Dënimi penal i formës prerë si kriter ndalues në mbajtjen e funksioneve drejtuese në shoqëritë tregtare. 

Punoi: Olti Skrame*

Në kuptim të nenit 13, pika 1, të ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, personat që janë dënuar me vendim penal të formës së prerë, për kryerjen e veprave penale të parashikuara në kreun III, të Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, për një afat deri në 5 vjet nga data e këtij dënimi, nuk mund të mbajnë funksionet e përfaqësuesit ligjor të një shoqërie tregtare, nuk mund të jenë anëtarë të këshillit të administrimit, nuk mund të jenë anëtarë të këshillit mbikëqyrës dhe as përfaqësues së aksionarëve në asamblenë e përgjithshme.

Neni 13, pika 1, i ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, është normë urdhëruese me natyrë ndaluese, e cila, në kuptim të nenit 92, shkronja “a”, të Kodit Civil, si dhe të vendimit njësues nr. 4596 (393), datë 26.10.2022, të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, sjell pavlefshmërinë absolute të çdo veprimi juridik të kryer në kundërshtim me të.

Kjo sepse një veprim i tillë është në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese (ndaluese) të ligjit, e cila ka për qëllim mbrojtjen e rendit publik, të moralit të shoqërisë, apo të zakoneve të mira. 

Ky qëllim është ndalimi i personave të dënuar penalisht, me vendim të formës së prerë, për një vepër penale të natyrës ekonomike, apo tregtare, parashikuar nga kreu i tretë, i Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, që të vijojnë të kryejnë veprime me natyrë tregtare, si përfaqësues së shoqërive tregtare, apo të ortakëve, apo aksionarëve të tyre.

Ky ndalim mbron interesin publik, lidhur me mirëfunksionimin e shoqërive tregtare, si dhe zakonet e mira, në formën e mbrojtjes së konkurencës së ndershme mes shoqërive tregtare, si dhe të subjekteve të tjera të angazhuara në veprimtari tregtare, apo civile, me to. 

Lejimi i një personi të dënuar penalisht, me vendim të formës së prerë, për një vepër penale të fushës tregtare, për të ushtruar efektivisht detyrën e administratorit, apo të përfaqësuesit në çfarëdo pozite, të shoqërive tregtare, do të hapte rrugën e përsëritjes së veprimtarive kriminale të së njëjtës natyrë, situatë në kundërshtim me moralin e shoqërisë, me interesin publik dhe me zakonet e mira, në kuptim të nenit 92, shkronja “a”, të Kodit Civil, të interpretuar në mënyrë njësuese me vendimin nr. 4596 (393), datë 26.10.2022, të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. 

Neni 13, pika 1, i ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, është i qartë, kur parashikon se, personat, që janë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale të parashikuara në kreun III, të Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, për një afat deri në 5 vjet nga data e këtij dënimi, nuk mund të mbajnë funksionet e përfaqësuesit ligjor të një shoqërie tregtare, nuk mund të jenë anëtarë të këshillit të administrimit, nuk mund të jenë anëtarë të këshillit mbikëqyrës dhe as përfaqësues të aksionarëve në asamblenë e përgjithshme.

*Autori i këtij punimi është gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. 

Gjithashtu, ai është autor i dy librave në fushën juridike, “Komentari i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë” (në dy vëllime), botuar në vitin 2012 dhe “Manuali i të drejtës ndërkombëtare private të Republikës së Shqipërisë” , botuar në vitin 2022, si dhe i mbi 15 artikujve dhe materialeve juridike, të botuara gjatë periudhës 2009 – 2024.

Shpërndaje