“Dilema mbi Kodin e ri Penal” | Gjyqtari Kalaja: Ka nevojë për maturi, gjithëpërshirje dhe objektivitet. Kodi Penal është vokacion popullor dhe nuk mund të personalizohet. 

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Florjan Kalaja, ka bërë një analizë të thelluar mbi draftin e Kodit të ri Penal si dhe ka shprehur rezerva mbi mënyrën e hartimit dhe promovimit që po i bëhet prej muajsh. 

Në këtë analizë, të titulluar “Dilema mbi Kodin e ri Penal”, ai denoncon mungesën e transparencës dhe përjashtimin e zërave profesionistë nga procesi, duke e cilësuar atë si një “fakt të kryer” të imponuar me turravrap institucional.

Kalaja ngre shqetësimin se procesi 6-vjeçar i hartimit është zhvilluar në heshtje dhe pa përfshirje të vërtetë të gjyqtarëve, prokurorëve, akademikëve apo shoqërisë civile. Ai thekson se një ligj me rëndësi kaq të madhe, që prek të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, nuk mund të miratohet pa debat të thelluar dhe analizë të strukturuar.

Gjyqtari Kalaja nuk pajtohet me mënyrën se si janë organizuar tryezat konsultuese të cilat sipas tij janë thjesht fasadë për të legjitimuar një dokument të përfunduar. Ai propozon ngritjen e një grupi të pavarur oponence që të shqyrtojë projektin në mënyrë të thelluar dhe gjithëpërfshirëse, si dhe shtyrjen e afatit të debatit publik deri në vitin 2026. 

Analiza e plotë

Në miratimin e Kodit Penal të Mbretërisë së Spanjës, në vitin 1995, Mbreti Juan Karlos I ndër të tjera e quajti Kodin Penal “Kushtetuta Negative” e një vendi, duke përcjellë sakaq nën këtë emërtim – fjalëpak por kumtplotë – rëndësinë themelore të këtij ligji në një shoqëri dhe shtet.

Legjislatori shqiptar, që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1912 e deri më sot, që do të thotë në një periudhë prej 113-vjeçare ka miratuar katër Kode Penale, konkretisht atë të vitit 1928, i cili ka pasur 561 nene; atë të vitit 1952, i cili ka pasur 342 nene; atë të vitit 1977, i cili ka pasur 248 nene; dhe Kodin Penal të vitit 1995, i cili është në fuqi dhe që fillimisht ka pasur 334 nene, por me ndryshimet deri e bëra deri në vitin 2021 rezulton të ketë 587 nene (ndër to, 84 nene pjesa e përgjithshme dhe 503 nene pjesa e posaçme).

Në fundkorrikun e vitit 2025, për herë të parë publikisht dhe zyrtarisht prezantohet fakti i kryer se legjislatorit shqiptar është gati t’i serviret për miratim një Kod Penal i ri, i cili përmban 952 nene dhe se në këtë mënyrë ai rezulton të jetë i pesti në radhën e tyre, ose më saktë në tentativë për t’u bërë i tillë. Sikurse mund të konstatohet, Kodi i ri Penal premton të ketë 365 nene më shumë se sa Kodi Penal në fuqi dhe të jetë ligji penal me më shumë dispozita në historinë e shtetit shqiptar. Më datë 25 korrik 2025, nën një mbledhje me krerë institucionesh më të lartë të drejtësisë në vend, ku më së shumti pjesëmarrja e tyre ishte dekor dhe jo autorë të kësaj sipërmarrjeje të rëndësishme shtetformuese, iu bë me dije opinionit publik se puna për hartimin e tij ka nisur që më 2019, se ka pasur një grup pune për hartimin e tij dhe se, krejt papritur, pas 6 vitesh anonimitet dhe shurdhëri debati juridik mbi këtë sipërmarrje, nis aksioni publik për të përmbyllur miratimin e një fakti tashmë të kryer.

Në këtë mbledhje krerësh të lartë, paneli kryesor në secilën fjalë të mbajtur me entuziazëm ftuan publikun që të kontribuojë me sugjerimet dhe komentet, duke dashur që në fund të miratohet një ligj penal kuadër sa më i gjithëpranuar.

