Republika e Hijeve! Nga Reldar Deda

Nuk jemi më në shtetin e funksionit. Jemi në territorin e përfitimit. Prej dymbëdhjetë vitesh, Shqipëria nuk është udhëhequr nga një qeveri që administron, por nga një rrjet që përthith. Në vend të një administrate publike, kemi një arkitekturë përvetësimi; në vend të klasës së mesme, kemi një kastë të ngushtë përfituese, që nuk prodhon, por thith pasuri publike, prona, fonde, leje, ligje. Është një republikë hijesh, ku ligji vjen pas përfitimit, dhe zhvillimi është vetëm një mbulesë për grabitje të organizuar. Le të hyjmë në thelbin e kësaj makinerie.

Skema 1: Kontrata që shpikin kompaninë

Në vitin 2016, një firmë që nuk ekzistonte një ditë më parë fitoi kontratën për inceneratorin e Elbasanit. Në Fier, kompania që mori dhjetëra milionë euro nuk kishte as punonjës, as pajisje. Në Tiranë, u dhanë mbi 100 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston. Asnjë qytet nuk dogji mbeturina, por buxheti dogji miliona. Nuk ishte dështim teknik; ishte projektim i qëllimshëm. Përfituesit ishin gjithnjë të njëjtët: klientë të partisë, figura të lidhura me pushtetin, të mbrojtur nga zyrtarët më të lartë. Inceneratorët nuk ishin thjesht aferë; ishin prova se kontrata publike në Shqipëri nuk i paraprin shërbimit, por përfitimit. Dhe kur përfitimi bëhet arsyeja e ekzistencës së kontratës, shteti është shndërruar në mjet të zhvatjes së ligjshme.

Skema 2: Ligji që legalizon grabitjen

Që nga viti 2015, me ligjin për “investimet strategjike”, u shpik një mënyrë e re për të vjedhur me firmë të shtetit. Mjaftonte një kompani që deklaronte interes për të “zhvilluar” një tokë, që shteti të shpallte të ligjshme marrjen e saj, edhe nëse ajo tokë kishte pronarë të ligjshëm, banorë autoktonë, ose gjyqe të hapura. Në bregun e jugut, tokat kaluan nga duart e brezave në duart e klientëve. Proceset u shmangën. Banorët u anashkaluan. Kompanitë të lidhura me njerëz të pushtetit u bënë “strategjike” brenda natës. Vetëm në vitin 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike dha shtatë vendime për përfitime në bregdet, të gjitha me konflikt të hapur interesi. Dhe, ndërsa Avokati i Popullit fliste për shkelje, pushteti shtonte dhëniet. Një ligj që nuk mbron pronën, por e shpërndan atë sipas afërsisë me qeverinë, ai nuk është ligj, por është instrument i pushtetit grabitqar.

Skema 3: Shëndetësia si treg rentierësh

Në vend të shërbimit shëndetësor, kemi ndërtuar një sistem qiraje. Mbi 300 milionë euro janë shpërndarë përmes PPP-ve në shëndetësi: kontrolli i përgjithshëm, sterilizimi, laboratorët. Të gjitha janë dhënë pa garë, pa konkurrencë, në një treg që nuk kishte nevojë për privatizim. Kompanitë që përfituan kanë lidhje direkte me figura të njohura politike. Dhe pagesa nuk bëhet për cilësinë e shërbimit, por për numrin e operacioneve; pra për volumin, jo për vlerën. Është një model rent-seeking: subjekti nuk sjell dije, nuk sjell kapital, nuk sjell risi, sjell vetëm një gjë: afërsinë me qeverinë. Dhe kjo mjafton për të marrë një kontratë milionëshe për dekada.

Skema 4: Metri katror si valixhe

Tirana sot nuk është më qytet, është skemë. Nga viti 2015 deri më sot, mbi 1.2 milionë metra katrorë janë ndërtuar vetëm në vitin 2023, sipas INSTAT, shumica e tyre në zona qendrore, me çmime që nuk i përballon asnjë pagë reale. Por 60% e tyre qëndrojnë bosh. Nuk janë për banim. Janë për pastrim. Metri katror është kthyer në valixhe ku fshihen paratë. Lejet jepen nga një rreth i vogël. Ndërtuesit janë gjithnjë të njëjtët. Pronat kalojnë në emër të kushërinjve, offshore-eve, dhe “investitorëve” pa zë. Këtu nuk ndërtohet për qytetarë, ndërtohet për interesa që nuk flasin shqip, por kuptojnë mirë gjuhën e pastrimit financiar. Kulla është më e sigurt se banka, më e dobishme se industria. Nuk është ekonomi, është farsë.

Skema 5: Demokracia me porosi

Në letër jemi republikë parlamentare. Në realitet, jemi një zyrë shërbimi për klientelën. Kuvendi miraton ligje të shkruara nga avokatët e përfituesve. Bashkitë janë kthyer në degë ndërtimi. Ministritë janë zyra lidhjesh me “strategjikët”. Dhe çdo ndryshim ligjor, qoftë edhe në Kodin Penal, bëhet për të ruajtur përkohësisht kontrollin e një pakice mbi pasurinë, drejtësinë dhe median. Institucionet nuk janë më neutrale, janë të programuara. Dhe politika nuk është përfaqësim më, por është shërbim i porositur.

Shpërndaje