Libri universitar në udhëkryq!

Nga Prof. Aleko Miho*

Në këtë atmosferë të Librit po sjell në vëmendje të mjedisit shqiptar, të politikës dhe vendimmarrjes një shqetësim jo fort të vogël, atë të librit universitar, i cili vazhdon të jetë në udhëkryq. Ndërkohë, që ritheksoj se arsimi, veçanërisht arsimi i lartë (AL), janë djepi i dijes, faktor kyç për ekonominë dhe mirëqenien, dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

***

Këtë fundjavë bëmë një vizitë relativisht të shpejtë në Panairin e Librit bashkë me nipin dhe mbesën. Them të shpejtë, se nuk donim të ngarkoheshim shumë me blerjet tunduese, që për të vegjlit janë edhe më të mëdha. Kjo si për çmimet e librave, por edhe për hapësirën fizike që librat zënë në shtëpi. Për më tepër që në gjithë këta vite nuk frekuentohet më biblioteka e shkollës, e lagjes, apo e qytetit, për të qarkulluar librin, dhe shpesh librat ngarkojnë gjithnjë e më shumë raftet tona.

Me këtë rast, më vjen shumë mirë që kjo veprimtari tashmë e kthyer në traditë ngjall shumë interes te qytetarët e Tiranës, te rinia, dhe sidomos të vegjlit. Për këtë përgëzoj shumë organizatorët dhe mirënjohje për gjithë përpjekjet autorëve, përkthyesve, botuesve, redaktuesve, shtypshkronjave etj. Interesi për librin ngjall gjithmonë shpresëpër më shumë progres dhe mirëqenie, për më shumë demokraci në vend.

***

Por në këtë atmosferë të librit, dua të trajtoj një shqetësim, atë të librit universitar, që në këta 30-40 vitet e fundit është lënë në heshtje, është harruar nga institucionet përkatëse, dhe jo pak herë është anatemuar dhe përfolur… Edhe vendi që zë libri universitar në panaire ndër vite është thuajse i papërfillshëm.

Pas falimentimit në vitet 1990-të të ShBLU, Shtëpisë Botuese të Librit Universitar, botimi dhe shtypi i librit universitar vazhdon të bëhet në mënyrë të çorganizuar, mbështetur thjesht në nisma vetjake të secilit titullar lënde, shpesh pa rregulla të mirëfillta formatimi, përkthimi, redaktimi shkencor, gjuhësor, pa rregulla në çmim, në magazinim dhe shitje, por dhe pa rregulla në honorar dhe në mbrojtje të të drejtave të secilit autor libri. Kjo anarki e botimit të librit universitar lë shkas edhe për abuzime nga autorët, dhe për përfolje nga studentët dhe nga shoqëria në përgjithësi. Por ajo që është më e keqja, ky është një ushqim i pakontrolluar që u jepet studentëve jo pa pasoja në themelet e dijes shkencore dhe në formimin që ata marrin në universitet.

Sot kemi mbi 40 universitete aktive në vend, publike dhe private, në të cilat zhvillohen rreth 1,400 programe studimi në të gjitha ciklet. Në secilin program studimi zhvillohen të paktën 30 lëndë në ciklin e parë e deri në 20 lëndë në ciklin e dytë. Në secilën lëndë ka nevojë për të paktën 1 tekst mësimor bazë, mundësisht në gjuhën shqipe, dhe jo rrallë edhe për tekste të tjera ndihmëse, për ushtrimet, seminaret, praktikat laboratorike, praktikat në terren etj. Nga një përllogaritje tepër e përafërt, numri i Titujve të teksteve universitare që nevojiten për një zhvillim normal të procesit mësimor mund të kalojë edhe 50,000 në gjithë sistemin e arsimit të lartë në vend. Ky numër mund të jetë edhe më i lartë nëse marrim parasysh tekstet e mirëfilltë shkencorë, monografitë të cilët mbështetin njëkohësisht edhe mësimdhënien në lëndë të caktuara.

Tirazhi i shtypit për secilin nga këta tituj është tepër i kufizuar, pasi vetë tregu studentor është i tillë; sidomos e theksuar kjo në vitet e fundit që numri i studentëve që frekuentojnë shumicën e programeve të studimit ka rënë ndjeshëm. Për mbulimin e një periudhe 10-vjeçare në degët tona biologjike, tirazhi do të luhatej nga 100 kopje për programet me grupe të vogla studentësh, sidomos ata master, e deri në 1000 kopje maksimumi. Kjo e bën shtypin e tyre me një farë çmimi më të lartë; për rrjedhojë edhe përditësimi/rishtypja e tyre nga autorët është tepër e ngadaltë, edhe kjo jo pa pasoja në cilësinë e transmetimit të dijes te studenti. Këtu, këshillë e fortë do ishte TVSH 0 për gjithë tekstet universitare! Pasi vërtetë tekstet në shqip nuk kushtojnë shumë, por TVSH-ja e shtypit prej 20% bën që çmimi në shitje të rritet 20-30% më shumë, pikërisht prej tirazhit të ulët. Këtu as që bëhet fjalë për honorarin e autorit, i cili ka ardhur në vite gjithnjë e më qesharak, duke bërë që shumë nga titullarët e lëndëve bazë në programe studimi të rëndësishëm të heqin dorë nga shkrimi i librit universitar.

