Njeriu i Ri – Një retrospektivë mbi shkatërrimin e shpirtit shqiptar. Nga Dr.Ilir Pecnikaj

Njeriu i Ri – Një retrospektivë mbi shkatërrimin e shpirtit shqiptar. 

Kam dëgjuar shpesh nga prindërit e mi, madje edhe nga të rinjtë që sapo kanë mësuar historinë: “Si është e mundur që Shqipëria, ky vend kaq i bukur, kaq i pasur me natyrë, të jetë sot më i varfri në Evropë?” Dhe këtë pyetje e shoqëron gjithmonë një lot hidhërimi, një ndjenjë se diçka na është vjedhur – por nuk e kuptojmë mirë se çfarë.

Kam menduar shumë për këtë. Dhe më është dashur të kthehem prapa, jo tek ekonomia apo politika e thjeshtë, por tek diçka shumë më e thellë: tek natyra e njeriut shqiptar, tek ajo që na bënte njerëz para se të vinte komunizmi, për të na shndërruar në “njerëzit e rinj”.

Është krejtë e thjeshtë: “NJERIUN NGA KAFSHA E DALLON PRONA, BESIMI DHE MENDIMI”. Diktatura komuniste, ia hoqi dy të parat, dhe si rrjedhoj mendimi i ngelur vetëm u bë pervers. Për mua kjo frazë, në thjeshtësinë e saj, përmban një të vërtetë që shpjegon më shumë se çdo statistikë apo analizë ekonomike.

TË PARËT TANË DHE PRONA QË NUK ISHTE MË E TYRE

Prindërit e mi ishin punëtorë e bujq të ndershëm. Nuk ishin të pasur, por kishin tokën e tyre, pronën e tyre – disa dynym të trashëguara nga gjyshërit. E punonin me dashuri atë tokë. E njihnin çdo pëllëmbë, e dinin ku jepte më mirë, ku duhej të mbillnin këtë apo atë kulturë. Në mbrëmje, kur ktheheshin nga ara, shihja në duart e tyre dheun e lagur dhe buzëqeshjen që lindte nga ndjenja e dashurisë. “Kjo është e jona,” thoshin. “Do t’ia lëmë ty, dhe ti do t’ia lësh fëmijëve të tu.”

Pastaj erdhi kolektivizimi. Prona u bë “e popullit”. Iku ajo që më përpara “ishte e jona”-“tani është e askujt”. 

Kjo nuk ishte vetëm historia e familjes sime. Ishte historia e miliona shqiptarëve. Në pesëdhjetë vjet, tre breza u rritën pa e ditur se çfarë do të thotë të kesh diçka që është vërtet e jotja, që ti e kultivon, e ruan dhe e dorëzon fëmijës. Tre breza që mësuan se “e jotja” dhe “e shtetit” janë e njëjta gjë – pra, asgjë nuk është vërtet e jotja.

Kur ra komunizmi dhe njerëzit morën “lirinë”, çfarë ndodhi? Nuk dinin të kujdeseshin për pronën, sepse nuk e kishin mësuar kurrë. Dinin vetëm një gjë, “mund të bëhesh e kundërta e atij që je”- “PRONAR”, ndaj rrëmbe sa të mundësh para se ta marrë tjetri. Dhe kështu filloi grabitja e madhe – tokat e uzurpuara, ndërtimet pa leje, pyjet e prera, lumenjtë e ndotur. Jo sepse shqiptari është grabitqar nga natyra, por sepse tri breza nuk mësuan kurrë të respektojnë pronën – as të tyren, as të të tjerëve.

BESIMI NË ZOT

Nëna ime lutej fshehtas. E mbaj mend – hynte në dhomën e vogël të shtëpisë, mbyllte derën dhe lëvizte buzët pa zë. Nuk guxonte të fliste fort, sepse edhe muret kishin veshë në atë kohë. Ne fëmijët rriteshim duke parë këtë frikë, këtë nevojë për të fshehur atë që çdo njeri ka brenda: besimin, shpresën, lidhjen me diçka më të madhe se vetja.

