Dinjiteti i njeriut | Interpretim i Gjykatës Kushtetuese mbi rregullimin dhe garancinë kushtetuese e ligjore të dinjitetit të njeriut. 

Analizë nga blogu.al

Në Vendimin nr.20 datë 20.04.2021, Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera, është shprehur mbi dinjitetin e njeriut i cili gjenë rregullim si në dispozitat e përgjithshme të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë ashtu dhe në aktet e konventat ndërkombëtare. Në këtë analizë, Gjykata Kushtetuese ka sjellë edhe praktikat gjyqësore të vetëkësaj gjykatë si dhe të jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. 

Më poshtë do të sjellim paragrafet kryesore të prashtruara nga Gjykata mbi dinjitetin e njeriut në çështjen e iniciuar nga Komiteti i Helsinkit ku kërkonte shfuqizimin e disa neneve në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” si dhe të ligjit nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në Kushtetutë dinjiteti i njeriut sanksionohet shprehimisht që në Preambulën e saj ku lexohet: “Ne, populli i Shqipërisë, […] me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor.”. Gjithashtu, ai deklarohet në nenin 3 të Kushtetutës, që gjendet në pjesën e parë të saj, atë tëparimeve themelore, ku përcaktohen bazat që shteti, në përmbushje të detyrave tij, duhet të mbrojë, pra vlerat themelore të shoqërisë demokratike. Sipas këtij neni:“Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.”.

Gjatë diskutimeve për hartimin e Kushtetutës së vitit 1998 është rënë dakord që dinjiteti i njeriut të cilësohet sivlera njerëzore më e lartë, si dhe të vendoset përpara nocioneve të tjera që përbëjnë bazat e shtetit (shih Debati Kushtetues, volumi I, viti 2006, faqja 16).

Nga sa më lart, edhe pse dinjiteti i njeriut nuk përkufizohet në mënyrë specifike në Kushtetutë, roli qendror i tij në rendin juridik sigurohet nga fakti që ai garantohet që në Preambulën e saj, e cila formulon qëllimet e kushtetutëbërësitdhe është shprehje e vullnetit të popullit. Për të njëjtin shkak,në përmbajtjen e nenit 3 të Kushtetutës, kushtetutbërësi e ka renditur “dinjitetin” përpara “të drejtave dhe lirive”, për të theksuar dallimin dhe njëkohësisht lidhjen që ekziston ndërmjet tyre. 

Gjykata në jurisprudencën e saj i është referuar dinjitetit të njeriut kur ka analizuar parimin e shtetit të së drejtës. Ajo ka theksuar se parimi i shtetit të së drejtësnënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike (shih vendimin nr. 16, datë 10.04.2015 të Gjykatës Kushtetuese). Sipas Gjykatës,shteti duhet të marrë të gjitha masat për të mbrojtur dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën, mjedisin, të ndëshkojë çdo përpjekje të paligjshme kundër tyre, si dhe të sigurojë që asnjë person të mos ndiqet dhe dënohet penalisht në mënyrë të padrejtë (shih vendimin nr.14, datë 21.07.2008 të Gjykatës Kushtetuese).

Në instrumentet ndërkombëtare nocioni i dinjitetit tënjeriut parashikohet në Deklaratën Universale të OKB-së tëvitit 1948, sipas së cilës: “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta” (neni 1) në PaktinNdërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të vitit 1976, që shprehen: “Të drejtat e njeriutburojnë nga dinjiteti i brendshëm i tij.”. Gjithashtu, në deklaratën e Vjenës të mbajtur pas Konferencës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut të vitit 1993, përcaktohet se “të gjitha të drejtat e njeriut burojnë nga dinjiteti i njeriut.”.

Dinjiteti i njeriut është trajtuar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe ajo e gjykatave kushtetuese të vendeve të tjera si në gjykimin e çështjeve penale, ashtu edhe në fushën e mosmarrëveshjeve të punës. Në këto raste ai është trajtuar ngushtësisht i lidhur me të drejtat që kanë të bëjnë me qenien njerëzore, si e drejta për jetën, trajtimi njerëzor dhe respektimi i jetës private.

