Punoi: Av. Aldi Kaçi
“..Mendimi paralel i gjyqtarit të trupit gjykues (i njohur ndryshe edhe si “mendim konkurrent” ose “mendim paralel jo kundërshtues”) është një shprehje individuale e një gjyqtari që bie dakord me vendimin përfundimtar të gjykatës, por jo domosdoshmërisht me arsyetimin që shumica e gjyqtarëve kanë ndjekur për të arritur atë përfundim.
Ndërsa, mendimi kundërshtues (Dissenting opinion) është qëndrimi juridik i një gjyqtari që nuk është dakord me shumicën e trupit gjykues, as me vendimin përfundimtar, as me arsyetimin që ka çuar në atë vendim. Gjyqtari që ka mendim kundërshtues e paraqet atë në mënyrë të pavarur dhe të argumentuar, si pjesë e vendimit gjyqësor por pa pasur efekt detyrues.
Pavarësisht se ligji nuk parashikon detyrimin e gjyqtarit në pakicë për të arsyetuar mendimin kundër (pakicë), kuptohet që rregulli është se gjyqtari në pakicë e jep mendimin e tij me shkrim, i cili bashkohet me vendimin (neni 307§3 i KPC, neni 35(3) i ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar).
Nga ana tjetër, Kolegji vëren se, ndryshe nga rasti i parashtrimit të mendimit kundër (pakicës), arsyetimi për mendimin paralel nuk ka një rregullim të posaçëm në ligjet procedurale shqiptare.
Megjithatë, ka akte nënligjore, të cilat synojnë të bëjnë rregullime të kësaj natyre. Në këtë drejtim Kolegji sjell në vëmendje se rregullorja “Për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, miratuar me vendimin nr. 9, datë 22.12.2021, të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në disa parashikime të saj vë në dukje hapësirën e shtrirjes së një mendimi paralel, në raport me vendimin gjyqësor.(…)
Kolegji vëren se në rastin konkret, ekzistenca e dy mendimeve të ndryshme, nga secili prej anëtarëve të trupit gjykues të Gjykatës Administrative të Apelit që kanë formuar shumicën në vendimmarrjen përfundimtare, pavarësisht deklarimit të votës së tyre të përbashkët në lidhje me dispozitivin e vendimit, krijon dukshëm paqartësi në lidhje me arsyet e këtij disponimi dhe për pasojë, e bën vendimin si të marrë jo në zbatim të drejtë të nenit 307 të KPC. Referuar parashikimeve të kësaj dispozite procedurale, nuk mund të ketë tre zgjidhje të ndryshme për një mosmarrëveshje.
Në këtë kuptim, Kolegji vëren se votimi i trupës gjykuese, në funksion të vendimmarrjes, nuk është kryer në përputhje me parashikimet e nenit 307 të KPC, për të shtruar për bisedime dhe mandej për të vendosur me shumicë votash, me rradhë për të gjitha çështjet që ishin shqyrtuar gjatë gjykimit.
Në përputhje me parashikimet e nenit 307§3 të KPC, anëtarët e trupit gjykues kishin detyrimin të përjashtonin disponimet eventuale të ndryshme për zgjidhjen e çështjes, deri në ofrimin e dy zgjidhjeve të vetme, mes të cilave do të duhej të bëhej votimi përfundimtar….”