
Historia financiare e Shteteve të Bashkuara tregon se ky shtet din gjithmonë të reagojë me kreativitet kur përballet me kriza strukturore. Në vitin 1971, administrata e presidentit Richard Nixon shpalli fundin e sistemit të Bretton Woods – marrëveshjes globale pas Luftës së Dytë Botërore që e lidhte dollarin me arin. Me këtë lëvizje, SHBA krijoi një rend të ri financiar botëror, të bazuar në bonot shtetërore amerikane. Për gati pesë dekada, ekonomia globale u mbështet mbi këtë arkitekturë: bankat qendrore blinin borxhin e Shteteve të Bashkuara dhe kështu dollarit iu garantua roli suprem si valutë rezervë ndërkombëtare.
Mirëpo pas vitit 2020, besimi në këtë mekanizëm filloi të lëkundet. Shumë banka qendrore, sidomos nga vendet në zhvillim, nisën gradualisht të ulin ekspozimin ndaj bonove amerikane dhe të rrisin rezervat në ar. Kjo tregon një dyshim në rritje ndaj qëndrueshmërisë së borxhit të SHBA-së si bazë e sigurt për sistemin financiar global. Simbolikisht, në vitin 2025 ari ka tejkaluar bonot e Thesarit Amerikan si aktivi kryesor rezervë në nivel botëror – duke përmbysur një prirje mbi 40-vjeçare.
Në këto kushte, sistemi pas-1971 po bëhet gjithnjë e më pak efektiv. SHBA, për të ruajtur rolin e saj udhëheqës, duhet të ndërtojë një arkitekturë të re financiare. Dhe tashmë duket qartë se ky projekt i ri po ngrihet mbi teknologjinë e kriptomonedhave dhe stablecoin-eve.
Ndryshe nga vitet ’70 kur financat globale u ngritën mbi borxhin shtetëror, në dekadën e ardhshme sistemi financiar amerikan synon të mbështetet te monedhat dixhitale të garantuara nga borxhi i qeverive të G7-s dhe të funksionalizuara përmes bllokçein-it. Bankat më të mëdha amerikane, si JPMorgan Chase, janë tashmë në proces të pranimit të kriptomonedhave si kolateral për kreditim, përfshirë atë hipotekor. Sekretari aktual i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar një transformim monumental: stablecoin-et pritet të kthehen në një klasë aktivi prej 3 trilionë dollarësh deri në vitin 2030. Po ashtu, planifikohet zëvendësimi i tregut eurodollar – aktualisht me vlerë 13 trilionë dollarë – me stablecoin-e të garantuara 100% nga borxhi i SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Përveç bankave, edhe gjigantët teknologjikë globalë me miliarda përdorues do të adoptojnë stablecoin-et amerikane në transaksionet ndërkombëtare. Kjo do të bëjë që këto monedha dixhitale të qarkullojnë globalisht si dollarë të rinj virtualë. Me rritjen e pranimit të tyre si mjet pagese, kompanitë e mëdha do t’i mbajnë stablecoin-et si asete në bilancet e tyre dhe do t’i përdorin si garanci për huamarrje – duke zgjeruar edhe më tej likuiditetin global në USD dixhitale.
Në këtë sistem, stablecoin-i nuk është gjë tjetër veçse borxh shtetëror i tokenizuar në bllokçein. Rritja e volumit të kësaj teknologjie financiare pritet të ndikojë drejtpërdrejt pozitivisht mbi Bitcoin dhe kriptomonedhat e tjera të decentralizuara – të cilat mund të përfitojnë në mënyrë eksponenciale. Aktualisht, tregu i kriptove arrin rreth 4 trilionë dollarë, por pritet të kalojë 40 trilionë brenda dekadës së ardhshme dhe të kapërcejë 100 trilionë dollarë në fazat vijuese.
Ndërkohë, aktorët tradicionalë që dikur financonin borxhin amerikan janë larguar nga skena: vendet eksportuese të naftës të Gjirit, fuqitë industriale si Japonia dhe Gjermania, si dhe Kina që dikur mbante triliona dollarë në bono. Por SHBA vazhdon të ketë deficite buxhetore mbi 2 trilionë dollarë në vit – ekuivalente me nevojën për dy “Kina” të reja në çdo vit.
Në këtë kontekst, Amerika po kërkon një mekanizëm të ri për të ricikluar deficitin e saj përmes dixhitalizimit të dollarit dhe eksportit të tij si infrastrukturë financiare globale. Epoka e re nuk do të jetë thjesht një luftë mes valutave, por një garë për dominimin e protokolleve financiare të së ardhmes.
Në fund, transformimi që po ndodh nuk është vetëm ekonomik, por gjeopolitik: kush kontrollon sistemin e ri financiar, kontrollon edhe rendin e ri botëror.