Nga befasitë e dijes së lashtë! 


Përgatiti: Albert Vataj

Gjuhëtari John Justeson dhe arkeologu Justin Lowry zbërthejnë kodin e “rojtarëve të ditës” të kalendarit Maja për parashikimin e eklipseve diellore

Një nga misteret më intriguese të botës së lashtë sapo ka marrë një përgjigje të re. Një tabelë enigmatike brenda Kodit të Dresdenit, manuali i jashtëzakonshëm i astronomëve Maja, që për shekuj u ka sfiduar studiuesve, është zbërthyer nga dy akademikë që bashkuan gjuhësinë me arkeologjinë: John Justeson dhe Justin Lowry.

Qytetërimi Maja, i njohur për shkathtësinë e tij në matematikë, astronomi dhe arkitekturë, ndërtoi sisteme kohore me saktësi të tillë që në disa raste kapërcejnë edhe standardet e kalendarëve modernë. Por shumica e teksteve të tyre u dogj në inkuzicionin e shekullit XVI. I shpëtuar rastësisht, Kodi i Dresdenit, një libër i hollë prej 78 faqesh, i gdhendur në lëvore druri dhe i lyer me ngjyra të ndezura, ka mbetur dëshmia më e prekshme e dijes së tyre.

Ndërfaqja e Maja-ve me qiellin nuk ishte thjesht shkencë: ishte teologji, politikë, rregull shoqëror. Eklipset, të shfaqura si momente frakture mes botës njerëzore dhe asaj hyjnore, kërkonin vigjilencë të jashtëzakonshme. “Nëse mbaje shënime të sakta për atë që ndodhte gjatë ngjarjeve të caktuara qiellore, mund të përgatiteshe për ciklin e ardhshëm”, shpjegon historiania Kimberley Breuer. Për Majat, parashikimi i eklipsit ishte parapërgatitje për të mos lejuar që rendi i botës të dilte nga shinat.

Në kulmin e eklipsit, fisnikëria kryente rituale gjakderdhjeje, duke besuar se sakrifica e tyre furnizonte me energji perëndinë e diellit, në mënyrë që ciklet e krijimit dhe shkatërrimit të mos ndaleshin. Priftërinjtë dhe “rojtarët e ditës”, ekspertët e kalendarit, ishin interpretët e mistereve qiellore, roli i tyre ishte vital, për shkak se shoqëria mbahej mbi ritmin e kozmosit.

Në zemër të Kodit të Dresdenit ndodhet një tabelë e jashtëzakonshme: 405 muaj hënorë, pra 11,960 ditë, të organizuar në mënyrë që t’u jepnin dijetarëve të lashtë mundësinë të parashikonin eklipset për rreth 700 vjet. Por mënyra se si përdorej tabela ka qenë problematike. Studiuesit modernë supozuan për kohë të gjatë se majat e rivendosnin tabelën në fund të ciklit – metoda e parë logjike, por e gabuar, pasi gabimet akumulohej në çdo përsëritje.

Pikërisht këtu vjen zbulimi i Justeson dhe Lowry.

Në studimin e botuar në Science Advances, ata sugjeruan se tabela nuk rivendosej në muajin e 405-të, por shumë më herët, në muajin e 358-të. Ky “ridimensionim” e minimizon devijimin në saktësinë e parashikimit në vetëm 2 orë e 20 minuta, një shkallë precizioni mbresëlënëse për një tekst prej një mijë vitesh.

Herë pas here, për të korrigjuar gabimet e vogla të akumuluara, tabela rivendosej sërish në muajin e 223-të, duke e ruajtur stabilitetin në mënyrë të përhershme. Nëse do ta përkthenim këtë metodë në një sistem modern, do të kishim të bënim me një algoritëm të lashtë afro-matematik, të menduar për të eliminuar gabimin struktural dhe për ta ruajtur funksional për shekuj.

Kur këto rregulla u krahasuan me të dhënat moderne të ciklit të eklipseve, rezultati ishte tronditës: majat mund të parashikonin çdo eklips diellor të dukshëm në territorin e tyre nga viti 350 deri në 1150, një arritje që flet për një inteligjencë të përpunuar shumë më tepër sesa besohej deri tani.

Autorët shënojnë se, falë këtyre rishikimeve, devijimi gjatë 134 viteve ishte më pak se 51 minuta, një precizion që sfidon paragjykimin se astronomia e lashtë ishte thjesht rituale, apo e mbështetur në mit.

Ky zbulim jo vetëm i jehon lavdisë së shkencës Maja, por ndriçon figurën e “rojtarëve të ditës”, njerëz që në heshtje mbartnin mbi supe fatin kozmik të shoqërisë së tyre. Ata ishin ndër të parët në historinë e njerëzimit që kodifikuan lëvizjen e qiellit dhe e lidhën atë ngushtë me jetën shpirtërore, politike dhe morale të qytetërimit të tyre.

Në fund, zbërthimi i tabelës së eklipseve nuk është thjesht një sukses i linguistikës dhe arkeologjisë, por një rikthim i një zëri të harruar, një mënyrë e lashtë e të kuptuarit të universit, që sot del sërish në dritë me saktësinë e një eklipsi të parashikuar.

Shpërndaje