
Nga blogu.al
Komisioni i Venecias ka praktikë të konsoliduar në lidhje me imunitetin që gëzon ministri në rast se ndaj tij nis një hetim penal dhe ku lind nevoja e aplikimit të masave të sigurimit personal. Konkretisht, në një opinion të tij, CDL-AD(2013)001, ka bërë një interpretim të zgjeruar mbi përgjegjësinë ligjore si të krerëve të shteteve ashtu dhe për ministrat e deputetët. Kështu, Komisioni i Venecias konkludon parimisht në këto standarde:
1. Rregullat dhe procedurat mbi përgjegjësinë, si ligjore ashtu edhe politike, në shumicën e sistemeve kushtetuese janë të ndryshme për secilën nga këto tre kategori (kreu i shtetit, deputetët, ministrat). Si krerët e shtetit ashtu edhe deputetët shpesh (edhe pse për arsye të ndryshme) gëzojnë një shkallë më të lartë imuniteti nga përgjegjësia ligjore sesa ajo që u jepet zakonisht ministrave të qeverisë.
2. Shumica e vendeve kanë rregulla të posaçme mbi imunitetin ligjor për krerët e shtetit (mbretër dhe presidentë) dhe për anëtarët e parlamentit, por rregullat mbi imunitetin për ministrat e qeverisë janë më pak të zakonshme dhe, nëse ekzistojnë, shpesh janë më pak gjithëpërfshirëse.
3. Ndërkohë që mund të ketë arsye të vlefshme për të dhënë një shkallë të caktuar imuniteti ligjor për deputetët dhe krerët e shtetit, këto arsye nuk mbulojnë në të njëjtën masë ministrat e qeverisë. Procedurat speciale nuk duhet të interpretohen në mënyrë që të sigurojnë një imunitet të gjerë procedurial për ministrat që kanë shkelur qartë ligjin.
4. Vendimi për të nisur procedura penale ndaj një ministri (aktual ose ish) shpesh ka pasoja serioze për personin e përfshirë, pavarësisht nëse gjendet fajtor. Në vendet ku kjo trajtohet nga prokurori i zakonshëm, është e rëndësishme që ky institucion të jetë në gjendje të ushtrojë diskrecion të shëndoshë dhe të mos ndjekë akuza të pabazuara që vijnë kryesisht për arsye politike. Nga ana tjetër, është po aq e rëndësishme që autoritetet prokuroriale të mos intimidohen ose udhëzohen nga qeveria (ose aktorë të tjerë) për të mos ngritur akuza në raste ku ka arsye të forta për të besuar se ministri ka shkelur ligjin.
Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias ka dhënë opinione dhe rekomandime shteruese për Republikës e Kosovës në opinionin CDL-AD(2020)008 lidhur me pezullimin e zyrtarëve publikë, duke u shprehur:
1. Komisioni e quan pezullimin një masë të ligjshme, efektive dhe të mbështetur nga standardet ndërkombëtare, sidomos në luftën kundër korrupsionit. Komisioni thekson se kjo masë mbështetet nga UNCAC (Konventa e OKB-së kundër Korrupsionit), e cila rekomandon që zyrtarët nën hetim mund të “pezullohen ose shkarkohen duke pasur parasysh edhe prezumimin e pafajësisë”.
2. Komisioni thotë se pezullimi nuk duhet kufizuar vetëm te zyrtarët që kryejnë krime që lidhen me funksionin publik, por mund të aplikohet edhe për çdo vepër penale, nëse ekziston rrezik i:
• pengimit të drejtësisë
• ndikimit te dëshmitarët
• shkatërrimit të provave.
Pra, nuk ka asnjë kufizim që ndalon pezullimin e anëtarëve të qeverisë.
3. Komisioni thekson se kjo masë është shumë serioze dhe duhet të shoqërohet me kritere të forta që lidhen kryesisht nëse i dyshuari, i akuzuari ka: rrezik të shkatërrojë prova; rrezik të ndikojë te dëshmitarët; rrezik të përsërisë veprën.
4. Në opinionin për Kosovën, Komisioni ka shkuar më tej duke rekomanduar që pezullimi të jetë i mundur për të gjithë “personat zyrtarë” përfshirë: ministra; anëtarë qeverie; zyrtarë të lartë; çdo person që ushtron autoritet publik, madje edhe personat e zgjedhur.
Praktikat e marra nga publikimi i Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike z.Gazment Bardhi.