Praktika e Kolegjeve të Gjykatës së Lartë | Ndreqja e gabimeve të vendimit gjyqësor. Rastet kur mund të kushtëzohet.  

Nga Av Aldi Kaçi

“…Ndreqja e gabimit në një vendim gjyqësor nuk kushtëzohet nga ndonjë afat kohor dhe mund të bëhet në çdo kohë, pikërisht për faktin se gabimet që lejohen të korrigjohen (në shkrim apo në llogari) janë të atilla që nuk afektojnë thelbin e vendimit gjyqësor.

Kolegji çmon të theksojë se, legjislatori nuk ka bërë ndonjë përjashtim sa i përket llojit të vendimeve gjyqësore që mund të ndreqen e si të tilla mund të jenë: vendimet përfundimtare, vendimet që i nënshtrohen ankimit, edhe nëse nuk janë ankimuar ende, dhe, së fundmi, vendimet që nuk i nënshtrohen më ankimit sepse kanë marrë formë të prerë (si në rastin konkret ku është hequr dorë nga ankimi pasi është arritur marrëveshje jashtë gjyqësish).(…..)

Pavarësisht bazueshmërisë apo jo në thelb të kërkimit lidhur me ndreqjen e gabimit në vendimin gjyqësor, një kërkesë e tillë, e ngritur në kohë pasi vendimi të jetë ankimuar apo të jetë bërë përfundimtar për shkak të heqjes dorë nga ankimi apo edhe pas ekzekutimit të tij, nuk mund të përfaqësojë në kuptim të nenit 299 të KPC një kërkim/padi që nuk mund të ngrihet.

Sa kohë neni 312 i KPC nuk e kushtëzon ndreqjen e gabimit të vendimit gjyqësor me një afat kohor apo me llojin e vendimit (të formës së prerë ose jo) që mund të ndreqet, një kërkesë e tillë mund të ngrihet në çdo kohë dhe si e tillë të konfigurojë një kërkesë që mund të ngrihet dhe duhet të shqyrtohet nga gjykata.

Interesi që legjitimon kërkesën për ndreqjen e gabimit material në një vendim gjyqësor qëndron tek saktësia dhe vlefshmëria juridike e aktit gjyqësor, pavarësisht nëse detyrimi material ndërmjet palëve është shuar apo jo, duke mos u kufizuar vetëm tek përfitimi financiar i drejtpërdrejtë nga ekzekutimi i vendimit, por garantimi që vendimi gjyqësor përfundimtar pasqyron saktësisht vullnetin dhe përmbajtjen e tij juridike, duke ruajtur forcën e tij si titull ekzekutiv dhe si provë e padiskutueshme për çdo pasojë të mëvonshme.

Kërkimi për ndreqjen e gabimit në një vendim gjyqësor mund të kushtëzohet nga kritere të tilla si: 

(i) Siguria juridike dhe rregullsia në ekzekutueshmërinë e vendimit. Vendimi gjyqësor është titull ekzekutiv dhe duhet të përmbajë të dhëna të sakta (emra, shuma, përshkrime).

Çdo pasaktësi në shkrim, llogaritje ose shprehje mund të pengojë ekzekutimin korrekt ose të krijojë pasiguri për palët apo për organet përmbarimore.

(ii) Respektimi i së drejtës për një proces të rregullt. Pala që ka marrë një vendim në favor të saj ka të drejtë të kërkojë që akti gjyqësor të pasqyrojë vullnetin real të gjykatës siç rezulton nga arsyetimi i vendimit.

(iii) Parandalimi i pasojave negative juridike. Një vendim me pasaktësi, edhe kur palët kanë bërë marrëveshje ose detyrimi është shlyer, mund të krijojë konflikte potenciale në të ardhmen…”

Shpërndaje