenë e mitur dhe, për rrjedhojë, gjykata ka bërë interpretim ligjor të gabuar.

Gjykata e Apelit Tiranë lidhur me këtë çështje ka pranuar që djali T. Sh., duhet të konsiderohet i përjashtuar nga trashëgimia, por ka arsyetuar se rasti i përjashtimit nuk ishte parashikuar në Kod. Sipas gjykatës, rasti i përjashtimit është parashikuar në Kodin Civil pas ribotimit të tij në vitin 2009.

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë lidhur me këtë rast kanë pranuar, duke interpretuar drejt ligjin, se ka cenim të rezervës ligjore, me arsyetimin se testamenti është pjesërisht i pavlefshëm, për pjesën që cenon rezervën ligjore të fëmijës së mitur që trashëgon me zëvendësim, pasi prindi (sipas nenit 361 të Kodit Civil) është përjashtuar nga trashëgimia me anë të disponimit me testament nga ana e testatores. Lidhur me përjashtimin e trashëgimtarit përkatës nga trashëgimia, midis të tjerash, është arsyetuar, se: “Përjashtimi nga trashëgimia në këtë rast është bërë në mënyrë të heshtur, sepse testatorja duke ia lenë pasurinë e saj njërit prej trashëgimtarëve, ka përjashtuar në mënyrë të heshtur fëmijët e tjerë”.

Në këtë vendim është trajtuar edhe çështja për mangësinë e konstatuar në botimet e Kodit Civil, për sa i përket rastit të përjashtimit të trashëgimtarit në rastin e zëvendësimit (e evidentuar sikurse u trajtua më sipër edhe prej Gjykatës së Apelit Tiranë). Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka pranuar të zbatueshëm përmbajtjen e Kodit Civil të botuar në Fletoren Zyrtare nr. 11. të vitit 1994, në të cilën kjo rrethanë parashikohet në nenin 361/2 të Kodit Civil.


Veçoritë e konceptit “Trashëgimtar i paaftë për punë”

Lidhur me trashëgimtarët e paaftë për punë, që thirren në trashëgim, duhet të vërejmë se në këtë rast bëhet fjalë për trashëgimtarët ligjorë, të cilët mund të jenë të paaftë për punë në momentin e vdekjes së testatorit dhe që mund të thirren si trashëgimtarë ligjorë në radhën e trashëgimisë ligjore që do të çelet.

Kuptimi i trashëgimtarit të paaftë për punë aktualisht parashikohet në nenin 371 të Kodit Civil, sipas të cilit: “Trashëgimtarë të paaftë për punë janë ata që në kohën e vdekjes së trashëgimlënësit nuk kanë mbushur moshën 16 vjeç, ose 18 vjeç, kur vazhdojnë mësimet, burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe gratë që nuk kanë mbushur moshën 55 vjeç, si dhe pavarësisht nga mosha, ata që janë invalidë të grupit të parë dhe të grupit të dytë”.

Trashëgimtarë ligjorë mund të jenë të aftë ose të paaftë për punë. Kriteret e paaftësisë për punë janë mosha si dhe pavarësisht nga mosha gjendja shëndetësore që lidhet me të qenit invalid të grupit të parë dhe të grupit të dytë, gjendje e cila përcaktohet sipas kritereve ligjore.

Në praktikën gjyqësore ka pasur qëndrime jo të njëjta prej gjykatave. Për shembull, në çështjen që u përket palëve ndërgjyqës Q. Sh. dhe V. Sh., me objekt pavlefshmërinë e testamentit për shkak të cenimit të rezervës ligjore, paditësja Q.SH. ka pretenduar që testamenti i lënë prej bashkëshortit të saj për vajzën e tij nga martesa e parë ka cenuar rezervën ligjore në favor të saj, sepse ajo në momentin e vdekjes së tij ka qenë me moshë 73 vjeç. E paditura ka pretenduar që paditësja nuk mund të konsiderohet si e paaftë për punë, sepse ajo trajtohet me pension pleqërie dhe, sipas nenit 371 të Kodit Civil, paaftësia për punë lidhet me paaftësinë fizike për të punuar.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka pranuar padinë e Q. Sh. kundër V. Sh. me objekt pavlefshmëria e testamentit lidhur me cenimin e rezervës ligjore në favor të saj, me arsyetimin se: “në rastin konkret Q. Sh. (bashkëshortja e testatorit), duke qenë me moshë 73 vjeç në kuptim të nenit 371 të Kodit Civil është e paaftë për punë. Gjithashtu ajo në bazë të nenit 361 të Kodit Civil, është trashëgimtare ligjore e radhës së parë, prandaj në kuptim të nenit 407 të Kodit Civil përjashtimi i saj me testament nga trashëgimia ligjore është veprim juridik absolutisht i pavlefshëm, pasi vjen në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit siç është neni 407 i Kodit Civil.”

