Studimi | “Quiet cracking”, shqetësimi më i ri i punëdhënësve!

Nga Business Insider

• Punëdhënësit kanë një çështje të re në vendin e punës për t’u shqetësuar: “quiet cracking”.
• Në këtë treg pune, punonjësit po “luftojnë në heshtje”, thotë Frank Giampietro, drejtuesi i mirëqenies së EY në Amerikë.
• “Quiet cracking” mund të ngjasojë dhe të çojë në djegie profesionale (burnout). Ja shenjat paralajmëruese që duhen vëzhguar.

Nëse “quiet quitting” ishte problemi kryesor i vendit të punës gjatë viteve të fundit, tashmë nuk është më.

Tani, një problem i ri për të cilin punëdhënësit duhet të jenë të kujdesshëm është “quiet cracking”, thotë Frank Giampietro, drejtuesi i mirëqenies për EY Americas.

Çfarë është “quiet cracking”?

“Quiet cracking” është kur punonjësit “shfaqen në punë, e kryejnë detyrën e tyre, por vuajnë në heshtje gjatë këtij procesi”, siç e përshkroi Giampietro në një intervistë të fundit për Business Insider.

“Së fundmi në treg kemi vënë re se shumë njerëz po qëndrojnë te punëdhënësit e tyre aktualë, por nuk po lulëzojnë në punë,” tha ai.

Kjo lidhet me tregun aktual të punës, ku shumë punonjës shmangin largimin nga puna, edhe nëse nuk janë të kënaqur në rolet e tyre, për shkak të pasigurisë ekonomike. Punësimet kanë rënë dhe ndërrimi i vendit të punës tani është më pak fitimprurës për rritjen e pagës sesa të qëndruarit.

“Shumë njerëz ndihen të bllokuar aty ku janë, dhe nuk është domosdoshmërisht se po bëjnë një zgjedhje për të vazhduar të qëndrojnë, por se nuk kanë zgjedhje të tjera më të mira në dispozicion,” tha Giampietro.

Rezultati është një shkallë e lartë mospërfshirjeje dhe pakënaqësie të punonjësve, që mund të gërryejë moralin, të dëmtojë produktivitetin dhe të kontribuojë në djegie profesionale.

Angazhimi global i punonjësve ra nga 23% në 21% vitin e kaluar, sipas një raporti të Gallup të publikuar në prill. Raporti vlerësoi se kjo i kushtoi ekonomisë globale rreth 438 miliardë dollarë në produktivitet të humbur. Është hera e dytë që kjo shifër bie në 12 vitet e fundit, hera tjetër ishte në vitin 2020.

Promovimet janë bërë më të vështira për t’u arritur, pasi kompanitë po ndryshojnë mënyrën e vlerësimit të performancës, po zbatojnë politika të rikthimit në zyrë dhe po zhvillojnë shkurtime masive të stafit. E kombinuar me pasigurinë ekonomike dhe kthimin në një kulturë pune shumë kërkuese në shumë industri, punonjësit kanë frikë të ndryshojnë punë — edhe nëse gjejnë pozicione të hapura me interes.

Me fjalë të tjera, “ekziston një grup i madh njerëzish që thonë se janë të stresuar shumicën e kohës dhe shumë prej tyre ka gjasa të jenë ose të djegur nga puna ose pranë këtij stad,” thotë Giampietro.

Shenjat paralajmëruese

Sipas Giampietro-s, shenjat e “quiet cracking” mund të jenë të ngjashme me treguesit e djegies profesionale, edhe pse jo domosdoshmërisht aq ekstreme.

Mund të ketë shfaqje fizike, si p.sh. punonjësi që sëmuret shpesh, ndihet i lodhur ose ankohet për dhimbje koke më shpesh se zakonisht. Shenjat që lidhen me performancën mund të jenë më pak të dukshme.

“Mund të kesh një punonjës me performancë të lartë, i cili nuk po e dorëzon punën në të njëjtin nivel që je mësuar të shohësh,” tha Giampietro. Ose ndoshta një koleg që zakonisht është optimist dhe pozitiv, është dukshëm më pak i tillë. Kjo përmblidhet me “vëzhgimin e ndryshimeve në sjelljen tipike të njerëzve në ekipin tuaj,” shtoi ai.

Nëse vëreni ndryshime të tilla, mos mendoni automatikisht se është problem performance. Në vend të kësaj, ai sugjeron që të bisedoni me punonjësin për të parë si mund ta adresoni çështjen. Mund të jetë aq e thjeshtë sa të thuash: “Hej, kam vënë re një ndryshim në sjelljen tënde. Mund të flasim për këtë? Dua vetëm të sigurohem që je mirë,” tha Giampietro.

Është një kohë e vështirë për punonjësit, pasi shtytja për investime në mirëqenie në kompani — që u rrit gjatë pandemisë — është ngadalësuar për shkak të ndryshimit të prioriteteve të biznesit. Kjo do të thotë që shumë punonjës po marrin më pak mbështetje pikërisht në një kohë kur po hasin më shumë vështirësi në punë.

“Pati shumë vëmendje ndaj mirëqenies pas pandemisë, veçanërisht me qarkullimin e lartë të stafit në shumicën e organizatave, por meqenëse ky qarkullim është stabilizuar, fokusi është zhvendosur te kostoja,” tha Giampietro.

“Mirëqenia mund të mos po marrë vëmendjen që meriton në shumicën e organizatave.”

Shpërndaje