Dhoma Kombëtare e Avokatisë merr vendimin: Nga e hëna rifillon pjesëmarrja në seancat gjyqësore.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka marrë vendimin për të pezulluar bojkotin kombëtar të seancave gjyqësore, duke njoftuar se nga dita e hënë, datë 27 tetor, të gjithë avokatët do të rikthehen në sallat e gjyqeve në të gjitha nivelet e gjyqësorit në vend.

Vendimi vjen pas disa javësh protestash dhe bojkotesh që pasuan arrestimin e avokatit Ulian Barjami, i cili u ndalua nga autoritetet nën akuza që komuniteti i juristëve i ka cilësuar si “të pabazuara dhe me motive presioni ndaj profesionit të lirë të avokatit”.

Sipas njoftimit zyrtar të Dhomës së Avokatisë, dita e sotme shënon fundin e bojkotit, ndërsa që prej ditës së hënë do të zhvillohen normalisht të gjitha seancat gjyqësore, përfshirë ato penale, civile dhe administrative.

Bojkoti, i cili zgjati disa ditë, ka bllokuar zhvillimin e qindra proceseve gjyqësore në shkallë vendi, duke shkaktuar vonesa të ndjeshme në sistemin e drejtësisë.

Megjithëse avokatët do të rikthehen në punë, ata paralajmërojnë se do të vijojnë monitorimin e afërt të çështjes së kolegut Barjami, si dhe të çdo rasti tjetër që cenon integritetin dhe pavarësinë e profesionit të avokatit.

Shpërndaje