Është botuar në Fletoren Zyrtare Nr.190 të vitit 2025 VKM nr.590 datë 15.10.2025 “Për përcaktimin e llojeve të tarifave të shërbimeve të ofruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe të masës së tyre”.
VKM-ja rregullon llojet e shërbimeve elektronike dhe tarifat që ofron AKSHI mbi nënshkrimin elektronik, vulën elektronike, certifikatën elektronike për projektin e fiskalizimit, vulën kohore si dhe transaksionin në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
Risi në vendimin e qeverisë është se u njihet e drejta edhe qytetarëve që të aplikojnë nënshkrimin elektronik. Pra, tashmë nuk do jenë vetëm personat juridik, publik apo privat, por edhe individët të cilët mund të përdorin këtë shërbim.
Kështu, nëpërmjet firmës elektronike, qytetarët mund të nënshkruajnë akte të ndryshme dhe të futen në marrëdhënie juridike pa qenë nevoja që të paraqiten personalisht duke shkurtuar kështu distancat fiizke e kohore që nevojiteshin më parë. 