Ndërkohë, Drafti i Kodit Penal u publikua edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, duke u ftuar cilido që të dorëzonte komente, analiza apo shkrime juridike. Sakaq, në faqen zyrtare të internetit të Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike me datë 27.08.2025 u publikua drafti i Kodit Penal dhe relacioni shoqërues. Pa e lexuar asnjë nga këto akte në përmbajtje, më bëri përshtypje se drafti i Kodit Penal është 335 faqe dhe relacioni shpjegues i tij është 161 faqe.

Më tej llogarita se më pret një punë për të lexuar, kuptuar, hulumtuar dhe vlerësuar në gjithsej gati 500 faqe material. Ndërkohë në fundin e relacionit pasqyrohet se me datë 06.02.2023 pranë ministrit të Drejtësisë është ngritur grupi i punës me ekspertë të pavarur për rishikimin e projektligjit të Kodit të ri Penal i përbërë nga gjyqtarë, prokurorë dhe pedagogë të së drejtës penale. Nuk kuptohet qartë dhe nuk shpjegohet pa ekuivok nëse grupi i punës është krijuar që nga viti 2019, apo rishtazi në vitin 2023; nëse ka pasur dy grupe pune; nëse ka pasur një grup pune, pikërisht ky i ngritur me urdhrin e ministrit të Drejtësisë me datë 06.02.2023 dhe, nëse është kështu, cili person ka punuar nga viti 2019 e deri në vitin 2023 draftin; çfarë ka bërë tjetër veç miratimit grupi i punës i vitit 2023 dhe me radhë pyetje të tjera të kësisojshme që lindin natyrshëm në këto gjysmësqarime të mjegullta.

Pra, 6 ditë para fillimit të muajit të pushimeve të zakonshme rezulton se u vendos nga Ministria e Drejtësisë që të bëhej publik një sipërmarrje kaq e rëndësishme legjislative shtetformuese, e cila kishte 6 vite që po formësohej, në grupe pune apo/dhe qoftë edhe individualisht.

Sikurse afërmendsh mund të kuptohet, për 31 ditë të gushtit nuk pati njeri kohë, mundësi dhe dëshirë të merret me draftin e Kodit Penal para pushimeve aq të mezipritura gjatë gjithë vitit. Më tej, ministri i Drejtësisë, më datë 4 shtator, bëri me dije publikisht se, deri në fundin e vitit 2025, ishin planifikuar të realizohen 25 tryeza konsultimi publik, që do të thotë se “Kushtetuta Negative” e vendit, me 952 nene, me 335 faqe përplot me rregulla juridike penale dhe 161 faqe relacion të tij, do të mjaftonin për qeverinë që të konsultoheshin publikisht në hapësirën Shtator – Dhjetor 2025. Kjo do të thotë se Ministria e Drejtësisë ka planifikuar që, për një punë përgatitore që ka marrë 6 vjet apo 72 muaj në hartimin e Kodit të Ri Penal, të lihet si mundësi vlerësimi dhe sugjerimi për opinionin publik një hapësirë kohore prej katër muajsh, përfshirë këtu fundjavat, ditët e pushimeve dhe orët e punës apo angazhimeve sociale apo familjare që ka gjatë çdo dite komuniteti i juristëve praktikantë të së drejtës.

REKLAMA FASADË E FAKTIT TË KRYER

Nga ana tjetër, deri më sot më rezulton se në cilësinë e gjyqtarit kam marrë zyrtarisht vetëm një ftesë për të qenë pjesë e dekorit formal të tryezave të konsultimit publik tashmë të shndërruara në rutinë. Sikurse e kuptova nga agjenda në përmbajtjen e saj, ishte planifikuar që kjo tryezë të zgjaste një orë dhe se në plot 60 minuta do të konsultoheshin publikisht 952 dispozita penale.

Sigurisht që nuk mund të pranoja të isha dekor formal dhe nuk mund të merrja pjesë në këtë tryezë konsultimi publik të planifikuar vetëm për të mbushur statistikat, që do të duhet të relatohen se janë realizuar më vonë, kur ky draft të dërgohet në Kuvend. Në “email”-in e dërguar pata mundësi të shoh edhe kalendarin e atyre 25 tryezave të konsultimit publik, që kisha dëgjuar më parë ministrin e Drejtësisë se ishin projektuar për t’u zhvilluar në pjesën e mbetur katërmujore të vitit 2025. Me keqardhje konstatova se në secilën prej tyre ishte planifikuar të bëhej pak a shumë e njëjta gjë, që do të thotë të diskutoheshin në plot 60 minuta 952 dispozita penale.

