
Nga Arbër Hitaj
Kodi i ri Penal, edhe pse në formën e draftit, nuk është një shaka vere që duhet marrë me një buzëqeshje. Ky kod është kushtetuta e ndëshkimeve për çdo institucion ligjzbatues: prokurorinë, policinë e gjykatat e shtetit.
Është një kod që mund të prekë të gjithë: ata që e hartojnë, të afërm të tyre, por edhe ne që e lexojmë dhe shkruajmë për të. Pra, të gjithë — sepse në thelb nuk ka qytetar perfekt, por nuk ka as ligje perfekte.
Jam përpjekur të analizoj arsyet e kësaj pakete dënimesh dhe nëse ishte e nevojshme në epokën ku jetojmë, në atë që mund të quhet epoka e integrimit europian. Dhe nuk më rezulton se i afrohet — madje në shumë nene duket si i nxjerrë nga skutave të errëta të së kaluarës. Megjithëse kam një bindje se ky draft kod do të anulohet, pasi nëse do të merrte formë finale kështu siç është, përbën një skandal — fillimisht për hartuesit e më tej për miratuesit.
Te hartuesit dua të ndalem pak. Është për t’u habitur që në një pjesë të madhe të grupit të punës janë njerëz në moshë të re, pra hyjnë te ajo pjesë që arsimimin e kanë kryer në periudhën postkomuniste — dhe të kenë mentalitetin se burgu është zgjidhja e shumë shkeljeve, edhe atyre që janë shumë minore në pasoja. Për mua kjo është shumë shqetësuese. Fryma perëndimore ose pro-BE duhet të dominojë, e jo fryma lindore ose parimi i prapambetur se dënimi ose frika ruan vreshtin.
Shoqëria shqiptare konsumon shumë dhunë, dhe po ashtu është e dhunshme — në familje, në shkollë, në shoqëri, biznes, madje edhe në media. Por dhuna nuk ulet apo kontrollohet me dhunë. Të gjitha studimet e vendeve më të zhvilluara kanë treguar se ilaçi më i mirë është edukimi, arsimimi dhe jo dënimi. Vendet që kanë nivel të ulët dhune — Norvegjia, Gjermania, etj. — i japin shumë vëmendje aspekteve sociale dhe edukative, që fillojnë nga marrja e asistencës psikologjike, puna në komunitet, etj., sa më sipër për shkelje të lehta, por asnjëherë burg. Fjala vjen: pse një qytetar që kryen një shkelje të lehtë ligjore, të mos përballet me punën në komunitet? Jo për gjë, por kemi dhe mungesë me krah pune. A do të ishte më mirë dhe më efektiv një dënim i tillë apo burgu, pasojat e të cilit mund të ishin me efekt të pariparueshëm? Ka shumë propozime që mund të përfshijnë frymën perëndimore, e fatkeqësisht mungojnë.
Në një vend ku dhuna është me bazë kulturore dhe sociale, ky lloj manuali ndëshkimi jo vetëm nuk do ta zgjidhë këtë plagë të trashëguar, por mund ta përkeqësojë atë.
Prandaj, zonja dhe zotërinj që e keni hartuar, merreni më me seriozitet kushtetutën e ndëshkimeve — anuloni atë që ngjan më shumë me një manual hakmarrjeje institucionale sesa me një pakt drejtësie.
#kodiiripenal #Shqiperine #IntegrimiEvropian