Kur regjimi shpalli Shqipërinë “vendin e parë ateist në botë”, nuk tha thjesht “mos shkoni në xhami apo në kishë”. Tha: “Mos besoni në asgjë përveç Partisë. Mos shpresoni në asgjë përveç asaj që ju jap unë. Mos i përgjigjeni askujt përveç meje.” Dhe e bëri këtë me forcë barbare – shkatërroi mijëra xhami, kisha, teqe. Burgosi, torturoi, vrau njerëz që thjesht besonin. Por më e tmerrshmja ishte ajo që bëri me fëmijët: i rriti duke mos ditur fare se çfarë do të thotë të kesh një kompas moral që nuk vjen nga frika e pushtetit, por nga diçka më e lartë.

UNË DHE BOSHLLËKU QË MBETI

Unë u rrita në një kohë kur feja ishte një kujtim i ndaluar, prona një iluzion dhe mendimi i lirë një rrezik. Kur regjimi ra, mbeta bosh. Nuk kisha ku të mbështetesha. “Çdo gjë është gënjeshtër,” më thoshin të rriturit. “Politika, feja, morali – të gjithë duan të të mashtrojnë.”

Ky cinizëm, ky nihilizëm, nuk ishte i rastësishëm. Ishte pasojë e drejtpërdrejtë e asaj që u bë me shpirtin e një populli. Kur të rritet një komb pa kompas moral, ai fillon të besojë se gjithçka është e lejuar: gënjeshtra, vjedhja, tradhtia. “Po të gjithë e bëjnë,” u bë justifikimi universal. “Pse jo edhe unë?”

Kjo trashëgimi ende jeton sot – në ryshfetin që quajmë “normale”, në gënjeshtrën që e quajmë “zgjidhje praktike”, në votën që e japim për të njëjtët, sepse “të gjithë janë njësoj”. Nuk është natyra jonë, është rezultati i një sistemi që na mësoi se asgjë nuk është e shenjtë.

MENDIMI QË U BË MJET MBIJETESE

Edhe kur të vjedhin pronën e të shtypin fenë, nëse mendon lirshëm, mund të shpëtosh. Por komunizmi e kuptoi këtë. Prandaj e sulmoi mendimin më mizorisht se çdo gjë tjetër.

Në shkollë nuk na mësonin të mendonim, por çfarë të mendonim. Historia ishte gënjeshtër, shkenca e filtruar, letërsia propagandë. Çdo pyetje e vërtetë ishte rrezik. Dhe kështu mësohej ndarja mes dy të vërtetave: asaj që mendon dhe asaj që duhet të thuash. Mësohej hipokrizia si formë mbijetese. Edhe sot, tre dekada pas rënies së komunizmit, shumë prej nesh jetojnë me dy fytyra – një për publikun, një për ndërgjegjen.

Kështu mendimi u bë mjet manipulimi. Jo “si është e vërteta?”, por “si të shpëtoj?”. Kështu kemi diploma që nuk vlejnë, gjyqtarë që gjykojnë për përfitim, politikanë që gënjejnë për pushtet. Mendimi i lirë u zëvendësua nga mendimi i dobishëm.

ÇFARË POLLI E GJITHA KJO…?! –“NJERIUN E RI”

Komunizmi e quante “njeriu i ri” këtë krijesë të re: pa pronë, pa fe e me mendim të kontrolluar. Por ai nuk u bë supernjeriu socialist që ata na thanë se ëndërronin. U bë një njeri i frikësuar, i përçarë, i pashpirt. Një njeri që nuk ndien përgjegjësi, nuk beson në asgjë, nuk mendon për të vërtetën.

Kur ra komunizmi, ky njeri nuk u zhduk. Vazhdoi i njëjti, vetëm pa frikën e përndjekjës. Bëri atë që dinte të bënte: grabiti, gënjeu, përfitoi. Ish-drejtuesit u bënë demokratë, ish-sigurimsat biznesmenë, ish-propagandistët gazetarë. Ish-pronarë dhe ish-të përndjekur, vazhdojnë të mbahen me lëmosh e nëse ngren kokë edhe të zhduken…. Të njëjtët njerëz, me ngjyra të reja ngelën në këtë vend.

E SHTYLLAT (kurrë të ngritura) BIEN SI BIRILAT; DREJTËSIA, ARSIMI DHE SHËNDETËSIA – tri shtylla mbi të cilat ngrihet çdo shoqëri – nuk u ngritë kurrë, përvecse ranë, gërmadha e tyre nuk ka të mbaruar.