Nga ky moment kuptova se nuk ka qenë e paqëllimshme edhe zgjedhja e datës 25 korrik si ditë prezantimi publik të draftit të Kodit Penal, pavarësisht përdorimit të dekorit me krerët e drejtësisë për ta pompozuar prezantimin. Gjithçka në këtë planifikim kalendari të konsultimit publik ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që të ishte fasadë apo thënë ndryshe një fushatë reklamash mbi faktin e kryer të draftit të Kodit Penal. Në këtë mënyrë vendosa që të mos ndaj asgjë me grupin e punës apo me Ministrinë e Drejtësisë, por të nis një fushatë personale të ndërgjegjësimit të opinionit publik për atë që po ndodh me reklamën fasadë të faktit të kryer. Konstatoj se e gjithë kjo fushatë, e ashtuquajtur konsultimi publik, përshkohet fund e krye nga një mungesë sinqeriteti dhe konstruktiviteti të theksuar për gjithëpërfshirje në debatin juridik të projektit.

Por, më duhet të sqarohem se nuk mund të bëj pjesë edhe në radhët e atyre juristëve që e mohojnë apriori nevojën e një Kodi të ri Penal. Sikurse nuk mund të kem asgjë të përbashkët me ato që e linçojnë draftin e Kodit Penal pa u njohur me të apo me të dëgjuar nëpër të. Më duhet ta ndaj faktin se jam në proces njohjeje me këtë projekt të publikuar në fundkorrikun e këtij viti.

Por afërmendsh, sikurse mund të kuptohet për secilin jurist të angazhuar në vend, më rezulton se koha në dispozicion është mjaft e kufizuar, duke pasur parasysh se secili prej nesh ka angazhime familjare, sociale dhe të punës së përditshme. Ndaj është iluzore dhe vetëm teorike të mendosh se konsultimi publik i një pune të vetëshpallur 72-mujore të arrihet të asimilohet, hulumtohet, analizohet dhe kontribuohet për vetëm katër muaj. Gjithashtu, më duhet të ndaj se, nga puna hulumtuese e realizuar deri më tani mbi draftin e paraqitur, vlerësoj se ka një përpjekje serioze dhe një punë fillestare konkrete nga ku mund të niset debati publik shumëdimensional për draftin final të Kodit të Ri Penal.

Sikurse konstatoj dhe do përpiqem ta paraqes në secilin shkrim vijues të rubrikës së nisur tashmë, të titulluar “Dilema mbi Kodin e Ri Penal”, projekti ka shumë problematika koherence, proporcionaliteti, barazie para ligjit, ndërlikimi dhe papërshtatshmëri gjuhësore, konceptualiteti, pajtueshmërie me Kushtetutën, teknike legjislative, harmonizimi me ligjet e tjera dhe plot problematika të tjera, për zgjidhjen e të cilave do të duhet kohë, angazhim publik dhe profesional. Për rrjedhojë, më duhet që të sjell në vëmendje të Ministrisë së Drejtësisë se strategjia e planifikuar e konsultimit publik të këtij drafti duhet të ndryshojë tërësisht, duke hequr dorë nga tryezat e planifikuara dhe të konceptuara në këtë mënyrë, sipas këtij formati dhe në këtë shtrirje kohore.

ZGJATJA E FAZËS SË DEBATIT PUBLIK

Vlerësoj se nuk ka asnjë urgjencë që brenda vitit 2025 apo edhe 2026 të përmbyllet faza e debatit publik dhe se nuk ka pse të ketë asnjë turravrap për ta paraqitur draftin me se s’bën për miratim në Kuvend. Nëse ka urgjenca të tilla për prezantimin në ligj të disa veprave penale të reja, që me të drejtë janë prezantuar në draft, atëherë mazhoranca në Kuvend i ka numrat dhe mekanizmat për amendimin e Kodit Penal në fuqi. Kjo vlen edhe për disa nga konceptet e reja të prezantuara në pjesën e përgjithshme të draftit. Por nuk ka asnjë arsye për turravrapin e miratimit të të gjithë draftit nën kushtet e shurdhërisë dhe verbërisë së debatit juridik mbi të. Më shumë se sa për nxitim, puna për hartimin e Kodit të Ri Penal ka nevojë për maturi, gjithëpërshirje dhe objektivitet. Kodi Penal, sikurse çdo ligj i republikës, është vokacion popullor dhe nuk mund të personalizohet, të mos diskutohet, të mos reflektohet dhe të serviret dhe miratohet si fakt i kryer.

