
Mes Tiranës dhe Washington-it nderet një betejë e pabërë, gjysmake, e hapur por e pambyllur, ajo e Charles McGonigal. Nëse gjykakat në New York dhe Washington kanë mbyllur letrat dhe e kanë dënuar ish-agjentin e FBI, bazuar mbi dosjet e Prokurorisë amerikane, Prokuroria e Posaçme në Tiranë vazhdon e përgjumur. Kritikët në opozitë dhe jashtë saj e drejtojnë gishtin për këtë shpërfillje te fakti se në “dosjen McGonigal” Edi Rama dhe aktiviteti i tij shtrihen sa gjatë-gjerë.
Heshtja e SPAK, dhe fakti se në Amerikë çështja është përmbyllur njëherë, por është folur për rihapje të saj, edhe në kushtet e një dënimi të dyfishtë në dy gjykata federale, e fut heshtjen e Prokurorisë shqiptare në territoret e konspiracionit.
Duket se një betejë tjetër po shfaqet në horizont. Presidenti Trump, para pak ditësh, shpalli hapur akuzat e tij për Sorosët, George dhe Alex, duke kërkuar që kundër tyre të veprojë RICO (për amatorët e filmave amerikanë me Mafian njujorkeze, e kujtojnë se kundër familjeve mafioze në vitet ‘80 filloi të përdorej ligji RICO, trajtimi i tyre si organizata kriminale). Brenda kësaj analogjie, Donald Trump, një njujorkez, i njohur fare mirë me jetën e qytetit ku zhvillonin aktivitetin pesë familjet e Mafias, e ka klasifikuar organizatën Soros si “familje mafioze”.
Mes Washington-it, New York-ut dhe Tiranës, ama, shtrihet një oqean i tërë, jo vetëm fizikisht, por edhe metaforikisht, në kuptimin e veprimit të ligjit apo edhe të etikës profesionle-siç e dëshmon “rasti McGonigal”.
Sali Berisha, shefi i opozitës shqiptare, e tha hapur të mërkurën që hetimet në Amerikë për Soros do të jenë të paplota pa përfshirjen e Tiranës. Opozitës shqiptare, fatkeqësisht, i ka mbetur shpresa te 2 fije: institucionet ligjvënëse dhe ligjzbatuese amerikane, dhe graviteti i së keqes (në kuptimin që të jenë zullumet e trashura të tij që ta marrin me vete Ramën). Sa i takon shpresës që institucionet e këtushme të kontrollit, ndër ta më kryesori SPAK) të veprojnë, shanset janë zero.
Në “rastin McGonigal” kjo do t’i fuste në luftë të drejtpërdrejtë me Kryeministrin. Po, pse duan ta shmangin një konflikt direkt me shefin e qeverisë ‘heronjtë e fëmijëve tanë’? Arsyet janë dy: e para, sepse mendojnë se e humbin luftën me të, duke qenë se nuk ndihen rehat me veten; në kuptimin që Kryeministri, nëpërmjet ‘shërbimeve’ të tij ‘informative’, ka për ta materiale shtrënguese. E dyta, dhe kjo vërteton një tezë të kahershme të opozitës, se prokurorët dhe gjykatësit e kanë kaluar vettingun me bekimin/ndihmën e Ramës dhe të Partisë Socialiste. Nëse në rastin e parë janë viktima, në të dytin janë bashkëpunëtorë.
Arsyetim që na sjell te gjasat e një hetimi në Tiranë për aktivitet e Fondacionit Soros. Të cilat janë edhe më të pakta se për McGonigal. Për një arsye: Fondacioni Soros është arkitekti kryesor i reformës në drejtësi. Filozofia është e thjeshtë: të kapim pushtetin politik dhe nëpërmjet tij gjyqësorin. Të njëjtën përpjekje bën prej dekadash, dhe vijon të bëjë, edhe në Amerikë. Kjo është lufta titanike e Donlad Trump në Washington me Soros.
Në Tiranë Sorosët e ka fituar këtë luftë.
Kjo është arsyeja pse Sali Berisha, prej katër ditësh, i bën thirrje FBI të hetojë edhe në Tiranë.