Shumëkush e zgjidh këtë me leksione të shkruara që i shpërndan elektronikisht te studentët, të cilët ndonjëherë edhe i shtypin. Në disa raste për lëndë të veçanta mund të këshillohet literaturë në gjuhë të huaj; nuk është aspak keq, sidomos në rastet e diplomave të dyfishta, të cilat po shtohen gjithnjë e më shumë me prirjet e sotme të ndërkombëtarizimit të universiteteve. Në shumë fusha sot është e mundshme të gjesh burime online. Mendoj që krahas anëve pozitive që mund të ketë një burim elektronik, përsëri nuk zëvendëson studimin mbi një tekst mësimor të shtypur, në këndin e qetë të studimit… Kurse zgjidhja me leksione të shkruara nuk do ishte në asnjë rast një zgjidhje e duhur. Edhe gjuha e huaj ende nuk përtypet sa duhet nga një masë jo e vogël studentësh!

Për botimin e librit universitar pati një nismë nga qeveria para pak vitesh në vazhdën e Paktit për Universitetin edhe për përkthime titujsh të teksteve kryesore universitare, por pa ndonjë prurje konkrete! Për librin shkencor, Akademia e Shkencave është i vetmi institucion që boton, me tituj dhe tirazh relativisht të kufizuar, por dhe me kosto relativisht të lartë. Po ashtu ndonjë universitet dhe autor i veçantë mund të botojnë aty këtu vepra të caktuara shkencore. Pavarësisht, këto botime mund të japin ndikim të tërthortë dhe në procesin mësimor në universitete.

Kur është i shkruar mirë sipas gjithë standardeve, në përmbajtje dhe shtyp, teksti universitar origjinal në gjuhën shqipezhvillon shumë më saktë programin e lëndës; mbart në gjithë krerët gjuhën, frymën, dhe këndvështrimin e titullarit të lëndës. Shpesh brenda tekstit secili autor fut shembuj origjinalë nga vendi; si i tillë, libri që flet shqip e transmeton më mirë dijen se një tekst universitar i huaj sado i mirë qoftë, si i përkthyer apo përshtatur. Pa folur pastaj për koston e lartë që kanë tekstet e huaj, si kur blihen online, dhe më shumë kur ata përkthehen apo përshtaten në shqip. Një student i zakonshëm tundohet shumë sot të blejë librin universitar në shqip, dhe me autor vetë përgjegjegjësin e lëndës; edhe pse çmimi mund të shkojë vetëm rreth 10-15 Euro, jo më të blejë një libër në gjuhë të huaj që kushton gati 10-15 herë më shumë. Kujtojmë që studentët janë një shtresë e shoqërisë jo fort e pasur, por dhe tepër e brishtë për qasjen ndaj librit!

Nga sa më sipër, botimi i librit universitar ka nevojë të dalë nga kjo anarki ku është zhytur. Kjo do kërkonte fillimisht rregulla shumë të forta, në të gjithë hallkat, duke filluar që nga njësitë bazë në çdo IAL, deri në një shtëpi botuese të përbashkët të librit universitar. Për këtë, nëpërmjet organizimeve të përbashkëta nevojitet që gjithë IAL-të të mendojnë seriozisht, bashkë dhe me Ministrinë e Arsimit, me Agjencitë për Mbështetjen dhe Akreditimin e IAL-ve (AKKSHI & ASCAL), dhe nga vetë qeveria dhe politikëbërja. Shumë institucione kanë aktivë Këshilla Botues të Buletineve Shkencore. Këta mund të zgjeroheshin dhe merrnin përsipër edhe rregullat për Botimin e Librit Universitar brenda njësive kryesore në IAL, nën vlerësimin, recensimin dhe miratimin paraprak të njësive bazë ku zhvillohet secila lëndë mësimore e veçantë. Për këtë edhe të motivoheshin, pasi shpesh kjo punë nga institucionet bëhet falas!

Krahas rëndësisë së madhe që ka botimi i librit universitar, përsëri ky sektor nuk mund të jetë kurrë fitimprurës, për shkak të tirazhit të ulët të shtypit për një hapësirë relativisht të kufizuar si Shqipëria, ndoshta përfshirë këtu dhe diaspora, me numër gjithnjë e më të pakët studentësh në programe studimi jetikë për ekonominë e vendit. Për këtë ka shumë nevojë për subvencion nga Buxheti i Shtetit, nga donatorë brenda vendit dhe jashtë vendit; nëse vihet re seriozitet dhe përkushtim në sektor mendoj se edhe këta nuk mungojnë.

Motua e këtij shkrimi do ishte që nevojitet shumë dhe në vazhdimësi një tekst mësimor i saktë shkencërisht, i përditësuar, i shkruar thjesht dhe qartë, i shqipëruar mirë, i ilustruar, i formatuar dhe shtypur bukur, por edhe me kosto jo shumë të lartë, për të mundësuar blerjen jashtë çdo lloj tundimi nga studentët. Kjo do ndikonte shumë në fuqizimin e dijes në secilin program studimi dhe në zhvillimin e vendit./Mapo.al

* Profesor në Departamentin e Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: [email protected]

Shpërndaje