Po mo po, jo me 101 po me 81 deputetë duhet të jetë Parlamenti tjetër.
Nuk është çështje inati. As kungulleshkash. Është thjesht llogjikë e bazuar në fotografi të shëmtuara që prodhon parlamenti gjasme disa partish, kur në fakt vota marrin vetëm dy parti.
Çdo parti e tretë; e katërt; e pestë a ku e di se sa është e tepërt. Parazitë politikë janë që si kanë hyrë e as i hyjnë në punë askujt. Padyshim edhe të mëdhatë prodhojnë deputetë parazitë. Ndaj reduktimi i numrit të deputetëve mund të ishte “insekticidi” i duhur.
Në fund të ditës të gjithë i kërkojnë hesap të mëdhenjve edhe për megallomanitë e të vegjëlve. Atëherë për çfarë duhen të vegjlit? Ose më saktë këta të vegjël, që lindin e shuhen si të tillë, si të vegjël pra.
Të vegjlit thonë ” Partisë së madhe votën ja duam, por ne nuk jemi me të”…
Ky është kulmi i pengmarrjes!!!
I vogli ka interesa të vogla. Mjaftohet me një pengmarrje të çastit sa për të siguruar kotheren e radhës. Qëftë dhe një lajm në televizor. I vogli nuk ka mundësi të mendojë për të madhen. Nuk ja rrok as truri e as ja mban stomaku.
Ndaj sistemi politik duhet të kthehet në 2 partiak, një orë e më parë.
Reduktimi i numrit të deputetëve, përveç se është reflektim rënies i numrit të popullsisë, duhet të sjellë edhe rënien e partiçkave që bubrrojnë kot me vota qorre, ashtu sikurse edhe deputetët e të mëdhave që s”u ndihet zëri i gojës.
Mendoj se më shumë sesa PS do ti interesonte PD kjo reformë, pra reforma 101. Nuk ka asnjë kuptim zhgarravitja deri në pengmarrje të një partie të madhe, sado me probleme të jetë, ndaj disa të voglave që do vdesin të vogla.
Dhe jo 101, por 81 mandate duhet të ketë parlamenti.
Aq, boll i kemi. Na dalin e na teprojnë.
Nuk dëmtohet demokracia nga bipartizmi, por nga spekulimi me përfaqësimin. Ky i fundit është problemi që duhet zgjidhur.
Nuk shkon kjo që bishti na qenka më i rëndë se spepari. Sado i lodhur të jetë ky i fundit, prap ka peshën e speparit.
Po të doni hajdeni të bëjmë edhe një Senat. Por numri i parlamentarëve duhet reduktuar.
*****
Marr shkas nga disa debate online me miq të mi, të cilat lindën pas qëndrimit që mbajta mbrëmë në Now te Erla Mehilli.