Amnistia | Qeveria fal detyrimet tatimore e doganore. Zbardhen rastet dhe kriteret e përfitimit. 

Me paketën fiskale 2026 qeveria ka propozuar miratimin nga Kuvendi të një projektligj të ri “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” që parashikon faljen dhe shuarjen e një sërë detyrimesh tatimore e doganore për tatimpaguesit, me qëllim lehtësimin financiar të bizneseve dhe individëve.

Projektligji, i hartuar nga Ministria e Financave dhe dërguar për mendim Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026 dhe do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2026.

Sipas projektligjit, nga zbatimi parashikohet të arkëtohen rreth 3,7 miliardë lekë gjatë vitit 2026. 

Kush përfiton dhe kush përjashtohet

Projektligji përcakton se tatimpaguesit apo subjektet me dënime të formës së prerë për shkelje tatimore apo doganore, ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për këto çështje, nuk do të përfitojnë nga falja.

Ndërkohë, përfitues do të jenë subjektet që kanë detyrime të prapambetura tatimore ose doganore, sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara në projektligj.

Fshirja e detyrimeve deri në vitin 2014

Në relacionin e projektligjit përcaktohet se për të gjitha detyrimet tatimore direkte apo indirekte të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë e tyre, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këto të fundit do të fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, por jo kontributet.

Po ashtu, në rastet kur është paguar principali, falja do të përfshijë edhe gjobat dhe kamatëvonesat.

“Neni 5, parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore direkte apo indirekte të papaguara që i përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2014, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këto të fundit, parashikohet fshirja ose shuarja e dënimeve administrative dhe kamatëvonesave për periudhat deri më 31 dhjetor 2014, duke përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin. Po ashtu, ky nen parashikon faljen e gjobave dhe kamatëvonesave në rastet kur është paguar principali”, sqarohet në relacion.

Lehtësime për periudhën 2015–2019

Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme:

nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet;

ose, nëse paguajnë 75% deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Detyrimet e krijuara nga 2020–2024

Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026.

E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfshirë vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit të përcaktuar.

Projektligji përcakton se shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi me kushtin që të paguhet 100% kontributi, brenda datës 31.12.2026./Marrë me shkurtime nga Monitor.al

Shpërndaje