
Nga Aulon Kalaja
Sot dorëzova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e Kodit Zgjedhor në nenet që nuk legjitimojnë kandidatët për t’u ankuar kundër procesit zgjedhor. Si dhe shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor që nuk më legjitimoi për të hapur kutitë dhe për të rinumëruar votat në Qarkun e Durrësit.
Dua të sjell në vëmëndje Kodin e Sjelljes së Mirë në Zgjedhje, në Këshillin e Europës, shkruar nga Komisioni i Venecias, që përcakton se:
Çdo subjekt politik, kandidat dhe zgjedhës duhet të ketë të drejtë që për çdo kontestim zgjedhor t’i drejtohet organeve administrative dhe gjyqësore zgjedhore.
Gjithashtu, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, ne nenin 3, protokolli 1, parashikon:
Deryrimin e shtetit për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Gjykata e Strasburgut që nga viti 2009 e deri më sot, është shprehur se për të garanatuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, shteti ka detyrimin qe t’i japë të drejtë ankimi administrativ dhe gjyqësor, çdo kandidati në zgjedhje, për çdo shkelje të ligjit elektoral.
Ndërkohë çfarë ndodh me Shqipërinë?!
Kodi zgjedhor i Republikës tonë në nenin 124/1 kur i drejtohemi Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ dhe neni 145/1 kur i drejtohemi Kolegjit Zgjedhor, ia ndalon kandidatit që është në listat shumëemërore preferenciale partiake të ushtrojë ankim, sepse këtë të drejtë ia njeh vetëm partisë.
Kushtetetuta e Republikës së Shqipërisë na garanton të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, pasi mbushim 18-vjeç. Po ashtu na garanton të drejtën për mbrojtjen e çdo të drejte që na shkelet, duke iu drejtuar gjykatës për një proces të rregullt ligjor.
Kur une kam bere gjyqin ne Kolegj Zgjedhor, ky i fundit vendosi te mos më legjitimojë dhe u votua 4-1 kundër meje.
4 gjyqtar të Kolegjit Zgjedhor tek padia ime duke refuzuar të zbatojnë standartet e Komisionit të Venecias, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, praktikën e Gjykatës së Strasburgut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, vendosën në mënyrë skandaloze dhe primitive, të zbatojnë Kodin Zgjedhor. Ndërkohë gjyqtarja e pestë, që doli në pakicë, ka kontestuar qendrimin e 4 kolegëve të saj, duke ia sjellë ne vëmëndje sa me siper, në vendimin e arsyetuar.
Në Gjykatë Kushtetuese shkova pasi ezaurova çdo mejt ligjor administrativ dhe gjyqësor, për votën e lirë, si fjalë e dhënë ndaj qytetarëve që më besuan, gjënë më të shenjtë, votën, pra besimin e tyre. Shkova për të zgjidhur padrejtësinë që më është bërë nga qendra e votimit, KZAZ, KAS, Kolegj Zgjedhor. Shkova për të marë vesh një herë e mirë se sa vota kam marë, pasi një herë me thanë se kisha marë 8120 vota dhe pastaj më thanë se kisha marë 8135 vota. Ndërsa unë nuk jam i bindur, pasi kam parë videot që kam marë në KQZ.
Por mbi të gjitha shkova në Gjykatën Kushtetuese për padrejtësinë që i kanë bërë shqiptarëve me këtë Kod Zgjedhor, që duhet hedhur në koshin e mbeturinave të historisë. Çdo kandidat në zgjedhjet e ardhshme duhet t’a ketë të drejtën e ankimimit për procesin zgjedhor, një të drejtë legjitime që unë nuk e kisha!
Së fundmi, do jetë në nderin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë të vendosë të drejtën në vend. Por edhe nëse ata nuk vendosin drejtësi, unë do i drejtohem Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, (Gjykata e Strasburgut), ku kam për të fituar, jo për vete, por për Shqipërinë.