Gjithashtu, vlerësoj se ka edhe një qasje të gabuar të Kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, në pjesën që miratimi i Kodit të Ri Penal kushtëzohet vetëm me dhënien e një opinioni pozitiv ndaj tij nga ana e Bashkimit Europian. Sigurisht që e thënë kështu nuk ka asgjë që në dukje të mos dakordësohesh, duke pasur parasysh se BE është destinacioni natyral dhe strategjik i pandrysheshëm i së ardhmes së Shqipërisë. Por ky organizëm standard është teorik dhe ideal përkundrejt ekspertizës burokrate konkrete, që afërmendsh kuptohet se do të merret dhe do të trajtojë ftesën e ekzekutivit shqiptar për të shqyrtuar përputhjen e draftit me standardet normative të BE, që, duke pasur parasysh edhe eksperiencën time në procese analoge, sërish ekspertë të kontraktuar shqiptarë prej zyrave burokrate të BE në Shqipëri do ta bëjnë punën në fund të ditës.

Për rrjedhojë, vlerësoj se kjo ekspertizë duhet të jetë vetëm një nga të shumtat që duhet të përftohet në procesin e hartimit të draftit të Kodit të ri Penal, por jo si i vetmi kusht që e bën atë të miratueshëm apo jo në Kuvend. Për rrjedhojë vlerësoj se është e domosdoshme që ekzekutivi shqiptar të maturohet dhe të  vetëpërmbahet në mënyrën se si e artikulon publikisht rrugëtimin kushtëzues të miratimit të draftit të Kodit të ri Penal. Konstatoj me habi se në relacionin e hartuar ka më pak shpjegime se sa ka normë që merret përsipër të interpretohet. Ky fakt është paradoksal, pasi nuk mund të ketë komentar më fjalëpak se sa ligji dhe ligj më fjalëshumë se komentari. Në të nuk sqarohet se cili është modeli që është marrë në konsideratë për hartimin e një norme të caktuar dhe aq më pak nuk sqarohet se cili Kod Penal europian është konsultuar për hartimin e këtij projekti të hartuar në një punë të vetëshpallur 6-vjeçare.

Teksti i draftit të Kodit të ri Penal nuk ndjek traditën legjislative të vendosur tashmë prej më shumë se një dekade, për të treguar me referenca konkrete se cilat direktiva të BE-së janë zbatuar. Gjatë punës hulumtuese dhe krahasuese, që po më duhet të bëj gjatë kësaj periudhe, arrij të identifikoj se nga janë marrë shumë nga dispozitat e paraqitura si rishtare në këtë projekt, por se kjo detyrë nuk duhet t’i ngarkohet publikut. Hartuesit e këtij projekti kanë detyrimin publik dhe profesional të llogaridhënies, konkretisht që të tregojnë secilin prej këtyre modeleve të ndjekura në mënyrë të përditësuar dhe gjatë gjithë vazhdës së rregullimeve normative të draftit. Nuk mund të pretendohet origjinalizëm në hartimin e ligjit në kushtet kur në këtë drejtim duhet të përzgjidhen modelet më të mira, që eksperienca e vendeve të zhvilluara europiane ka treguar deri më tani.

Në tekstin e relacionit, në secilën pjesë të veprave penale të përfshira në krerë të ndryshëm, renditen direktivat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të zbatuara, por se renditja dhe tregimi i tyre nuk është konkrete dhe me thelb shpjegues për secilën dispozitë por thjeshtë një paraqitje listuese e tyre e tipit statistikor dhe tërësisht formale, gjë që e bën të parrokshëm dhe të paasimilueshëm relacionin prej 161 faqesh e jo më draftin e Kodit Penal prej 335 faqesh dhe 952 nenesh. Relacioni i projektit nuk pasqyron në asnjë pjesë të tij se cilat ligje do të preken dhe cilat do të jenë ndryshimet ligjore që duhet të realizohen në korpusin legjislativ në fuqi edhe pse dispozitë pas dispozite të projektit kuptohet se ky draft dikton ndryshime në një sërë ligjesh.

