
Pas javësh me promovim të pandërprerë, GPT-5 më në fund është prezantuar.
OpenAI e lançoi zyrtarisht të enjten modelin e ri shumë të pritur. Ky është versioni më i fundit i ChatGPT, chatbot-i kryesor i kompanisë, dhe njëkohësisht modeli më i përdorur i inteligjencës artificiale në treg.
Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, e cilësoi atë si një “përmirësim madhor” dhe “një hap të rëndësishëm drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI)”, gjatë një telefonate me gazetarë ditën e mërkurë. Ai deklaroi se pas përdorimit të GPT-5, kthimi pas te GPT-4 ishte “i padurueshëm”.
OpenAI njoftoi se modeli do të jetë i disponueshëm falas për të gjithë dhe përdoruesit nuk do të kenë më nevojë të kalojnë ndërmjet modeleve të ndryshme për detyra të veçanta. GPT-5 do të përshtatet automatikisht, sipas natyrës dhe kompleksitetit të kërkesës.
AI do të jetë në dispozicion në version standard, mini dhe nano. Përdoruesit me abonim do të kenë kufij përdorimi më të lartë.
Altman shtoi se GPT-5 është edhe modeli më i shpejtë që ka ndërtuar kompania deri më sot.
“Një nga gjërat për të cilat i kisha bërë presion ekipit, ishte që: ‘Duhet ta bëjmë shumë, shumë më të shpejtë” tha Altman. “Tani e ndiej vërtet atë përvojë kur pyes veten: “A mendove sa duhet?”
Ekipi tha gjithashtu se GPT-5 përfshin aftësi të përmirësuara për “vibe coding”, një prirje e re në Silicon Valley.
OpenAI ka ngacmuar publikun me këtë version të ri të ChatGPT për më shumë se një vit, por në javët e fundit ka shtuar dukshëm komunikimin. Të dielën, Altman publikoi në rrjetin X një screenshot ku GPT-5 i rekomandonte serialin televiziv më “sfidues mendërisht” për temën e inteligjencës artificiale.
Në korrik, Altman deklaroi se “GPT-5 është më i zgjuar se ne në pothuajse çdo aspekt”. Në një intervistë me podcastin e Theo Von, ai rrëfeu se i kishte bërë një pyetje modelit që vetë nuk e kuptonte plotësisht – dhe GPT-5 kishte dhënë një përgjigje të përkryer, gjë që e kishte bërë të ndihej “i pavlefshëm krahasuar me AI-në”.
Kreu i OpenAI gjithashtu e krahasoi zhvillimin e GPT-5 me Projektin Manhattan, nismën e qeverisë amerikane për ndërtimin e bombës atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe tha se kjo e bën të ndiejë ankth.
“Ka momente në historinë e shkencës kur një grup shkencëtarësh e shikojnë krijesën e tyre dhe thonë: ‘Çfarë kemi bërë?’”, tha Altman.
Modeli i fundit i rëndësishëm që OpenAI kishte lëshuar më parë ishte GPT-4.5 në shkurt, të cilin Altman e kishte përshkruar si “modelin e parë që ndihet si të flasësh me një njeri të menduar”.
Publikimi i GPT-5 ka pasur disa vonesa, duke u zhvendosur nga mesi i vitit 2024 në mes të 2025-ës, e më pas në gusht.
Gjatë kësaj kohe, numri i përdoruesve të ChatGPT ka vazhduar të rritet. Në prill, Altman deklaroi se ChatGPT kishte 500 milionë përdorues aktivë çdo javë. OpenAI tha të enjten se ChatGPT pritet të arrijë 700 milionë përdorues aktivë javor “këtë javë”.