Drejtësia, që duhet të mbrojë të dobëtin, u bë instrument i të fortit. Ligji interpretohet nga kush ka pushtet. Vendimet blihen. Kështu mesazhi u bë i qartë: FORCA BËN TË DREJTËSI, JO LIGJI.

Arsimi, që duhet të ndërtojë mendjen, u shndërrua në fabrikë diplomash. Kopjimi u bë normë, të menduarit kritik u dënua. Më të mirët ikin jashtë. Institucionet publike u kthyen në institucione nepotike. Arsimi nuk çliron më, por varfëron.

Shëndetësia, që duhet të shërojë, u bë privilegj. Spitalet publike janë vende ku vdesin të varfrit, mjekët kërkojnë “konverta”, ilaçet janë shpesh false. Shëndeti, me plot gojë -sot duhet të blihet.

PSE PIKRISHT NE, JO TË TJERËT?

Pse ne mbetëm pas, ndërsa të tjerët ecën përpara me historitë e tyre. Sepse diktatura jonë ishte më e ashpra, më e izoluar, më e përgjakshme. Shqipëria nuk kishte asnjë dritare nga ku të hynte fryma e lirisë. Dhe sepse pas rënies, ne nuk bëmë lustracion. Nuk i ndëshkuam krimet. Nuk i ndamë të mirët nga të këqijtë. Përkundrazi, i shpërblyem, duke besuar përsëri tek pjella e tyre…

E kemi gojë e pyesim -Pse jemi më të varfrit?

Jo sepse s’kemi pasuri – kemi plot. As sepse s’kemi njerëz të zgjuar – i kemi. Por sepse sistemi i krijuar në këto dekada shpërblen grabitjen dhe ndëshkon ndershmërinë. Sepse tre breza u mësuan se “kush nuk vjedh është budalla”. Sepse frika dhe cinizmi u bënë pjesë e ADN-së sonë shoqërore.

Shpresë…?!

Dua shumë të shoh;

– të rinj që protestojnë, jo për përfitim, por nga ndërgjegjja. 

– Mësues që mësojnë me pasion, 

– Mjekë që refuzojnë ryshfet, 

– Sipërmarrës që ndërtojnë pronat e tyre me ndershmëri. 

Të shoh njerëz që nuk pajtohen me “njeriun e ri”.

Por kjo nuk mjafton. Duhet reformë e thellë institucionale, 

– drejtësi që ndëshkon krimin dhe padrejtësinë dhe mbron pronën dhe jep siguri qytetarit të thjeshtë

– arsim që çliron mendjen, 

– shëndetësi që nderon jetën. 

E këto bëhen duke zbuluar të kaluarën lakuriq…

– transparencë për të kaluarën, 

– lustracion, 

– përgjegjësi morale.

Mbi të gjitha, duhet që secili prej nesh të vendosë: “Mjaft. Unë nuk do të jem më ‘njeriu i ri’ që komunizmi krijoi.” Nuk do të jap ryshfet. Nuk do të marr ryshfet. Nuk do të votoj të korruptuarin, sado të më premtojë. Do të jem njeri i vërtetë – me pronë që e respektoj, me vlera që më udhëheqin, me mendim që kërkon të vërtetën.

Kjo është beteja jonë – jo në Parlament, por në ndërgjegjen tonë. Derisa të vrasim brenda vetes “njeriun e ri”, do të mbetemi më të varfrit, më të korruptuarit, më të pasigurit – pavarësisht sa të pasur na bëri natyra. Sepse natyrën e shfrytëzon njeriu. Dhe ne duhet të ribëhemi njerëz të vërtetë.

Rinia e sotme – më e plogët, por me shpresë

E shoh rininë e sotme më të qetë, ndoshta më të plogët, e rritur në bollëk krahasuar me brezat tanë. Por brenda saj ka një zjarr që pret momentin e duhur për t’u ndezur. Një rebelim që nuk kërkon shkatërrim, por ndreqje. Një kërkim të së mirës, të drejtës dhe të ndershmërisë. Dhe në këtë shpresë, unë besoj.

ZOT NA ÇLIRO NGA NJERIU I RI

Shpërndaje