
Nga Kreshnik Myftari
Prej disa ditësh kam shfletuar dhe konspektuar vendimin e GJEDNJ për çështjen e 21 Janarit. Po i referohem kështu, sepse ndiej një keqardhje të madhe për viktimën dhe kurrsesi nuk do të doja t’ia shtoja dhimbjen familjes duke i përmendur emrin të ndjerit.
Arsyet që më shtynë drejt kësaj iniciative lidhen me një sërë dyshimesh mbi këtë vendim dhe deklaratat në media dhe publik të një sërë gazetarëve, opinionistëve dhe juristëve “pa diskutim shumë më të aftë, profesionistë dhe me eksperiencë sesa unë”, por që jam i sigurt se as nuk e kanë lexuar dhe as nuk e kanë kuptuar vendimin.
Isha skeptik dhe më dukej absurde se si mundej që gjytarë karriere nga më profesionistët e të së drejtës ( këtu i referohem gjyqëtarëve të gjykatës europiane), të mund të kryenin një “çmënduri të tillë” juridike duke i dhënë ngjarjes një cilësim juridik. Më pas, ajo që realisht më bënte përshtypje ishte fakti se si u mbars opinioni publik me një spekulim rreth një termi, një përkufizimi deri në kufijtë e një kualifikimi ligjor, të cilin GJEDNJ nuk e ka për kompetencë ta përdorë dhe nuk e përdor në asnjë prej 178 pikave të vendimit.
Të thuash për ngjarjen e 21 Janarit se është krim shtetëror, duhet patjetër ta kualifikosh juridikisht si krim kundër njerëzimit, konkretisht në formën e democidit. GJEDNJ nuk ka një kompetencë të tillë, pasi ajo shqyrton kërkesat individuale sipas nenit 34 të Konventës vetëm për shkelje të të drejtave të parashikuara në Konventë, në titullin e parë të saj.
Nëse çështja e 21 Janarit do të kishte elemente të ndonjë krimi shtetëror dhe Shqipëria do ta kishte të pamundur ta hetonte, ose do të ishte e paaftë për ta hetuar, ky proces do të zhvillohej sipas Statutit të Romës për krimet e cituara më sipër, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Çdo subjekt i hetuar dhe gjykuar do ishte proceduar penalisht pikërisht për këtë vepër penale të sanksionuar në kodin tonë penal në kreun e parë të pjesës së posaçme të tij në nenin 75.
Por le t’i kthehemi vendimit të GJEDNJ i cili nuk e përdor termin krim shtetëror ose vrasje shtetërore në asnjë nga pikat e tij, por i referohet një vendimi të sistemit të brendshëm juridik shqiptar, atij të Gjykatës Administrative. Edhe vetë Gjykata Administrative nuk e quan ngjarjen si krim ose vrasje shtetërore, sepse nuk e ka për juridiksion/kompetencë ta bëjë një kualifikim të tillë (Pika 154) .
Ajo i referohet ngjarjes si përgjegjësi shtetërore në kuadër të shpërblimit të dëmit për familjarët e viktimës. Kjo terminologji është cituar edhe nga GJEDNJ, konkretisht në pikat 133, 135, 136 dhe 155.
Edhe vetë qëndrimi i qeverisë në seance ishtë se aktet nuk ishin vrasje me dashje (pika 135), dhe më interesantja është habia e Gjykatës Evropiane për termin e përdorur “përgjegjësi shtetërore” nga ana e Gjykatës Administrative pa sqaruar dhe pa dhënë asnjë detaj për rrethanat e vdekjes dhe për të bërë të kuptueshme nëse përdorimi i forcës ishte i justifikuar apo jo?!
(pika 136, rreshti 5; pika 155, rreshti 5) Ajo (Gjykata Administrative) vetëm konkludoi që shteti ishte përgjegjës i humbjes së jetës (dhe jo vrasje shtetërore ose krim shtetëror siç po etiketohet) pasi shteti nuk kishte marrë masa për parandalimin, pa përcaktuar cilat duhet të ishin këto masa parandaluese, pa asnjë vlerësim të fakteve, thekson Gjykata Evropiane. (pika 136). Pra në qoftë se vetë qeveria dhe gjetjet faktike të sistemit të brendshëm kombëtar nuk e dyshonin ose cilësonin vrasjen si të kryer me dashje, si mundet GJEDNJ ta kualifikonte si të tillë ose më tej akoma si krim shtetëror.
Për të qenë përpara një krimi, vrasje shtetërore ose democidi duhet patjetër të ekzistojnë një sërë elementesh të cilët janë taksativë në krimet kundër njerëzimit. Për lexuesit po citoj disa prej tyre:
1. Plani paramenduar,
2. Qëllimi politik ideologjik,
3. Autoriteti shtetëror si subjekt autor i veprës dhe më i rëndësishmi,
4. Dashja e drejtpërdrejtë si formë ekskluzive fajësie nga pikpamja e anës subjektive.
Këto elemente identifikohen dhe në veprën penale të legjislacionit tonë të brendshëm në nenin 75 të Kodit Penal, sikurse edhe në aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti, siç janë Konventa e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit dhe Statutit të Romës.
Vendimi ka në qendër të diskutimit kuadrin ligjor mbi përdorimin e armëve në vitin 2010 dhe përputhshmërinë/proporcionalitetin e ligjeve me të drejtat e njeriut sipas parashikimeve të nenit 2 të Konventës.
Edhe në këtë aspekt, pra mungesa e proporcinalitetit përmendet në trajtën e justifikimit të përdorimit të armëve në raport me mbrojtjen e pronës, konkretisht Godinës së Kryeministrisë pa cituar se brenda godinës gjendeshin gjithë punonjësit e saj. (pika 145, 150, rreshti 10, 19, Pika 151,159, rreshti 21)
Në përfundim nuk është e vërtetë që Gjykata Europiane rihap hetimin e 21 Janarit, pasi vetë vendimi në pikën e fundit të tij (178) e konsideron atë si hetim ende të hapur.