Në vendimin nr.425 të vitit 2025 të Gjykatës së Lartë, Kolegji Civil është ndalur në elementët e kontratës së sipërmarrjes. Sipas saj, gjykatat e faktit nuk kanë identifikuar drejtë natyrën e veçantë të kontratës së
sipërmarrjes të lidhur midis palëve dhe për rrjedhojë nuk kanë percaktuar saktë të drejtat e detyrimet e krijuara ndaj tyre në bazë të kësaj kontrate.
Arsyetimi i Kolegjit:
“…Identifikimi i sendit objekt i kontratës së sipërmarrjes është një element i rëndësishëm i kësaj kontrate në përputhje kjo me natyrën e saj si kontratë shitje e një sendi të ardhshëm.
Duke qënë se objekt i saj është një send i paluajtshëm atëherë detyrimisht kuptohet se kemi të bëjmë me një send individualisht të përcaktuar.
Për shkak të natyrës dualiste të kontratës së sipërmarrjes, pra dhe si kontratë konsesuale dhe detyrimi, individualizimi i sendit të paluajtshëm objekt i kontratës mund të bëhet saktësisht që në momentin fillestar të lidhjes së kontratës nëpërmjet të dhënave identifikuese në përmbajtjen e kontratës ose planvendosjeve bashkangjitur saj, ose dhe më vonë në momentin e dorëzimit në natyrë të sendit te porositësi sipas nenit 850 të KC.
Momenti i dorëzimit të sendit në rastin e kontratës së sipërmarrjes ka një rëndësi të vecantë pasi nenet 850 e vijues të KC parashikojnë një sërë të drejtash e detyrimesh të palëve që vijojnë nga ky moment, si për të metat e sendit ashtu dhe për vonesat në dorëzim etj. Për më tepër dorëzimin e sendit nga sipërmarrësi te porositësi krijon njëkohësisht detyrime për porositësit për ta pranuar atë. Përputhja e vullnetit të palëve, konkretisht ofrimi i sendit nga sipërmarrësi dhe marrja në dorëzim e këtij sendi të ofruar pa asnjë vërejtje nga porositësi tregojnë jo vetëm përmbushjen në natyre të detyrimit të kontraktuar nga kontrata e sipërmarrjes si një kontratë detyrimi, por edhe bëjnë njëkohësisht plotësimin e kontratës fillestare konsesuale të lidhur midis palëve nëpërmjet identifikimin e sendit të paluajtshëm të kontraktuar në rast të të metave identifikuese të sendit në kontratën fillestare të lidhur, e cila po ashtu është realizuar me vullnetin e të dyja palëve
(…)nisur nga kjo natyrë e kontratës së sipërmarrjes, dorëzimi fizik i sendit shënon si rregull individualizimin në natyre të sendit për të cilin palët kishin hyrë në marrëdhënie, me përjashtim të rastit kur nga përmbajtja e kontratës del se sendi ka një vendndodhje tjetër të përcaktuar qartësisht e të ndryshme nga ajo e dorëzuara.
Kur përmbajtja e kontratës lidhur me identifikimin e sendit është e qartë atëherë kjo prevalon në raport me atë të sendit të dorëzuar në natyrë për shkak të natyrës konsesuale të saj dhe të pasojave ipso jure, që sjell ajo mbi fitimin e pronësisë mbi sendin objekt kontrate.
Në këtë rast pala porositëse me ardhjen në ekzistencë fizike e juridike të sendit fiton pronësinë mbi atë send të kontraktuar, që në momentin fillestar të lidhjes së kontratës.
Ndërsa në rast se nga përmbajtja e kontratës e sipërmarrjes nuk del i qartë sendi i kontraktuar atëherë dorëzimi në natyrë i sendit përbën njëkohësisht përmbushje te detyrimit në natyrë si element i të drejtës së detyrimeve dhe atë të identifikimit të sendit objekt i kontratës konsesuale të lidhur paraprakisht….”