Winston Churchill dhe Shqipëria. Nga Roland Qafoku

I kam shijuar këto pushime edhe për një arsye më shumë. Për leximin e biografisë së plotë nëpërmjet trilogjisë “The last lion” (Luani i fundit) të figurës së Winston Churchill, botim i vitit 1988 nga “Dell Publishing”. Dy herë kryeministër; herën e parë nga 1940 deri në 1945; Herën e dytë nga 1951 deri në 1955, për 62 vjet anëtar i parlamentit, disa herë ministër, anëtar i Partisë Konsevatore dhe anëtar edhe i Partisë Liberale, i diplomuar si ushtarak në “Royal Military Colledge” dhe shërbeu si oficer në disa detyra në front, historian, piktor dhe autor i disa librave, padyshim që ai është figura më emblematike e Britanisë dhe jo vetëm e shekullit të 20-të.

Autori i kësaj trilogjie, William Manchester, një gazetar amerikan, solli historinë e plotë të jetës së Churchill: Vëllimi i parë, nga lindja në 1874 deri në 1932 me nëntitullin “Vizioni për lavdi”; Vëllimi i dytë që i kushtohet përgatitjes dhe nisjes së Luftës së Dytë Botërore nga 1932 deri në 1940 me nëntitull “I vetëm” dhe vëllimi i tretë nga 1940 deri në 1965 me nëntitullin “Mbrojtësi i mbretërisë” të cilin e përfundoi Paul Reid pas vdekjes së William Manchester.

Për ta siguruar këtë xhevahir në bibliotekën time i jam shumë mirënjohës mikes time në SHBA Rajmonda Moisiu për të cilën nuk më mjaftojnë fjalët falenderuese.

Libri është njëherësh jo vetëm historiane e detajtuar e jetës së Winston Churchill por edhe hostoria e Britanisë së Madhe në këto vite. Ajo që e karakterizon këtë biografi tërësisht shkencore por e thjeshtuar në të shkruar është sjellja për lexuesin i një oqeani faktesh, interpretimi i tyre, kontaktet dhe intervistat e tij me vetë Churchill por edhe me personazhe të tjerë që e kanë njohur dhe bashkëpunuar me të.

Kjo trilogji është edhe një model se si shkruhet një biografi. Larg skemave dhe klisheve të disa historianëve që ne jemi mësuar ti kemi në Shqipëri, apo të dikujt që boton e boton pa fund, por në libra nuk ka së paku një intervistë me një personazh dhe personalitet për ngjarjen që trajton. Duke shkëlqyer si në gazetari dhe në histori, ëilliam Manchester ka treguar mjeshtëri në këtë drejtim duke lënë për brezat pasardhës një pasuri me vlerën e një thesari.

Pjesa më e rëndësishme e librit për një lexues shqiptar sigurisht është ajo që lidhet me Shqipërinë. Jam befasuar se vetëm në Vëllimin e dytë, Shqipëria është përmendur 14 herë në pasazhe dhe paragrafë të gjatë. Për ta kuptuar më mirë rëndësinë e vendit tonë në raport me figurën e Winston Churchill, mjafton të vërejmë se Jugosllavia brenda të cilës ishin 6 republika që më pas u bënë shtet, është përmendur 9 herë.

Në fakt ka shumë versione dhe deri në debate se cili ka qenë roli i britanikëve dhe personalisht Winston Churchill në Shqipëri në këtë kohë. Ka aludime derin në tradhëti ndaj shqiptarëve dhe deri deri në një premtim sipas të cilit Churchill-i i premtoi Greqisë që do ti jepte Jugun e Shqipërisë pas përfundimit të Luftës.

Për të qenë sa më të saktë dhe korrekt me këto teza dhe hipoteza, unë kam nxjerr nga libri disa pasazhe që lidhen me rolin e Churchill-it me Shqipërinë. Si fillim, atmosfera përpara pushtimit të Shqipërisë nga Italia ndjehej dhe dihej shumë mirë në Londër.
Në faqen 385 shkruhet:
“Benito Mussolini po mobilizohej për një pushtim të Shqipërisë, ndërkohë që Adolph Hitler-i kishte deklaruar se Gjermania do ta mbështeste Duçen: Në të vërtetë, është e qartë se diktatori gjerman nuk mund të përballonte të shihte rënien e kolegut të tij italian”.

Por çfarë dinte konkretisht Winston Churchill për këtë pushtim dhe çfarë bëri ai dhe Britania?

