Profili i paautorizuar i komentuesit të xhindosur. Nga Lutfi Dervishi

Është gjithmonë në gadishmëri. Jo se ka shumë kohë të lirë, por sepse çdo postim  është një sirenë alarmi që e thërret të ndërhyjë. Nuk komenton kurrë për temën, por për autorin: “Të njoh mirë se  kush je”. “E di mirë kush të paguan”, “Ku ishe ti më 1938 kur…”

Specialist i relativizimit. Çdo skandal që ndodh e ka gati komentin: “Kështu ndodh edhe në MADAGASKAR”, “Edhe Amerika që është superfuqi  i ka këto” Nëse nuk gjen krahasim me ndonje shembull jashtë e sajon një: “E kam lexu”, “Më kanë thënë…”

Ka në tru një listë të shenjtë që e përsërit pa ndryshim, si predikim të përditshëm:
Media është e shitur
Biznesi është grabitqar
Shoqëria civile e kapur
Opozita duhet ndërruar
Gjykata e korruptuar
Prokuroret nuk bëjnë punën
Pedagogët nuk bëjnë
Studentët nuk mësojnë
Shqiptarët rrinë në kafe
Turistët nuk shpenzojnë

Po ama qeveria po punon. Edhe kur nuk bën ndonjë punë, bën reforma.

Është i verbër në besnikëri. Kur qeveria lavdërohet, ai bëhet kone lozonjare pranë postimit, gati të tundë bishtin. Kur kritikohet, shndërrohet në bulldog agresiv: leh pa kursim, kap çdo komentues, kafshon kë të mundë dhe nuk lodhet derisa të kërcejë në postimin e radhës.

Shkruan shqip me shumë gabime, por me shumë pasion. Në vend të argumenteve, sharje ose shpifje, ose të dyja bashkë. E vetmja gjë që i bashkon komentet e tij është dashuria platonike për gabimet drejtshkrimore dhe urrejtja pa kufi për autorin e postimit.

Logjika dhe faktet nuk i duhen. E bëjnë me dhimbje koke. Arsyet? Dikush për të mbajtur një vend punë, dikush për të marrë një vend pune dhe dikush thjesht për t’u gjendur në “punë”

Në rradake  e tij, çdo gjë ka shpjegim të thjeshtë: nëse bie shi, është shenjë që qeveria po pastron ajrin; nëse nuk bie shi, është se qeveria ka sjellë mot të mirë për turizëm. Kritikët? Kritikët janë më të zinj se armiqtë  e vendit dhe të kombit shqiptar dhe meritojnë kokrrën e plumbit ose trekëmbëshin!

Shpërndaje