Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi komentoi me tone të forta draftin e ri të Kodit Penal.
Duke folur në Syri tv, Vokshi tha se drafti është hedhur për diskutim gjatë muajve të verës qellimisht, kur vëmendja e qytetarëve është minimale për shkak të pushimeve.
“Në mënyrë të qëllimshme, drafti është hedhur për diskutim gjatë muajve të verës, kur vëmendja e qytetarëve është minimale për shkak të pushimeve. Askush nuk po merr autorësinë e këtij dokumenti, i cili prek drejtpërdrejt çdo qytetar shqiptar dhe përbën një ndër aktet më të rëndësishme ligjore për sistemin e drejtësisë,” deklaroi Vokshi.
Sipas saj, kryeministri Edi Rama ka dalë në publik vetëm pas valës së kritikave nga shoqatat e mediave dhe organizatat e të drejtave të njeriut, por nuk ka pranuar se drafti është produkt i qeverisë së tij. “Nuk guxojnë të marrin përsipër autorësinë e këtij kodi. Është një tentativë për të testuar durimin dhe reagimin e qytetarëve,” u shpreh Vokshi.
Deputetja theksoi se drafti përmban masa kufizuese që cenojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtat e qytetarëve, ndërsa nuk parashikon masa të ngjashme për zyrtarët apo drejtuesit e institucioneve shtetërore. “Është një draft i orientuar kundër qytetarëve, jo kundër abuzuesve me pushtetin,” nënvizoi ajo.