Turqi – Izrael, një hap më afër përballjes!

Nga Red Varaku

Vendimi i qeverisë turke për të ndërprerë plotësisht çdo tregti me Izraelin shënon një kthesë të fortë në dinamikat e Lindjes së Mesme.

Ministri i Jashtëm Hakan Fidan deklaroi se hapësira ajrore dhe portet turke do të mbeten të mbyllura për avionët dhe anijet izraelite, duke e bërë Turqinë vendin e vetëm në botë që ndërmerr një shkëputje të tillë totale ekonomike nga Tel Avivi.

Në planin rajonal, me këtë lëvizje Erdogan përpiqet të forcojë profilin e Turqisë si lider i botës myslimane, duke u diferencuar nga shumica e shteteve arabe, të cilat, megjithë retorikën, nuk e çojnë dot kundërshtimin ndaj Izraelit në nivelin e një embargoje të plotë. Ky vendim i jep Ankarasë një status të veçantë simbolik në çështjen palestineze, duke e kthyer atë në një kartë të fuqishme të ndikimit diplomatik dhe të prestigjit rajonal.

Ndërkaq në planin ndërkombëtar, Turqia rrezikon të futet në tension të ri me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara, për të cilat embargoja absolute ndaj Izraelit mund të shihet si një përshkallëzim që i kalon kufijtë e një politike të balancuar. Në këtë kuptim, Ankaraja po e përdor çështjen palestineze jo vetëm si mjet moral, por si instrument gjeopolitik për të rritur peshën e saj në skakierën globale.

Nderkohe, Izraeli ka reaguar nëpërmjet ministrit Bezalel Smotrich, i cili publikoi një foto të Presidentit turk pranë Ismail Hanijes, udhëheqësit të vrarë të Hamasit.

Publikimi i fotos së Presidentit Erdogan me Ismail Hanijen është një strategji e hollë  për të delegjitimuar vendimin e Ankarasë.

Smotrich po përpiqet të delegjitimojë vendimin e Turqisë duke e paraqitur Erdoganin jo si një lider shteti që merr një vendim sovran ekonomik e diplomatik, por si një “aleat të Hamasit”, pra si pjesë e kampit të terrorizmit sipas narrativës izraelite.

Kjo është mënyra e Izraelit për të thënë se Turqia nuk po sillet si një fuqi neutrale apo si mbrojtëse e të drejtave palestineze, por si bashkëpunëtore e një organizate që për Izraelin konsiderohet terroriste.

Në këtë lojë të simboleve, Ankaraja kërkon të shfaqet si mbrojtëse e Palestinës dhe si fuqia që guxon të ndërmarrë hapa radikalë kundër Izraelit, ndërsa Tel Avivi përpiqet ta reduktojë këtë rol në një aleancë të fshehur me terrorizmin.

Duhet thënë që me këtë vendim kjo përballje nuk është më thjesht çështje imazhi dhe propagande siç duket se ka qenë deri tani. Ky vendim duket se është fillimi i përballjes reale midis Turqisë dhe Izraelit , vendim që fillimisht po përcakton terrenin mbi të cilin do të maten legjitimiteti dhe kapitali diplomatik i secilës palë në rast të një përplasje në muajt që vijnë.

Shpërndaje