Gjykata e Apelit Tiranë lidhur me këtë çështje e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur rrëzimin e padisë si të pabazuar në ligj me arsyetimin se: “I ndjeri J. Sh. ka disponuar me testament…, duke përjashtuar bashkëshorten pensioniste, por jo të paaftë për punë dhe pa mjete jetese. Qenia pensionist nuk i njëson këta persona të paaftë për punë për arsye shëndetësore, të paaftë fizikisht, me fëmijët e mitur në kujdestari etj”.

Gjykata e Lartë lidhur me këtë çështje ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konstatimin pjesërisht të pavlefshëm të testamentit lidhur me cenimin e rezervës ligjore, duke saktësuar edhe pjesën e pasurisë që përbënte rezervën ligjore, me arsyetimin se: “Nga materialet e dosjes gjyqësore, siç është pranuar dhe vërtetuar dhe nga gjykatat e faktit, rezulton e provuar se paditësja Q. Sh. është bashkëshortja e trashëgimlënësit J. Sh. (trashëgimtare ligjore e radhës së parë e që thirret në trashëgim) dhe, në kohën e çeljes së trashëgimisë, ajo ka qenë në moshën 73 vjeç, pra në kuptim të nenit 371 të Kodit Civil është e paaftë për punë.

Trashëgimtarë ligjorë që thirren në trashëgim sipas radhës së përcaktuar në Kodin Civil mund të jenë të aftë ose të paaftë për punë. Në Kod në këtë rast drejtpërdrejt është bërë përcaktimi lidhur me bashkëshortin te neni 361/1, në të cilin parashikohet se: “në trashëgim në radhë të parë thirren fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë duke trashëguar secili në pjesë të barabarta”. Por lidhur me trashëgimtarët e tjerë nuk është specifikuar konkretisht kjo veçori, me përjashtim të cilësimit si trashëgimtarë e personave të paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit.

Ky përcaktim nuk do të thotë, sikurse kuptohet ndonjëherë, se trashëgimtarët e tjerë duhet të jenë vetëm të aftë për punë dhe të jo të paaftë për punë, por në të kundërt kuptohet se ata mund të jenë sipas situatës konkrete të aftë ose të paaftë për punë. Mos përdorimi i këtij kriteri ka sjellë kuptime jo të njëjta lidhur me trashëgimtarët e paaftë për punë, duke i njësuar ata me personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, që përfshihen në rrethin e trashëgimtarëve ligjorë krahas trashëgimtarëve të tjerë ligjorë.


Elementet kryesore që përcaktojnë përmbajtjen e konceptit

Personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit”

Personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit janë trashëgimtarët ligjorë që thirren në trashëgim si trashëgimtarë të radhës së dytë, kur thirren në trashëgim me prindërit e trashëgimlënësit ose si trashëgimtarë të radhës së tretë, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë ligjorë të radhës së dytë. Në nenin 363 të Kodit Civil ku përcaktohen trashëgimtarët e radhës së dytë, për personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit për t’u konsideruar si trashëgimtarë ligjorë të trashëgimlënësit, evidentohet se duhet të përmbushin disa veçori: personat të jenë të paaftë për punë, të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, të bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe të ishin në ngarkim të tij.

Në praktikë vërehet, se ka një kuptim jo të njëjtë lidhur me këta persona si trashëgimtarë ligjorë. Një qëndrim sikurse u trajtua më sipër konsideron që instituti i trashëgimisë njeh si trashëgimtarë të paaftë për punë vetëm personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, duke njësuar kuptimin e trashëgimtarit të paaftë për punë me personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, ose duke kuptuar se personat e paaftë për punë si trashëgimtarë ligjorë të radhës së dytë mund të jenë dhe trashëgimtarët e përcaktuar në radhën e tjera të trashëgimisë ligjore, kur plotësojnë kriteret e personave të paaftë për punë, që të kenë bashkëjetuar një vit para vdekjes së trashëgimlënësit me ‘të dhe të kenë qenë në ngarkim të tij. Kështu ka ndodhur që dhe për trashëgimtarët e radhës së parë, kur janë të paaftë për punë, të kërkohet që për të përfituar nga rezerva ligjore, të përmbushin kriteret e personave të paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, sikurse do të trajtohet më poshtë.

