
Nga Isuf Çelaj, Deputet i PD
#Sot në seancën e datës 6 nëntor mazhoranca socialiste me forcën e kartonit dhe duke mos lejuar diskutimet kaloi me shumicë votash 77 vota Pro Projektligjin për “Barazinë gjinore”. Me veprimin e sotëm ata i vendosën kazmën e shkatërrimit të Familjes këtij institucioni të shenjtë për çdo shqiptarë!
#Fjala ime e pregatitur përvtu mbajtur në seancë.
Të nderuar qytetarë!
Qeveria sjell sot për miratim një ligj që në pamje të parë shitet si “ligj për barazinë gjinore”, por në të vërtetë është një sulm ndaj vetë themeleve të shoqërisë sonë, ndaj familjes, biologjisë dhe identitetit njerëzor.
Në vend që qeveria të merret me hallet që kanë sot shqiptarët, me pamundësinë për të mbyllur muajin, për të paguar ilacet, për të rritur fëmijët apo pensionistët për të jetuar me dinjitet, sjell këtë pacavure që minon besimin në Zot dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar shoqëria.
Ky ligj nuk ka të bëjë me barazinë e vërtetë midis burrit dhe gruas. Ai kërkon të fshijë nga ligji dhe nga gjuha jonë fjalët “nënë” dhe “baba”, djalë dhe vajzë. Ky ligj kërkon që të zëvendësojë realitetin biologjik me një ideologji postmarksiste, duke na detyruar të pranojmë se ekzistojnë dhjetëra gjini, ndërkohë që natyra ka krijuar vetëm dy.
Ne, si përfaqësues të opozitës të djathtë në bindje e qëndrime konservatore, nuk mund të pranojmë këtë. Sepse besojmë se familja është themeli i shoqërisë dhe kombit dhe ajo ngrihet mbi dashurinë e një burri dhe të një gruaje që bëhen prindër. Fëmija ka të drejtë të dijë kush është nëna dhe kush është babai i tij. Kjo nuk është çështje paragjykimi, por e drejtë natyrore, biologjike dhe morale.
Presidenti amerikan Trump mbështet barazinë në të drejta dhe mundësi midis grave e burrave, por kundërshton barazimin ideologjik që mohon seksin biologjik dhe rolin tradicional të familjes.
Qëndrimi i tij është: “Të gjithë janë të barabartë në dinjitet, por jo identikë në natyrë!
Ky projektligj që qeveria sjell sot është një tentativë për t’u imponuar shqiptarëve një ideologji që s’ka lidhje me realitetin tonë, me kulturën tonë, me bindjet tona,me konceptin në shekuj të shqipëtarëve për institucionin e Familjes si gjënë më të shënjtë.
Ne si opozitë përsa i takon këtijë projektligji nuk jemi kundër askujt.
Ne respektojmë çdo individ dhe çdo njeri në dinjitetin e tij. Por ne nuk do të lejojmë që, në emër të “barazisë”, të shkatërrohet familja shqiptare.
Ne, si forcë me bindje konservatore, nuk jemi kundër respektimit të dinjitetit dhe të drejtave të çdo qytetari, pavarësisht gjinisë apo statusit të tij. Por jemi kundër imponimit të ideologjive të huaja që, nën petkun e “barazisë”, synojnë të zhbëjnë rolet natyrore, familjen tradicionale dhe vlerat morale mbi të cilat është ndërtuar shoqëria shqiptare.
Kolegët socialisto-progresist që po përpiqen ta shesin këtë projekt si një “detyrim europian”. Na thonë se Bashkimi Europian nuk do të na pranojë pa e miratuar këtë projektligj. Por kjo është një mashtrim politik i pastër.
Europa kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe barazinë përpara ligjit e këto janë vlera që ne shqiptarët i kemi jetuar shumë përpara se të ekzistonte vetë Bashkimi Europian.
Askund BE nuk kërkon nga shtetet anëtare të mohojnë biologjinë, të relativizojnë familjen apo të cenojnë lirinë e besimit dhe të edukimit të fëmijëve.
Ne besojmë në barazinë e dinjitetit mes burrit dhe gruas, por jo në relativizimin e identitetit.
Ne duam një shoqëri ku gruaja respektohet dhe mbrohet, por jo një shoqëri që fshinë dallimet natyrore për të kënaqur një axhendë ideologjike që vjen nga jashtë.
Dhe le ta themi qartë:
Europa duhet të na pranojë në gjirin e saj jo sepse i imitojmë të tjerët, por sepse mbajmë gjallë vlerat dhe virtytet e një populli që ka qenë ndër më të lashtët e këtij kontinenti.
Ne jemi pjesë e Europës jo përmes dorëzimit ndaj modeleve ideologjike okulte por përmes forcës së traditës, familjes dhe besimit tonë moral dhe harmonisë të pashoqe ndërmjet besimeve fetare.
Rruga e vërtetë drejt Europës është: ruajtja e identitetit tonë kombëtar, jo zhdukja e tij.
Ne bazohemi tek vlerat tradicionale, familja, feja dhe identiteti kombëtar dhe jemi kundër këtij projektligji.
Mos e bëni këtë pasi turpi i historisë do tju ndjek në të ardhmen!
Faleminderit!