Kipling në poezine e njohur “Në mundsh..”
thotë;
“Në mund të ruash arsyejen kur bota humb fillin e fajin ta hedh ty…”
Kjo është çfarë ndodhi në jetën e një njeriu ku në emër të drejtësisë, behet padrejtësia.
***
Këtë të premte, mes shumë lajmesh të bëra bashkë, e përqëndrimit që asgjë mos të më merrte vëmendjen, tri tavolina më tutje, u dëgjua zëri i prokurores Antoneta Sevdari, që për hir të së vërtetës kisha hasur lajmin e skualifikimit të saj nga gjyqësori, e më pas beteja në Strasburg për rikthimin në detyrë, por në mënyrë të përciptë, e nuk isha ndalur në historinë e saj.
16 vite kishte në krye të detyrës, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e perballur jo pak herë me raste të rrezikshme të krimin dhe ngjarjeve jo të lehta për tu hetuar.
Si shumë lajme që me cinizmin e gazetarit janë një lajm më shumë në bilancin e ditës, por deri në pushimin e asaj drekë ku kupton se përtej lajmit, është në fakt historia e jetës së dikujt tjetër.
Sa e veshtirë duhet të jetë, që e gjithë bota që ke ngritur të të shembet për një çast, e të mos kesh asnjë argument që tja japësh vetes, kur natyrshem vjen pyetja;
PSE?
Prokurorja u shkarkua në shkurt 2019, pasi u “gjet” si të pajustifikueshme një sasi e të ardhurave të bashkëshortit të Sevdarit mbi dy dekada më parë, kohë para se të njihej dhe martohej me të…
Buzë liqenit të Pogradecit, ajo rrëfen se dita që duhet të ishte një festë, sepse ishte e bindur në integritetin dhe profesionalizmin e saj, u kthye në një makth.
“Nuk ndjeja asgjë,” thotë ajo.
Truri nuk e perceptonte atë që po dëgjoja atë çast. Shkova në shtëpi, erdhën njerëz të dashur, por s’doja të takoja askënd. Për një çast mendova, po sikur të isha unë? Secili prej nesh. Që ka sakrifikuar e dhënë gjithçka për profesionin e tij, që e ka pasion, që është investuar në të!
Gjithçka ndryshoi kah atë pasdite, thotë me sytë që i qeshnin tashmë nga forca e fituar nga ajo sprovë.
Kur u botua artikull i BIRN i cili tregonte për historinë e saj dhe mbajti për herë të parë qëndrim, se ishte vepruar pa të drejtë në rastin e saj.
“E lexova shkrimin, ndikoi jashtëzakonisht, dikush atje jashtë dinte historinë time dhe besonte se kush isha. Mora kurajo, të nesërmen reagova dhe nisa betejën 5-vjeçare për të fituar të drejtën time. Sepse unë e dija dhe besoja kush isha.”
Pas një beteje jo të lehtë! 5 vite nuk janë pak nga jeta e gjithkujt por shpresoi deri në fund.
Sevdari u bë rasti i parë i një zyrtareje të drejtësisë që kthehet në detyrë pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut.
Aty për aty mendova se asnjë betejë, sprovë që jeta a fati na përball, nuk është pa një qëllim. E se e drejta nuk humbet, pavarësisht përballjeve që ndeshet.
“Pasi u riktheva në detyrë, isha më e fortë, më e kthjellët.”
Teksa e shikoja Antonetën, shikoja një profesioniste, një luftëtare, një nënë e një zonjë.
Me shikimin e mprehtë të një prokuroreje, që duket sikur po të merr në pyetje sa herë bisedon me të, por edhe humane, kur tregon anën e saj me sinqeritet, profesioniste kur rrëfen se u përhumb me muaj tek çështja e mikrokredive apo çështje të tjera.
Por mbi të gjitha, me forcën e dikujt që luftoi deri në çastin e fundit për të drejtën e saj. Sepse kur njeriu e di se kush është, gjen dhe rrugën për tek e vërteta.
Historia e Antonetës mbyti gjithë lajmet që vërshuan këtë të premte dhe më dha disa leksione; fuqinë e medias dhe betejën për të vërtetën.
Të besh gazetari, do të thotë të kesh fuqi dhe ndikim të jashtëzakonshëm, në ndryshimin e përmirësimin e jetes dhe realitetit.
Ndaj çdo ditë duhet ta kujtojmë misionin për të cilën kanë lindur “pushteti i 4”
E siç thotë George Orwell: “Në kohë mashtrimi universale, të thuash të vërtetën është akt revolucionar.”