Koncepti i personave të paaftë për punë si trashëgimtarë ligjorë lidhet me ndjenjën e solidaritet njerëzor dhe të bamirësisë. Personat e paaftë për punë si trashëgimtarë nënkuptojnë ekzistencën e një personi që nuk përfshihet në rrethin e trashëgimtarëve të tjerë ligjorë. Trashëgimtarët e tjerë ligjore janë bashkëshortët, lidhje në vijë të drejtë të paslindur, të paralindur apo lidhje në vijë të tërthortë vëllezër e motra apo fëmijët e vëllezërve dhe motrave të paravdekur.

Diskutimi sikurse u trajtua më sipër është për personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit që thirren në radhën e dytë, ose në radhën e tretë të trashëgimisë ligjore. Trashëgimtarë ligjorë të radhës së dytë të përcaktuar në nenin 363 të Kodit Civil janë prindërit (nënkupto: të aftë dhe të paaftë për punë), si edhe personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, kur plotësojnë dhe kriteret e përmendura më sipër për t’u konsideruar të tillë. Në radhë të tretë thirren në trashëgim personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së dytë, së bashku me gjyshin e gjyshen, me vëllezërit dhe motrat, si edhe fëmijët e vëllezërve dhe motrave të paravdekur.

Personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit hyjnë në rrethin e trashëgimtarëve ligjorë të përcaktuar në nenin 360 të Kodit Civil. Nisur nga krahasimi i bërë, por edhe nga përmbajtja e neneve 360, 363 dhe 364 të Kodit Civil, qartësohet fakti se personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit janë trashëgimtarë të ndryshëm nga trashëgimtarët e tjerë ligjorë. Trashëgimtarët e tjerë ligjore mund të jenë edhe të paaftë për punë dhe kjo veçori nuk u ndryshon cilësinë e tyre si trashëgimtarë, si edhe radhën e thirrjes në trashëgiminë ligjore, që çelet pas vdekjes së trashëgimlënësit, kur ai nuk ka bërë testament, ose kur është cenuar rezerva ligjore me testament lidhur me këta trashëgimtarë.

Përfundimi që është arritur në ndonjë çështje civile prej gjykatës, sipas së cilës, edhe fëmijët e paaftë për punë të trashëgimlënësit duhet të plotësojnë kriteret që përcaktojnë personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, për t’u konsideruar trashëgimtarë ligjorë nuk gjen mbështetje ligjore. Fëmijët e përjashtuar nga trashëgimlënësi me testament në një kohë kur rezulton se burrat kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe gratë moshën 55 vjeç, sikurse është përcaktuar në Kodin Civil, konsiderohen trashëgimtarë të paaftë për punë në kuptim të nenit 371 të këtij Kodi, për rrjedhojë, nuk mund t’u cenohet rezerva ligjore, me përjashtim të rasteve kur janë bërë të padenjë për të trashëguar.

Kështu, në çështjen civile me paditëse (të kundërpaditur) E.Xh.(V)., J. Xh.(Sh) dhe të paditur (kundërpaditës) A. Xh. etj. me objekt padie pavlefshmërinë e testamentit për cenimin e rezervës ligjore, dhe me objekt të kundërpadisë detyrimin e paditëseve që t’i njohin të paditurat si trashëgimtare testamentare, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vendimin e saj ka arsyetuar, se: “Paditëset E. V. dhe J. Sh. janë trashëgimtare të paafta për punë, sipas përmbajtjes së nenit 371 të Kodit Civil. Kështu, paditësja e kundërpaditur E. V. në kohën e vdekjes së të ndjerit K. Xh. Ka qenë 63 vjeçe dhe 6 muaj, kurse paditësja e kundërpaditur J. Sh. ka qenë 59 vjeç e 10 muaj. Ndërkohë që E. V. është edhe invalide.

