Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet vendore–reflektime nga terreni. Nga Agron Haxhimali

5 bashki ,13 kandidat, 334.539 votues, 18.45 % votuan.

Niveli i ulët i pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje është një nga sfidat më të prekëshme të demokracisë në Shqipëri.

Vëzhgimet dhe bashkëpunimet e Institutit për Bashkitë e Shqipërisë (IBSh) në pesë bashkitë Mat, Tepelenë, Berat, Vlorë dhe Cërrik tregojnë se kjo tendencë indiferentizmi lidhet me një sërë faktorësh:

1. Mungesë besimi dhe perceptim i ulët i ndikimit

Në pesë bashkitë e vëzhguara, qytetarët shprehin mosbesim të lartë ndaj institucioneve vendore dhe klasës politike. Shpesh dëgjohet bindja se “vota nuk sjell ndryshim”, pasi strukturat politike lokale perceptohen si të mbyllura dhe të lidhura ngushtë me interesat partiake. Kjo ka çuar në apatinë qytetare dhe distancim nga proceset zgjedhore.

2. Dominimi politik dhe mungesa e konkurrencës reale

Në të pesë bashkitë, zgjedhjet u   karakterizuan nga dominim i një partie politike për periudha të gjata, (Vlora, Berati e Tepelene) duke reduktuar ndjesinë e garës së hapur dhe duke krijuar perceptimin se “rezultati dihet që përpara”. Kjo ndikon në uljen e motivimit për pjesëmarrje, veçanërisht tek të rinjtë dhe votuesit për herë të parë që në këto zgjedhje treguan indiferencë të fortë.

3. Migrimi dhe faktorët socio-ekonomikë

Në të gjitha pesë bashkitë, migrimi i lartë kanë  krijuar vështirësi praktike për pjesëmarrje si ne Berat. Shumë qytetarë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit ose jashtë bashkisë ku janë të regjistruar, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të votuesve aktivë.

Gjithashtu, vështirësitë ekonomike bëjnë që pjesëmarrja politike të mos shihet si prioritet.

4. Apatia politike dhe distancimi i të rinjve

Në të pesë bashkitë të rinjtë shfaqen të painteresuar për pjesëmarrje në proceset politike tradicionale, përfshirë votimin. Ata janë aktivë në forma alternative të angazhimit, si rrjetet sociale,por nuk e lidhin votën me ndryshimin lokal si ne Cerrik.

5. Korniza institucionale dhe tradita

Në disa raste,  mungesa e informimit paraprak dhe komunikimi i dobët institucional kanë ndikuar në në pjesmarrjen e ulët  diën e votimit.Gjithashtu, mungesa e mekanizmave të pjesëmarrjes qytetare në dëgjesat publike, apo konsultimet me komunitetin krijon ndjesinë e përfshirjed vetëm një herë në katër vjet, dhe se këto zhgjedhja për kryetaret apo kryetarit janë për pak kohë dhe nuk sjellin ndonjë gje të re.

6. Mungesë informacioni dhe ndërgjegjësimi qytetar

Në bashkitë  si Vlora niveli i informimit mbi rolin e qeverisjes vendore është i kufizuar dhe kjo e ka bëre të vështirë kuptimin e ndikimit real që kanë zgjedhjet  në shërbimet dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Në shumë raste, qytetarët nuk arrijnë të dallojnë qartë kompetencat e bashkisë nga ato të qeverisë qendrore dhe mendojnë më shumë drejtë qeverisë sesa bashkisë.

Analiza e përvojës në pesë bashkitë e përfshira tregon se pjesëmarrja e ulët nuk është vetëm çështje e ditës së votimit, por një pasojë e një ndërveprimi të ndërlikuar mes faktorëve politikë, institucionalë dhe socialë.Por edhe një qëndrim i zgjuar i elektoratit, duke “shkëlqyer”  me mospjesmarrjen e tyre  në votime. 

Situata kërkon zgjidhje, kërkon qasje të qëndrueshme për rritjen e besimit publik, forcimin e edukimit qytetar dhe krijimin e kanaleve reale të përfshirjes komunitare në vendimmarrjen lokale.Kerkon punë reale dhe jo propogandë nga aktorët qeverisës dhe ato politik.

Shpërndaje