Pak leksione Kushtetuese në pika për “shkencëtarët” e vetshpallur që s’kanë shkruar kurrë dy rreshta doktrinë kushtetuese. Nga Jordan Daci

Karakteristikë e akteve individuale ose zbatuese është fakti që nuk përcaktojnë norma të përgjithshme ose abstrakte sjellje dhe rrjedhimisht nuk kanë as hipoteze, nuk vlejnë për gjithë territorin e një vendi apo për një pjesë të tij, pra nuk kanë bazë veprimi të lidhur me një hapësirë të caktuar, sjellin pasoja vetëm për një subjekt ose një grup saktësisht të përcaktuar subjektesh, si dhe në çdo rast janë akte të prejardhura nga aktet ligjore të cilat thjesht zbatojnë normat e tjera më karakter më të lartë në hierarkinë e normave juridike. Nga ana tjetër, akte juridike bazë në thelb janë ato që njihen si burimet themelore ose parësore të së drejtës ku vendin kryesorë e zë kryenorma bazë ose “Norma Themelore” sipas Hans Kelsen dhe më pas ndiqet nga normat e së Drejtës Ndërkombëtare, ligjet e miratuara me shumicë të cilësuar dhe ligjet e zakonshme dhe që pasohen me aktet normave të qeverisë të cilat kur miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve, barazohen me ligjet e zakonshme. Megjithatë, si pasojë e zhvillimit të së drejtës dhe në kuadër të një lloj decentralizimi të procesit ligjvënës nëpërmjet delegimit të kësaj kompetence nga ligjvënësi tek Qeveria; aktet e përgjithshme për nga natyra e marrëdhënieve që rregullojnë ose pasja e një hipoteze që është vazhdimësi e hipotezës së normës juridike nga e cila autorizohet nxjerrja e tyre, natyra e përgjithshme e rregullit të sjelljes ose dispozicionit të normave, si dhe rrethi i subjekteve që ato ju drejtohen, klasifikohen si akte normave të prejardhura edhe aktet Normative të Këshillit të Ministrave. Në këtë kategori futen edhe aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor që kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto organe dhe aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të tyre.[1] Pra ligji dhe aktet normative parashikojnë rregulla sjellje me ndikim të përgjithshëm tek shoqëria dhe nuk kufizohen me një rast ose një rreth të caktuar personash dhe as për një çështje me karakter individual.[2] Pra si rregull, akti juridik individual duhet të jetë i prejardhur nga një ligj dhe nuk mund të jetë akt bazë, por përjashtimisht ka raste kur akte që burojnë drejtpërdrejtë nga Kushtetuta marrin karakter individual edhe pse nuk janë të prejardhura nga një ligj. Të tilla janë disa dekrete të Presidentit të Republikës si dekretet e emërimeve ose shkarkimeve të ndryshme që ai bën, dekretet për dhënie dekoratash, për dhënien e faljes, për dhënien e shtetësisë etj.

Është e qartë që nuk mund të jenë akte administrative,  aktet normative të Presidentit të Republikës, sikurse janë dekretet për: 1. Lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare; 2. Dekretet për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, për pushtetin vendor dhe për zhvillimin e referendumeve. 3. Dekrete të tjera që mund të burojnë nga ndonjë ligj i posaçëm (aktualisht nuk ka ndonjë të tillë). Natyra e këtyre akteve buron midis të tjerash nga fakti që këto dekrete janë “në kuadër të punë qeverisë (udhëheqëse) ose qeverisjes apo i vendimeve themelore me të cilat caktohen politikat themelore dhe jo në kuadër të punës administrative ose veprimtarisë administrative”[1], si dhe funksionet i Presidentit të Republikës si Kryetar shtetit sikurse janë: “Funksioni simbolik i cili përligj ndërhyrjen e tij në fushat në të cilat, në parim, kompetencat e tij janë formale; funksioni si garant i institucioneve të vendit nëpërmjet sigurimit të respektimit të Kushtetutës, ligjeve të tjera dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; funksioni; Funksioni si arbitër.”[2] Presidenti i Republikës është një faktor ekuilibri në jetën e vendit.

Në morinë e akteve normative të Presidentit të Republikës janë: 1. Lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare; 2. Dekretet për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, për pushtetin vendor dhe për zhvillimin e referendumeve. 3. Dekrete të tjera që mund të burojnë nga ndonjë ligj i posaçëm (aktualisht nuk ka ndonjë të tillë). Këto akte janë normative ose të përgjithshme sepse:

1).    Kanë një hipotezë të tyren origjinale dhe jo të prejardhur nga norma të tjera juridike më të larta.

2)    Hipoteza e tyre rregullon një grup marrëdhënies të përgjithshme jo të posaçme.

3)    Përcaktojnë rregulla përpara lindjes së një konflikti ose ju referohen një numri faktesh hipotetike. 

4)    Nuk janë norma të prejardhura, por norma bazë. Pra nuk zbatojnë norma të tjera ligjore, por vetëm normë parësorë ose norma bazë kushtetuese. Pra nuk janë akte nënligjore.

5)    Përcaktojnë norma sjellje të përgjithshme që vlejnë për gjithë subjektet e së drejtës dhe jo për një grup të caktuar individësh.

6)    Vlejnë për gjithë territorin vendit ose për një territor të caktuar të lidhur me një zonë zgjedhore të caktuar në rastin e zgjedhjeve ose referendumeve vendore. 

7)    Janë rezultat dhe shprehje e drejtimit politik.[1]

 Këtë qëndrim mbanë edhe akademik Luan OMARI kur thotë: “Mendojmë se akti për lidhjen e një marrëveshje ndërkombëtare, ashtu edhe dekretet për caktimin e datës së zgjedhjeve janë akte normative, përderisa ato përcaktojnë të drejta dhe detyra për organe të ndryshme shtetërore. Por sidoqoftë, këto akte nuk i nënshtrohen miratimit të Kuvendit”.[2]

Sigurisht dekreti për caktimin e zgjedhjeve ose referendumeve si dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Kryetarëve të Bashkive burojnë drejtpërdrejtë nga Kushtetuta dhe nuk kanë karakter administrativ dhe as nënligjor, por karakter të pastër kushtetues. Ideja që i vesh këtyre akteve natyre nënligjore është tërësisht e gabuar, pasi asnjë ligj nuk autorizon nxjerrjen e këtyre akteve dhe as nuk përcakton parimet e nxjerrjes së tyre sikurse parashikojnë nenet 118 dhe 119 të i Kushtetutës.

Pra në rastin tonë, jemi para akteve që janë shprehje e drejtimit politik, të cilët rregullojnë disa marrëdhënie të përgjithshme për gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave në këtë rast ushtrojnë veprimtari kushtetuese dhe vetë kjo e drejtë buron drejtpërdrejtë nga Norma Kushtetuese ose norma themelore dhe nuk është një akt i prejardhur ose nënligjor.

Shpërndaje