
Më 13.03.2025 ka hyrë në fuqi ligji nr. 7/2025, datë 30.01.2025 “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”, botuar në fletoren zyrtare nr. 40, datë 26.02.2025.
Ky ligj ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore (neni 1).
Sipas këtij ligji, njihet si periudha sigurimi, për efekt pensioni nga sigurimet shoqërore, në institucionet shtetërore dhe në ish-ndërmarrjet shtetërore, periudhat vijuese të punësimit:
I) nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
II) nga data e përfundimit të shkollës së lartë, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Njohja bëhet me kusht që gjatë periudhës përkatëse, subjekti të ketë qenë me vendbanim në qytet dhe të të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie (neni 3, pikat 1 dhe 2).
Njihet si periudha sigurimi, në ish-kooperativë bujqësore, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”.
Njohja bëhet me kusht që gjatë periudhës përkatëse, subjekti të ketë qenë me vendbanim në fshatin ku ushtronte aktivitetin ish-kooperativa bujqësore dhe të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie (neni 4, pikat 1 dhe 2).
Njihet si periudhë sigurimi, në ish-ndërmarrjet bujqësore, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se data e krijimit të ish-ndërmarrjes bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”.
Njohja bëhet me kusht që gjatë periudhës përkatëse, subjekti të ketë qenë me banim në vendin ku ushtronte aktivitetin ish-ndërmarrja bujqësore dhe të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie (neni 5, pikat 1 dhe 2).