Që këto trashëgimtare (sipas gjykatës) të përfitojnë nga veprimi i institutit të rezervës ligjore, sipas përmbajtjes së nenit 379 të Kodit Civil duhet që në kenë cilësi – si trashëgimtar i paaftë për punë – dhe ato të thirren në trashëgim, sepse sipas përmbajtjes së nenit 379 të K. Civil, të drejtën e gëzimit të rezervës ligjore e përfitojnë vetëm ata trashëgimtarë të paaftë për punë që thirren në trashëgim. Ndërsa trashëgimtarët e paaftë për punë që nuk thirren në trashëgim, pavarësisht se gëzojnë statusin e trashëgimtarit të paaftë për punë, nuk përfitojnë nga instituti i rezervës ligjore.

Trashëgimtarët e paaftë për punë, sipas përmbajtjes së nenit 363 të Kodit Civil thirren në trashëgim vetëm në rast se ata të paktën një vit përpara vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe ishin në ngarkim të tij.

Sikurse rezulton nga provat shkresore të administruara në dosjen gjyqësore, çertifikatat familjare të paditëseve, të kundërpaditura E. V. Dhe J. Sh., si edhe të trashëgimlënësit K. Xh., paditëset të kundërpaditura dhe trashëgimlënësi kanë jetuar në familje të veçanta. Kështu që paditësit nuk gëzojnë të drejtën e rezervës ligjore si fëmijë. Ata nuk e gëzojnë as si persona të paaftë për punë, se nuk thirren në trashëgim, pasi nuk kanë qenë në ngarkim të trashëgimlënësit.”

Paditëset (të kundërpaditura) janë vajzat e trashëgimlënësit. Është vërtetuar se ato në kohën e vdekjes së trashëgimlënësit, pra në kohën e çeljes së trashëgimisë, kanë qenë përkatësisht me moshë 59 vjeç e 10 muaj si dhe 63 vjeç e 6 muaj. Sikurse u parashtrua më sipër, nga përmbajtja e vendimit të gjykatës del që ato nuk janë trajtuar si trashëgimtare të paafta për punë, që thirren në trashëgim në radhën e parë të trashëgimisë ligjore, por është arsyetuar se nuk plotësojnë kriteret e personave të paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, kur këta të fundit thirren në trashëgim sipas rastit, në radhën e dytë, ose të tretë të trashëgimisë ligjore. Qëndrimi i gjykatës vjen edhe në kundërshtim me nenin 369 të Kodit Civil, sipas të cilit, trashëgimtarët e një radhe të mëpasme thirren në trashëgim vetëm kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të mëparshme etj.

Në këtë rast është e qartë që nuk është ligjor përfundimi i arritur prej Gjykatës së Rrethit Tiranë, se “ato (vajzat) nuk gëzojnë të drejtën e rezervës ligjore, sepse nuk kanë bashkëjetuar me testatorin një vit para vdekjes së tij dhe nuk kanë qenë në ngarkim të tij dhe se kanë qenë familje më vete”.

Gjykata e Apelit Tiranë në gjykimin e kësaj çështje ka mbajtur qëndrim të drejtë, duke arsyetuar, se: “paditëset janë trashëgimtarë të paaftë për punë për shkak të kriterit moshë dhe meqenëse ato thirren në trashëgim si trashëgimtare ligjore të radhës së parë gëzojnë të drejtën e rezervës ligjore, pa u kushtëzuar nga kriteret e përcaktuara në vendimin e gjykatës së rrethit, që lidhen me përcaktimin si trashëgimtarë ligjorë të personave të paaftë për punë që thirren në trashëgim sipas rastit si trashëgimtarë të radhës së dytë ose të radhës së tretë.

Gjykata e Lartë, duke vendosur mospranimin e rekursit ka pranuar zgjidhjen e çështjes sipas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për sa i përket përfundimeve të arritura lidhur me përcaktimin e kuptimit të koncepteve “trashëgimtar i paaftë për punë” dhe “personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit” si trashëgimtarë ligjorë.

Kjo analizë shërben për të kuptuar përmbajtjen e legjislacionit tonë, konkretisht lidhur me konceptin e personave të paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të cilët përcaktohen si trashëgimtarë ligjorë të radhës së dytë, ose të tretë sipas rrethanave. Por, trashëgimtarët e tjerë të tre radhëve të trashëgimisë nuk mund të njësohen me personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit si trashëgimtarë ligjorë, edhe sikur të plotësojnë kriteret formale, duke qenë të paaftë për punë.

