Yuri Kim si lakmues i pavarësisë së medias në Shqipëri!

Nga Besart Logu

Ka dy ditë që media e portale pranë dhe rreth qeverisë, me zell të pashoq, sqarojnë opinionin publik mbi marrëdhënien juridike të punës për Yuri Kim, ish ambasadore amerikane në Shqipëri.

Referuar faqes zyrtare të Departamentit të Shtetit, zj.Kim rezulton se mban postin e Këshilltares për rritjen e Performancës pranë Byrosë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike. Theksojmë, KËSHILLTARE, që do të thotë: nuk ka të drejtë vendimmarrje dhe mbi të gjitha, nuk është më pjesë e Shërbimit të Jashtëm. Më herët, gjatë administratës Biden-Blinken, Yuri Kim arriti deri në postin e Zv/Ndihmës Sekretare e Shtetit për periudhën 2023-2025.

Kujtojmë se; me ardhjen e Presidentit Trump (me 20 Janar 2025 mori detyrën), Departamenti i Shtetit (Ministria e Jashtme) u fut në një riorganizim të thellë. Pretendohej se struktura e DASH ishte e mbingarkuar dhe se nevojitej një departament më efikas e me fokus më të qartë në diplomaci.

Referuar Urdhërit Ekzekutiv 14211 të 12 Shkurtit 2025, gërma “a” e Seksionit 5 parashikon se:

“Seksioni 5 – Reforma e Shërbimit të Jashtëm.
(a) Sekretari, në përputhje me ligjet në fuqi, do të reformojë Shërbimin e Jashtëm dhe administrimin e marrëdhënieve të jashtme për të siguruar zbatim besnik dhe efektiv të agjendës së politikës së jashtme të Presidentit.”

Besoj se është i qartë motivi i largimit të Yuri Kim nga Shërbimi i Jashtëm; nuk siguron zbatim besnik e efektiv të politikës “America First”. Që do të thotë, se gjatë shërbimit të saj në Shqipëri, e jo vetëm, ka punuar për interesa tjera dhe jo për ato të shtetit amerikan. E dhënë që flet shumë edhe për zhvillime të caktuara, me karakter politik e ekonomik, në Shqipëri.

Le të kthehemi tek kooperativa mediatike e rilindjes. Turravrap e në garë me njëri-tjetrin, me jargë servilosje që reflektohen në komente e opinione shtesë, përcjellin lajmin se Yuri Kim nuk është larguar nga Departamenti i Shtetit. Se çfarë pozicioni mban sot ajo besoj u sqarua më lart por vlenë të hedhim dritë mbi arsyet pse Yuri Kim, tashmë një zyrtare e rëndomtë, duhet të jetë akoma kryefjalë e ditës edhe kur aksioni i IKMT në Theth vazhdon zbatimin e urdhërave politik të Ramës që bien në kundërshtim me premtimet e dhëna në vetë të parë gjatë fushatës elektorale.

Lajmin se Yuri Kim protestoi para DASH si e papunë, kryesisht e pompoi Partia Demokratike, subjekti politik i cili u fut në konflikt të brëndshëm gjatë mandatit të saj si Ambasadore e SHBA në Tiranë ku nuk mungoi ndërhyrja në punët e brëndshme të PD si në rrugë diplomatike ashtu edhe publikisht e në mënyrë demonstrative duke i kujtuar demokratëve barin e sistemit totalitar komunist. Gjithashtu, Yuri Kim mbahet mend si një ambasadore e cila u konfliktua me liderin e PD duke e etiketuar atë si e shkuara apo si i korruptuar ndërkohë klani mafioz e korruptiv i Rilindjes vazhdonte i qetë me pastrimin e parave të krimit dhe me zbatimin e reformave të thella qeverisëse të cilat nga GJKKO janë vlerësuar si korruptive e të hartuara nga grupe të strukturuara kriminale.

Kështu, nxitimi për ti dhënë sërish fuqi politike Yuri Kim, bëhet vetëm për një qëllim; për të përcjellë mesazhin e rremë se konflikti Berisha-Kim vazhdon dhe se Rama ka “njerëzit e tij” akoma në Departament të Shtetit. Kjo është një tentativë mjerane dhe e dështuar pasi siç u pa Yuri Kim tashmë është një punonjëse që më afër ka pajisjen e fotokopjes se sa ndonjë zyrtar të lartë të DASH dhe se Berisha ka rilidhur kontaktet me SHBA ndryshe nga Edi Rama që ka rënë në izolim të plotë e faktik nga administrata Trump. Prandaj, emri Yuri Kim, lidhur kryesisht me veprimtarinë e saj si Ambasadore e SHBA në Tiranë, shërbeu si lakmues për të dalluar se kush është në shërbim të kujt, e me këtë rast për të parë nivelin e varësisë së medias se për pavarësi nuk po pretendohet më.

Shpërndaje