ME PASOJA SHUMË TË MËDHA

Ndër to edhe në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili hyri në fuqi në vitin 2017 apo vetëm 8 vjet më parë. Eksperienca e ngjashme me hartimin dhe hyrjen në fuqi të këtij Kodi po tregon dita-ditës në praktikën gjyqësore se, mungesa e maturisë së procesit të hartimit, oponencës dhe e konsultimit publik, e lidhur dhe e pasuar me mungesën e debatit efektiv parlamentar në miratimin e tij, kanë bërë që për vite, që numërohen me gishtat e duarve, të konkludohet se korpuse të tilla legjislative, që duhet të premtojnë qëndrueshmëri dhe sistematicitet të rendit juridik, janë bërë shkel-e-shko dhe se duhet të ribëhen. Kjo është kronika që paralajmërohet se do të ndodhë edhe me këtë sipërmarrje të radhës legjislative, por me pasoja shumë më të mëdha dhe më të rënda.

Me keqardhje konstatoj se relacioni i hartuar nuk ndihmon aspak në qartësimin apo kuptimin e asaj që paralelisht po hulumtoj mbi rregullimet e draftit të Kodit të Ri Penal. Nga ana tjetër, konstatoj se as nga Ministria e Drejtësisë dhe as nga Kuvendi deri më tani nuk është ngritur një grup oponence për draftin e Kodit të ri Penal. Vlerësoj që është e nevojshme dhe e domosdoshme që, sikurse pranohet se ka pasur një apo dy grupe profesioniste pune për hartimin e draftit, të ketë të paktën edhe një grup profesionist oponence, që të shqyrtojë imtësisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse draftin.

Kjo kundërmasë ndaj një fakti të kryer është thelbësore për maturinë dhe pjekurinë e një sipërmarrje të tillë shtetformuese legjislative, pasi do ta bënte debatin publik të miratimit të Kodit të ri Penal kontradiktor dhe se nga kjo dialektikë e shëndetshme e debatit do të mund të iluminohej opinioni publik dhe secili nga deputetët që u duhet të votojë këtë korpus jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe voluminoz të së drejtës. Nën këtë realitet të pamjaftueshëm masash paraprake dhe kohe fakti që më tremb, habit dhe trishton më shumë është papjekuria dhe mosvetëpërmbajtja e grupit/ve të punës dhe Ministrisë së Drejtësisë e artikuluar në nenin 952 të draftit të Kodit Penal, rregull i cili në ligjëratë të drejtë është formuluar si vijon: “Ky Kod hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”.

Edhe pse dua të vetëpërmbahem në dhënien e konsideratave, nuk mund të mos e quaj të marrëzishme këtë turravrap për ta bërë realitet normativ Kodin e ri Penal. Domethënë 952 nene të prezantuara rishtazi në 25 korrik 2025, të konsultuara publikisht vetëm për statistikë dhe tërësisht në mënyrë formale për katër muaj, do të duhet të hyjnë në fuqi vetëm pas 15 ditësh pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare. Më duhet të ndaj faktin që nuk po më dalin gati dy muaj për ta ezauruar gjithë projektin e Kodit Penal dhe jo të pritet që 15 ditë të jenë të mjaftueshme për gjyqtarët, prokurorët, avokatët, oficerët e Policisë Gjyqësore apo qytetarët që të njihen dhe ta zbatojnë atë.

DOMOSDOSHMËRIA E GRUPIT TË OPONENCËS

Ndaj vlerësova që fillimin e këtij projekti të titulluar “Dilema mbi Kodin e ri Penal” ta nisja pikërisht me këto konsiderata të përgjithshme lidhur me procesin e hartimit dhe konsultimit publik të ezauruar deri më tani. Vlerësoj se para nisjes së konsultimit publik është e domosdoshme realizimi i oponencës teknike ndaj projektit tashmë të bërë publik. Më tej konsultimi publik i gjithë punës nga dy grupet protagoniste duhet të nisë pas realizimit të oponencës. Vlerësoj se nuk ka asnjë dobi juridike dhe faktike konsultimi publik në tryeza 60-minutëshe ku prezantohen dhe diskutohen 952 dispozita. I gjithë ky proces konsultimi është i gënjeshtërt.

Konsultimi publik i Kodit të ri Penal nuk ka pse të jetë fasadë dhe nuk ka pse të bëhet vetëm për të plotësuar statistika apo shkresa përcjellëse. Vlerësoj se është e domosdoshme që e gjithë puna e realizuauar deri më tani për hartimin e projektit të Kodit Penal të pasqyrohet përmes publikimit të të gjitha debateve apo përmbledhjeve të tyre të zhvilluara nga grupi/et i/e punës, duke e marrë të mirëqenë se ka pasur debate juridike dhe ka pasur edhe grup pune nga viti 2019 – 2023 apo nga viti 2023 – 2025.

