
Nga Av.Gjovalin Laska
Mesazhi që përcolla sot përpara bashkëqytetarve Laçian e Kurbinas!
Të nderuar bashkëqytetarë të Laçit, të pranishëm dhe të ftuar të nderuar,
Jemi mbledhur sot jo thjesht për të folur mbi një ndërtesë, por për të mbrojtur një pjesë të shpirtit tonë, një gur themeli të identitetit të qytetit tonë, Kishën e Shën Ndout.
Kjo kishë nuk është vetëm një vend lutjeje. Ajo është kujtesa jonë e përbashkët, historia që ne kemi trashëguar nga të parët dhe që kemi detyrimin moral e qytetar të ia përcjellim brezave të ardhshëm.

Çdo gur i saj, çdo dritare, çdo hapësirë që ka pritur hapat e pelegrinëve për dekada e dekada, është një dëshmi e gjallë e besimit, sakrificës dhe përkushtimit të këtij komuniteti. Ajo ka mbijetuar kohë të vështira, regjime të ndryshme dhe sfida që do ta kishin shuar çdo gjurmë tjetër të historisë. Por falë dashurisë së këtij qyteti, ajo ka qëndruar.

Sot, rreziku nuk vjen nga një armik i jashtëm, por nga vendime të nxituara, ndoshta të paarsyetuara mjaftueshëm, që mund të ndryshojnë përgjithmonë pamjen, funksionin dhe shpirtin e saj.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit, përkundrazi e duam më të bukrën në Ballkan, por jemi kundër atij zhvillimi që fshin rrënjët e kujtesës sonë. Një qytet që humb kujtesën e tij, humb edhe shpirtin.
Është detyra jonë, e qytetarëve, e institucioneve, e besimtarëve dhe e profesionistëve të arkitekturës e trashëgimisë kulturore, të gjejmë një zgjidhje që ruan autenticitetin e Kishës së Shën Ndout, duke i respektuar të gjitha vlerat që ajo mbart.

Të gjithë Ne, nga Frat Ndue Toplana që do të na shpjegojë zhvillimet aktuale, te arkitektët që kanë dijen për të projektuar me respekt, te drejtuesit vendor dhe Deputetët që kanë pushtetin për të vendosur, deri te secili banor i thjeshtë i Laçit, kemi një përgjegjësi të përbashkët mbrojtjen e Kishës si në 1997.

E ardhmja e kësaj Kishe nuk është çështje fetare apo politike. Është çështje identiteti, kulture dhe respekti për ata që na lanë këtë trashëgimi dhe për ata që do të vijnë pas nesh.
Le të jemi sot zëri i arsyes, i kujtesës dhe i dashurisë për qytetin tonë. Le të mbrojmë Kishën e Shën Ndout jo vetëm si një ndërtesë, por si simbolin e gjallë të shpirtit të Laçit.
Faleminderit!