
Nga Av. Aldi Kaçi
“….Pagimi i padetyruar është një burim i lindjes së marrëdhënies së detyrimit. Thelbi i këtij instituti qëndron në faktin se një person ka kryer një pagesë, pa qenë i detyruar për ta bërë atë.
Një nga rastet e pagimit të padetyruar është kur një person, duke menduar se një i tretë ka kryer një shërbim, i ekzekuton atij një detyrim monetar, kur në fakt personi i tretë nuk e ka kryer shërbimin.
Do të jemi përpara situatës së pagimit të padetyruar, jo vetëm kur nuk ekziston asnjë marrëdhënie juridiko-civile midis paguesit dhe përfituesit, por edhe në rastin kur megjithëse ekziston një marrëdhënie e tillë, sërish kryerja e pagimit nuk është detyrim në ngarkim të paguesit.

Instituti i pagimit të padetyruar përfaqëson një nga format më tipike të lindjes së detyrimeve nga pasurimi pa shkak dhe në këto raste ligji i njeh paguesit të drejtën të kërkojë kthimin e asaj që ka paguar, duke rivendosur ekuilibrin ekonomik që është cenuar nga transferimi i paarsyeshëm i pasurisë.
Kjo e drejtë është detyrimisht e lidhur me parimin themelor të së drejtës civile se “askush nuk duhet të pasurohet pa shkak në dëm të tjetrit”, duke siguruar që çdo përfitim i marrë pa bazë ligjore të mund të rikthehet tek subjekti i dëmtuar.
Kur përfituesi i pagesës së padetyruar është në keqbesim, pra ka ditur ose nuk mund të mos të dinte se pagesa nuk i takonte, ai detyrohet të kthejë jo vetëm vlerën kryesore, por edhe frytet dhe kamatat që nga dita e pagimit.
Në të kundërt nëse përfituesi është në mirëbesim, atëherë detyrimi i tij për të paguar kamatat fillon vetëm nga momenti kur kërkohet kthimi i pagesës, duke respektuar parimin se mirëbesimi mbrohet dhe nuk duhet të përbëjë burim penalizimi….”