I gjithë debati i zhvilluar apo përmbledhja e tij duhet të pasqyrohet në një raport përmbledhës, nga ku të evidentohet se cilat kanë qenë rrymat e mendimit, tezat e doktrinës të së drejtës penale të diskutuara, modelet e diskutuara dhe të përzgjedhura të kodeve penale europiane, dispozitat dhe rregullat e zbatuara të së drejtës ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë, rregullat e zbatuara dhe se si janë zbatuar direktivat konkrete të BE, arsyet që kanë çuar grupin/et e punës në përzgjedhjen e një modeli të caktuar të hartimit të normës dhe qëndrimet e ndryshme apo në pakicë që kanë ekzistuar në grupin apo grupet e punës.

Nga ana tjetër, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me grupin e oponencës, që duhet të ngrihet nga Ministria e Drejtësisë apo nga Kuvendi, duke u finalizuar kjo punë me një raport përmbledhës ku të pasqyrohet gjithçka e renditur më lart. Vetëm pas hartimit të këtyre dokumenteve me rëndësi themelore për iluminimin juridik të opinionit publik, duhet të nisë faza finale e konsultimit publik. Por edhe në këtë fazë duhet të mbahet parasysh se tryezat e konsultimit publik nuk mund të zhvillohen si reklama fasadë për shitjen e një produkti tashmë fakt të kryer por duhet të zhvillohen në mënyrë efektive, aq sa të jetë e mundur të arrihet asimilimi i informacionit dhe procesi i reflektimit. Kjo do të thotë se tryezat e konsultimit publik duhet të zhvillohet mbi bazën e tematikave apo instituteve të caktuara të pjesës së përgjithshme dhe pjesës së posaçme të Kodit të ri Penal dhe jo për tërësinë e tij dhe jo në eter.

Nuk ka asnjë arsye se pse ky proces të zhvillohet vetëm për plotësimin e statistikave dhe vetëm për t’u dukur se është bërë. Turravrapin e nisur në fundkorrikun e vitit 2025 nga tryeza gjithë entuziazëm dhe sqimë me krerët e drejtësisë në vend arrij ta rrok si ndoshta të motivuar nga ndjenjat e superiore të vetëvlerësimit apo egoja e pakufishme profesionale e grupit/ eve të punës, megjithëse nuk e mirëkuptoj aspak kur flitet për një çështje të tillë themelore të shtetit dhe shoqërisë. Por nga ana tjetër, nuk arrij të rrok dhe gjithashtu nuk e mirëkuptoj aspak faktin që këtij turravrapi i është atashuar ministri i Drejtësisë dhe Kryeministri apo pjesa institucionale e pushtetit ekzekutiv të angazhuar publikisht në këtë sipërmarrje.

Ndaj vlerësoj se është e domosdoshme që të ndalojë së paku turravrapi i papërmbajtur institucional i prezantimit në Kuvend të këtij projekti, që dita ditës po na serviret si fakt i kryer. Vetëpërmbajtja, maturia, transparenca, gjithëpërfshirja, oponenca teknike, kritika konstruktive, dokumentimi i çdo rryme mendimi apo qëndrimi dhe konsulta reale dhe efektive publike e tij, e përmbyllur me një proces reflektimi efektiv dhe real nga ana e Ministrisë së Drejtësisë apo/dhe Kuvendit, duhet të jenë faktorët cilësorë dhe të matshëm për pjekurinë e një projekti të tillë. Nga cilido prej nesh nuk pritet arsyeshëm por vetëm idealisht që 140 deputetët e Kuvendit të jenë të gjendje të kuptojnë se pse po e ngrenë kartonin miratues, kundërshtues apo abstenues në të tre herët e votimit në Kuvend të ligjit dhe në secilën prej 952 dispozitave që po kërkohet t’u dërgohet për votim dhe miratim. Por ajo që nuk mund të tolerohet nga institucionet kushtetuese është që këto rregulla të dërgohen për miratim në Kuvend nën këtë shurdhëri dhe verbëri të analizës juridike dhe debatit publik, duke u nxituar mezipritshëm që drafti të miratohet sikurse është shkruar nga viti 2019 – 2023 dhe prezantuar me datë 25 korrik 2025. Nuk duhet të harrohet që po diskutohet për miratimin e “Kushtetutës Negative” të Republikës së Shqipërisë.

*Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Shpërndaje