
Punoi: Olti Skrame*
Sipas nenit 137, paragrafi i parë, të Kodit Penal, “vjedhja e energjisë elektrike, ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes, apo në rrjetin elektrik, ose rrjetin telefonik, e kryer me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet”.
Përmes kësaj vepre penale mbrohen marrëdhëniet juridike të vendosura me qëllim sigurimin e mirëpërdorimit dhe mirëfunksionimit të sistemit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike. Gjithashtu, mbrohen marrëdhëniet juridike të vendosura me qëllim sigurimin e mirëpërdorimit dhe mirefunksionimit të sistemit të telefonisë fikse dhe celulare.
Nga ana objektive vepra kryhet në disa forma, e përherë me veprime.
Format që parashikon në mënyrë referuese dispozita janë: I) vjedhja e energjisë elektrike, II) vjedhja e impulseve telefonike, III) dëmtimi i matësit të energjisë elektrike, IV) ndërhyrja e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes së energjisë elektrike, V) ndërhyrja e paligjshme dhe e paautorizuar në rrjetin elektrik, si dhe VI) ndërhyrja e paligjshme dhe e paautorizuar në rrjetin telefonik.
Po nga ana objektive, duhet të ekzistojë lidhja shkakësore materiale dhe juridike, mes veprimeve të autorit dhe pasojës (neni 13 i Kodit Penal).
Subjekti i kësaj vepre, e cila në kuptim të neneve 1 paragrafi i dytë dhe 34 të Kodit Penal, është krim, është i përgjithshëm, ndaj duhet të ketë mbushur moshën 14-vjeçare (neni 12 i Kodit Penal) dhe të jetë i përgjegjshëm (neni 17 i Kodit Penal).
Nga ana subjektive, vepra kryhet vetëm me dashje direkte (neni 15 i Kodit Penal) dhe me qëllim të posaçëm, që sipas nenit 137, paragrafi i parë, të Kodit Penal, është “përfitimi i paligjshëm”.
Sipas paragrafit të dytë, të nenit 137 të Kodit Penal, “kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike, ose të rrjetit të shërbimit telefonik, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”.
Dallimet me paragrafin e parë të po të njëjtit nen, lidhen me anën objektive dhe me subjektin.
Sa i takon anës objektive, vepra do të kualifikohet sipas paragrafit të dytë, të nenit 137 të Kodit Penal, nëse kryhet: I) në bashkëpunim (nenet 25 – 27 dhe 49, shkronja “gj”, të Kodit Penal), II) më shumë se një herë (neni 50, shkronja “h”, i Kodit Penal), III) nga përdorues jofamiljarë të energjisë elektrike, ose IV) nga përdorues jofamiljarë të shërbimit telefonik.
*Autori i këtij punimi është gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Gjithashtu, ai është autor i dy librave në fushën juridike, “Komentari i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë” (në dy vëllime), botuar në vitin 2012 dhe “Manuali i të drejtës ndërkombëtare private të Republikës së Shqipërisë” , botuar në vitin 2022, si dhe i mbi 15 artikujve dhe materialeve juridike, të botuara gjatë periudhës 2009 – 2024.