GJEDNJ-ja për herë të parë dinjitetin njerëzor e ka trajtuar në çështjen Tyrer kundër Mbretërisë së Bashkuar në të cilën dënimi trupor, i dhënë si pjesë e një dënimi gjyqësor, u konsiderua në kundërshtim me nenin 3 (ndalimi i torturës)të KEDNJ-së, me arsyetimin se ishte një sulm “saktësisht mbi atë që është një nga qëllimet kryesore të nenit 3, përkatësisht mbrojtja e dinjitetit dhe integritetit fizik të një personi” (shih Tyrer kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 33). Që atëherë, dinjiteti është trajtuar në aspektin e së drejtës për një gjykim të drejtë (shih Bock kundër Gjermanisë, 29 mars 1989, § 48), së drejtës për të mos u ndëshkuar në mungesë të një ndalimi ligjor (shih SW kundër Mbretërisë së Bashkuar,22 nëntor 1995, § 44), ndalimit të torturës (shih Ribitschkundër Austrisë, 4 dhjetor 1995, § 38) dhe së drejtës për jetën private (shih Christine Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar, 11 korrik 2002, §§ 90 – 91). GJEDNJ-ja e ka konsideruar dinjitetin njerëzor si bazën e të gjitha të drejtave të mbrojtura nga KEDNJ-ja, duke u shprehur se “thelbi i vërtetë i Konventës është respekti për dinjitetin njerëzor dhe lirinë e njeriut” (shih Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar,29 korrik 2002, § 65).

Një trajtim i zgjeruar i dinjitetit të njeriut gjendet nëjurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, ku theksohet: “Në ushtrimin e pushtetit të tij ligjvënësi duhet të mbajë parasysh, nga njëra anë, paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor, e cila është vlera më e lartë e rendit kushtetues dhe, nga ana tjetër, parimet kushtetuese, të tilla si parimi i barazisë, shteti i së drejtës dhe shtetit social” (shih çështjen e burgimit të përjetshëm të vitit 1977). Ndërsa, në një rast tjetër, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë është shprehur: “…do të ishte në kundërshtim me dinjitetin njerëzor t’i kërkoje një personi të informonte dhe të regjistroheshin të gjitha aspektet e personalitetit të tij, madje edhe kur një gjë e tillë kryhet në mënyrë anonime në formën e një studimi statistikor. Shteti nuk mund ta trajtojë personin si një objekt që i nënshtrohet një inventari të çdo lloji. Ai nuk ka të drejtë të prekë sferën e privatësisë nëpërmjet një kontrolli në tërësi të çështjeve personale të qytetarëve të tij, por ai duhet ta lërë individin në një hapësirë private, me qëllim zhvillimin e lirë dhe të përgjegjshëm të personalitetit të tij. Brenda kësaj hapësireindividi është zot i vetes së tij. […] Megjithatë jo çdo vlerësim statistikor që kërkon zbulimin e të dhënave personale cenon dinjitetin e individit ose shkel të drejtën e vetëvendosjes në fushat intime të jetës. Si anëtar i shoqërisë çdo person është i detyruar t’i përgjigjet një regjistrimi zyrtar të popullsisë dhe t’u japë përgjigje pyetjeve të caktuara për veten e tij, sepse një informacion i tillë është i domosdoshëm për planifikimin shtetëror” (shih çështjen Microcensus të vitit 1969).

Nisur nga rëndësia që dinjiteti i njeriut ka në Kushtetutë, nga trajtimi i tij në aktet ndërkombëtare, si dhe nëjurisprudencën kushtetuese, Gjykata vlerëson se dinjiteti i njeriut është vlera themelore nga e cila burojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut. Në këtë kuptim dinjiteti përbën njëvlerë unike, bazën e katalogut të të drejtave të njeriut. Dinjiteti ka përparësi absolute dhe qëndron në themel të tërësisë sëvlerave të shprehura nga Kushtetuta. Ai përfaqëson një vlerë kushtetuese të veçantë që ka epërsi ndaj të tjerave, pasi në vetvete përshkon të drejtat e njeriut dhe luan një rol vendimtar në interpretimin e të gjitha parimeve të sistemit juridik dhe rendit kushtetues.

Në vështrim të kësaj analize, Gjykata konstaton se dinjiteti i njeriut duhet trajtuar si vlerë e ndërlidhur me tëdrejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ai duhet të shihet si në aspektin objektiv, ashtu edhe në atë subjektiv. Objektiv, në kuptimin e përcaktimit të një detyrimi pozitiv për shtetin për të siguruar kushtet e nevojshme për respektimin e dinjitetit dhe subjektiv në kuptimin e ndalimit për të bërë ndërhyrje të drejtpërdrejta nga kushdo në liritë themelore të individëve. Nëkëtë kuptim, dinjiteti njerëzor luan një rol të rëndësishëm edhe në përcaktimin e hapësirave të kufizimit të një të drejte kushtetuese nga një akt i ligjvënësit, duke shërbyer si gur themeli për interpretimin e të drejtave kushtetuese.

Shpërndaje