SHBA | Beteja e Teksasit hap debat mbi manipulimin e zonave zgjedhore. Disa shtete mund të rishikojnë hartat elektorale.

Përpjekja e republikanëve në Teksas për të rishikuar hartën e zonave zgjedhore me qëllim shtimin e pesë vendeve të reja të sigurta për Partinë Republikane ka shkaktuar një përplasje të gjerë politike në nivel kombëtar, ku drejtuesit e të dyja partive po nxisin ligjvënësit shtetërorë që të rishkruajnë kufijtë zgjedhorë në favor të partisë së tyre, përpara zgjedhjeve të mesmandatit të vitit të ardhshëm.

Fakte kryesore

Indiana: Nënpresidenti JD Vance pritet të udhëtojë të enjten drejt Indianapolis për të lobuar pranë guvernatorit republikan Mike Braun dhe ligjvënësve të partisë në lidhje me hartimin e një harte të re elektorale. Megjithatë, guvernatori Braun e ka cilësuar këtë diskutim si “eksplorues”, sipas raportimit të IndyStar.

Teksas: Legjislatura e kontrolluar nga republikanët po përpiqet të miratojë një hartë të re që do të shtonte pesë zona të reja të favorizuara për republikanët. Demokratët e kanë bllokuar përkohësisht këtë përpjekje duke u larguar nga shteti dhe duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për votim.

Kaliforni: Demokratët në delegacionin kongresional të shtetit kanë hartuar një hartë të re me pesë zona të reja me shumicë demokrate, sipas Punchbowl, për të kënaqur guvernatorin Gavin Newsom. Ky i fundit ka kërkuar që legjislatura ta paraqesë këtë hartë për miratim në një referendum të veçantë në nëntor – një hap shtesë i domosdoshëm për të anashkaluar komisionin e pavarur të rishikimit të zonave.

Florida: Guvernatori republikan Ron DeSantis ka shprehur interes së fundmi për të kërkuar nga legjislatura shtetërore rishikimin e zonave elektorale, të nxitur nga përpjekjet e Teksasit dhe një vendim i fundit i Gjykatës së Lartë të shtetit që mbështet linjat ekzistuese të favorshme për republikanët. Kryetari i Partisë Republikane në Florida, Evan Power, deklaroi për The Hill se: “Po merr hov”, duke shtuar se “me vendimin e gjykatës ishim duke shkuar në atë drejtim, por Teksasi e ktheu në lajm kryesor.”

Mizuri: Guvernatori republikan Mike Kehoe ka shprehur gjithashtu interes për shtimin e një vendi tjetër për Partinë Republikane në hartën zgjedhore, e cila aktualisht ndan 6 vende për republikanët dhe 2 për demokratët. Në një deklaratë për Politico, përmes zëdhënëses së tij, Gabby Picard, u tha se: “Ne do të shqyrtojmë gjithmonë çdo mundësi.”

Nju Jork: Guvernatorja demokrate Kathy Hochul shpalli këtë javë “luftë” lidhur me betejën kombëtare për rishikimin e hartave zgjedhore, gjatë një konference për shtyp ku qëndronte përkrah demokratëve nga Teksasi që kishin braktisur shtetin për të bllokuar manipulimet e republikanëve. Ajo deklaroi se po shqyrton “çdo mundësi për të rishkruar linjat zgjedhore të shtetit sa më shpejt të jetë e mundur”, duke e quajtur përpjekjen e republikanëve në Teksas një “kryengritje” për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit.

Nju Xhersi: Guvernatori demokrate Phil Murphy nuk përjashtoi mundësinë e rishikimit të hartës zgjedhore në favor të demokratëve, duke thënë për The New Jersey Globe se është “shumë herët” për një vendim, por paralajmëroi se demokratët në shtet do të kundërpërgjigjen nëse republikanët shtojnë në mënyrë të padrejtë një numër të konsiderueshëm vendesh në shtetet e tjera.

Illinois: Guvernatori demokrat JB Pritzker, i cili ndihmoi disa nga demokratët nga Teksasi të largoheshin nga shteti i tyre, deklaroi gjithashtu këtë javë se rishikimi i hartës zgjedhore është “në tryezë” nëse Teksasi arrin të shtojë pesë vende të reja për republikanët.

Merilend: Udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit, David Moon, tha se do të hartojë një projektligj për të rishkruar hartën zgjedhore të shtetit nëse ndonjë shtet tjetër “manipulon dhe harton zona të reja jashtë periudhës së censusit,” duke përmendur përpjekjet e republikanëve në “Teksas, Mizuri e të tjerë”, në një postim në platformën X në muajin qershor.

“Ne kemi të drejtë për pesë vende të tjera [në Teksas],” deklaroi Donald Trump për CNBC të martën, duke iu referuar fitores së tij elektorale në shtet gjatë zgjedhjeve të vitit 2024.

Të dhëna të tjera

219–212 – Kjo është ndarja aktuale partiake në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së: 219 republikanë kundrejt 212 demokratëve, me katër vende bosh (një më parë i mbajtur nga republikanët dhe tre nga demokratët).

Çfarë pritet të ndodhë

• Ohio duhet të hartojë një hartë të re këtë vit, pasi harta aktuale skadon. Meqenëse legjislatura kontrollohet nga republikanët, pritet që ata të shtojnë vende të reja në favor të partisë së tyre.

• Gjeorgjia dhe Luiziana mund të detyrohen gjithashtu të rishikojnë hartat e tyre për shkak të proceseve gjyqësore që po zhvillohen.

Përpjekjet e republikanëve për të hartuar zona të reja që u garantojnë fitore të sigurta kanë detyruar demokratët të heqin dorë nga mbështetja e tyre e mëparshme për proceset e pavarura të rishikimit të hartave. Këto komisione të pavarura – shpesh të promovuara nga demokratët – pas censusit të vitit 2020 hartuan një numër më të madh zonash që do të kishin përfunduar në favor të demokratëve, në krahasim me ato që do të ishin hartuar në favor të republikanëve.

Rishikimi i hartave elektorale bëhet zakonisht çdo 10 vjet, pas përfundimit të censusit. Por këtë vit, drejtuesit e të dyja partive po kërkojnë që legjislaturat shtetërore të ndërhyjnë jashtë këtij cikli për të hartuar zona të reja zgjedhore që do të përforcojnë pozitat e tyre përpara zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026.

Rreziku më i madh për demokratët është në Teksas – nëse republikanët arrijnë të shtojnë pesë vende të reja, ata mund të sigurojnë kontrollin e Kongresit deri në fund të mandatit të Donald Trump. Nëse demokratët nuk reagojnë për ta balancuar këtë situatë, përfaqësimi kombëtar do të jetë i njëanshëm për vite me radhë. / Forbes

Shpërndaje