Në faqen 408 shkruhet:
“Mbrëmjen para se Duçe të niste aventurën e tij në Shqipëri, Winston Churchill kishte darkuar në Cherkeley, shtëpinë e Beavebrook në fshat pranë Leatherhead. Ndërsa miqtë e tij po luanin tavëll, ai i ishte afruar për të biseduar me një prej mysafirëve – Arthur Christiansen, gazetar dhe redaktor i gazetës ‘Daily Express’. Churchill dukej në siklet dhe, siç e shkroi Christiansen në kujtimet e tij, dukej sikur “po i rrotullonte fjalët rreth qiellzës së tij dhe po i lëpinte ato para se të shqiptonte”. Ai pyeti: “Ku është Flota Britanike sonte? Po rri pezull në Gjirin e Napolit. Pa dyshim – ah – Komandanti i anijeve britanike në Napoli është – ah – duke u argëtuar në breg, padyshim me urdhër të – ah – vetë Musolinit në klubin e jahteve të Napolit.” Pas kësaj sjellja e Winstonit ndryshoi: Ai u vërenjt, përtypi puron dhe pastaj gromëziu: “Po ku duhet të jetë Flota Britanike sonte? Në anën tjetër të atij vendi të quajtur Itali, në Detin Adriatik, jo në Detin Mesdhe, për ta bërë të pamundur përdhunimin e Shqipërisë”.

Pushtimi i Shqipërisë krijoi një situatë jo të lehtë në Britani.

Në faqen 420 shkruhet:
“Përpara debatit parlamentar për Shqipërinë, më 13 prill, Kryeministri (Neville Chamberlain) thirri Winstonin “me shpresën për ta mbajtur Dhomën sa më të bashkuar të jetë e mundur”. Në debat, Churchill mbështeti garancinë e Chamberlain për Rumaninë dhe Greqinë dhe tha se priste “marrëveshje edhe më efektive me Turqinë”. Nëse do të arrihej një ‘plan i shkëlqyer; i aleancave të detyrueshme, tha ai, ‘edhe tani, në orën e fundit’, bota mund të kursehej ‘nga pasojat më të rënda’. Në të njëjtën kohë, ai pyeste veten se si Qeveria e Madhërisë së Tij mund të merrte angazhime kaq të gjera kur mbrojtja e Britanisë ishte kaq e dobët, – si mund të flisnin kaq me zë të lartë kur fuqia juaj është shumë e vogël. Të paktën, argumentoi ai, Parlamentit duhet t’i kërkohet të miratojë rekrutimin e të rinjve britanikë. Pse qeveria kishte heshtur për këtë çështje urgjente? Ai nuk mund ta kuptonte pse qeveria kishte heshtur për çështjen më urgjente. Pas kësaj pyeti: Si mund ta durojmë të vazhdojmë të jetojmë jetën tonë të rehatshme dhe të lehtë këtu në shtëpi, të pavullnetshëm as ta quajmë botën ‘detyrim’, të pavullnetshëm as të marrim masat e nevojshme me anë të të cilave ushtria që kemi premtuar mund të rekrutohen dhe pajisen vetëm me pajisje.”

Çudia është se interesimi i Britanisë për Shqipërinë kalonte nga Greqia. Këtu nis një situatë shumë e ndërlikuar. Por autori William Manchester ka kuptuar gjithçka në dëm të Shqipërisë nga e cila përfitonte Greqia. Ja dhe fakti që ai paraqet.
Në faqen 428 shkruhet:
“Që nga rënia e Shqipërisë, për shembull, qeveria në Athinë kishte ndaluar botimin e çdo artikulli që kritikonte fashizmin ose nazizmin – kjo pavarësisht garancisë së Britanisë për kufijtë e Greqisë.”

Por indiferenca ndaj Shqipërisë ishte masive. Gati po luhej Koncerti i Dytë i fuqive evropiane. Por me një ndryshim: Dy fuqi pushtonin territore, të tjerët rrinin dhe vështronin.
Në faqen 488 shkruhet:
“Ai (Winston Churchill) përmendi pushtimet e Austrisë, Çekosllovakisë, Abisinisë dhe Shqipërisë, duke vënë në dukje se Duçe dhe Fyhrer i quanin ato çlirime dhe komentoi: Nuk është çudi që ka një heshtje të tillë nga të gjithë fqinjët e Gjermanisë dhe Italisë, ndërkohë që pyesin veten se cili do të ‘çlirohet’ më pas.”

Akoma më me vlerë janë edhe fotografitë në libër. Në një prej tyre paraqitete një karikaturë e kohës në qendër të së cilës është Churchil me një letër në sqetull ku shkruhet: Nuk kam frikë nga Hitleri dhe ka si titull: Silleni atë përsëri – është shansi juaj i fundit.
Ndërsa në diciturë shkruhet:
“Në pranverën e vitit 1939, diktatorët kishin pushtuar Evropën; Memel (Rajon në Lituani), Shqipëria dhe ajo që kishte mbetur nga Çekosllovakia e pavarur, ranë në duart e Hitlerit dhe Musolinit. Tani pjesa më e madhe e medias britanike dha alarmin.”

Mjafton këto pasazhe për të kuptuar se ende trajtimi i Luftës së Dytë Botërore në historinë e Shqipërisë ka ende mangësi. Kjo trilogji duhet të kthehet në një referencë e rëndësishme për çdo tezë dhe hipotezë. Për ata që bëjnë studime të thelluara dhe profesionale. Jo prej atyre që nxjerrin konkluzione dhe pastaj shkruajnë tekstin. Për të mos folur për ata që nuk bëjnë asgjë dhe komentojnë për çdo gjë.

Shpërndaje