A është kushtetues apo i ligjshëm tatimi mbi para që nuk i ke? Nga Julian Saraçi

Një pyetje që prek thelbin e së drejtës dhe të drejtësisë fiskale.

Një punonjës me pagë 100,000 lekë bruto paguan menjëherë 11,200 lekë sigurime shoqërore e shëndetësore. Pra, në realitet merr vetëm 88,800 lekë. Megjithatë, TAP llogaritet jo mbi 88,800, por mbi 100,000 lekë. Praktikisht, shteti taton edhe shumën që punëmarrësi nuk e merr kurrë në dorë dhe nuk e disponon dot pasi derdhet si kontribut. 

A duhet që kontributet e sigurimeve të përfshihen proporcionalisht në bazën e tatueshme, kur tatimi lind vetëm në momentin kur gjeneron të ardhura, kryen shpenzime (konsumon) ose tjetëson pasuri pronësore? Në këtë logjikë, tatimi mbi kontributet e sigurimeve nuk gjen mbështetje doktrinore, sepse kontributi nuk është e ardhur e fituar; nuk është shpenzim i realizuar, nuk i shton pasuri subjektit dhe as nuk është transaksion i lirë vullnetar, por detyrim i paracaktuar me ligj.

Nga këndvështrimi i parimeve kushtetuese, përfshirë parimet e pronës private, proporcionalitetit, kufizimit të të drejtave dhe mbrojtjes së pronës apo fuqisë juridike për të vendosur tatime, gjykoj që kjo qasje ngre një problem të qartë, pasi tatimi po aplikohet mbi një vlerë që nuk i përket subjektit, duke krijuar një diferencë artificiale midis të ardhurave reale dhe atyre të tatueshme. Për më tepër, rikonceptimi i bazës dhe tatueshmërisë do të krijonte mundësi për rritje të mundshme të kontributeve të sigurimeve. A mund të dominojë e drejta e karakterit social mbi natyrën e kontributeve mbi atë private? Për mua është e diskutueshme.

Në një sistem që synon qëndrueshëm, drejtësi dhe respektim të të drejtës së pronës, baza tatimore duhet të reflektojë të ardhurat e vërteta të disponueshme, jo shuma të cilat individi nuk i disponon asnjëherë. Tatimi duhet të ngrihet mbi pasuri reale, jo mbi vlera nominale të padisponueshme për qytetarin apo biznesin.

Shpërndaje