Praktika të GJEDNJ | Pajisjet e përgjimit dhe kushtet e shkeljes së jetës private. 

Nga Av. Esmeralda Metko

Në cështjen P.G dhe J.H kunder Mbretërise së Bashkuar, GJEDNJ konstatoi se: 

1- Vendosja e pajisjes së përgjimit në pronën private: shkelje

2- Përdorimi i pajisjes së përgjimit në ambientet e policisë: shkelje

3- Marrja nga policia e informacionit lidhur me përdorimin e telefonit privat: jo shkelje

…. “jeta private është një koncept i gjerë që nuk i nënshtrohet një përkufizimi shterues” (“private life is a broad term not susceptible to exhaustive definition”, §56). 

Mbrojtja e nenit 8 …. përfshin identitetin personal, zhvillimin e individit dhe marrëdhëniet me të tjerët, duke krijuar “një zonë ndërveprimi me të tjerët, edhe në një kontekst publik” që mund të bjerë brenda jetës private (§56).

Gjykata thekson se, edhe kur veprimet ndodhin jashtë banesës, pritshmëritë e arsyeshme për privatësi mbeten të rëndësishme dhe se “konsideratat e jetës private lindin sapo krijohet një regjistër sistematik ose i përhershëm i të dhënave” (§57). Pikërisht për këtë arsye, regjistrimi dhe ruajtja e informacionit personal hyn në fushën e nenit 8, edhe në mungesë të metodave të dukshme intruzive.

Sa i përket regjistrimit të zërit të aplikantëve në ambientet e policisë, Gjykata sqaroi se edhe përdorimi i tyre si mostra zanore përbën ndërhyrje, pasi “është krijuar një regjistër i përhershëm i zërit të personit”, i cili i nënshtrohet analizës për identifikim (§59). Për rrjedhojë, ajo konkludoi se “regjistrimi i zërit të aplikantëve… përbën një ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private” (§60).

Elementi vendimtar i çështjes ishte kriteri “në përputhje me ligjin”. Gjykata rikujtoi se “masa më intruzive kërkojnë një autorizim të posaçëm ligjor” (§62) dhe konstatoi se, në kohën e ngjarjeve, nuk ekzistonte një kuadër ligjor që rregullonte përdorimin e pajisjeve të fshehta të përgjimit në ambientet e policisë. Për pasojë, “ndërhyrja nuk ishte në përputhje me ligjin dhe ka pasur shkelje të nenit 8” (§63).

Shpërndaje