Lidhur me dallimin e koncepteve “trashëgimtar i paaftë për punë”, ose “persona të paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit”, mund të shërbejë edhe përmbajtja e udhëzimit për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë të dhënë prej Plenumit të Gjykatës së Lartë në vitin 1956.

Të paaftë për punë mund të jetë secili prej trashëgimtarëve të thirrur në trashëgim, duke përfshirë edhe personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit. Kjo cilësi është e nevojshme, sidomos për t’u pasur parasysh në trashëgiminë testamentare lidhur me zbatimin e institutit të rezervës ligjore.


Përfundime

Në këtë punim u trajtuan disa koncepte dhe nocione lidhur me të drejtën e trashëgimisë, për arsye se ka trajtime jo të njëjta juridike dhe, për rrjedhojë, zbatimi i tyre ka qenë i ndryshëm rast pas rasti. Nga trajtimi i bërë lidhur me rrethin e trashëgimtarëve ligjorë në të drejtën e trashëgimisë qartësohet kuptimi i konceptit të “trashëgimtarëve të paaftë për punë” dhe i “personave të paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit”, si një kategori e veçantë në rrethin e trashëgimtarëve ligjorë.

Kuptimi i këtyre koncepteve është i lidhur me institutin e trashëgimisë në tërësi dhe, në veçanti, edhe me trashëgiminë testamentare. Konkretisht lidhen me rezervën ligjore, si një nga kushtet që sjell kufizimin ligjor për përmbajtjen e testamentit, që si fakt juridik – krahas me vdekjen e trashëgimlënësit – ka si pasojë krijimin e marrëdhënies juridike të trashëgimisë testamentare. Trajtimet e problematikës lidhen me interpretimin e normave juridike konkrete, por edhe me zbatimin e tyre në praktikë. Meqenëse evidentohen qëndrime të ndryshme lidhur me këto probleme, edhe njësimi i praktikës gjyqësore do të ndihmonte për kuptim dhe zbatim të njëjtë të këtij instituti të së drejtës.

———————————————–

Literatura:

Akte legjislative

– Kodi Civil shqiptar i vitit 1929

– Kodi Civil shqiptar, hyrë në fuqi më 1 janar i vitit 1982

– Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, hyrë në fuqi më 1 nëntor 1994

– Kodi Civil italian, përkthyer prej Av. Lisenko Moçka, Shtëpia botuese ‘Dudaj’, Tiranë 2014

– Ligji “Mbi trashëgiminë” nr. 1903, datë 20.7.1954, botuar në gazetën Zyrtare nr. 12/1954

– Ligji nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore shtetërore të R.P.Shqipërisë”, me ndryshimet përkatëse.

Doktrinë

– Nazmi Bicoku, E drejta e trashëgimisë e Republikës së Shqipërisë, Tiranë 1995;

– Ardian Nuni, Luan Hasneziri, E drejta civile III-Trashëgimia

– Juliana Latifi, Trashëgimia, Shtëpia botuese ‘Geer’, Tiranë 2007

– Valentina Kondili, E drejta civile 2, Shtëpia botuese ‘Geer’, Tiranë 2008

– Francesko Galgano, E drejta private, Shtëpia botuese ‘Luarasi’, Tiranë 2007

– Michel Fromont, Sistemet e huaja më të mëdha të së drejtës”,‘Papirus’, 2009

Jurisprudencë

– Vendim nr. 3739, datë 10.06.2005 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë

– Vendim nr. 2699, datë 02.04.2010 i Gjykatës së Rrethit gjyqësor, Tiranë

– Vendim nr. 2503, datë 01.04.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

– Vendim nr. 554, datë 15.05.2006 i Gjykatës së Apelit Tiranë

– Vendim nr. 488, datë 19.12.2008 i Gjykatës së Apelit Tiranë

– Vendim nr. 1192, datë 27.05.2011 i Gjykatës së Apelit Tiranë

– Vendim nr. 2269, datë 2.11.2011 i Gjykatës së Apelit Tiranë

– Vendim nr. 1, datë 19.02.2014 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë

– Vendim nr. 129, datë 10.04.2014 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë

– Vendim nr. 2166, datë 27.04. 2014 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi)

– Udhëzim i Plenumit të Gjykatës së Lartë, nr. 6, datë 1.12.1956

Shpërndaje