Nga Besart Logu
Memo e Rubios për qëndrimet mbi rezultatet e zgjedhjeve në vendet e huaja, i jep një përgjigje shteruese nëse reagimi i Ambasadës Amerikane në Shqipëri ishte apo jo urim për Edi Ramën.
“Departamenti do të komentojë publikisht mbi zgjedhjet vetëm kur ekziston një interes i qartë dhe i detyrueshëm i politikës së jashtme të SHBA-së për ta bërë këtë.”
Krejt qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa krijuar hapësira për interpretime të ndryshme, kuptohet se kushti i parë dhe i vetëm mbi të cilin do të reagojë SHBA në rast zgjedhjesh politike është ekzistenca e një interesi në politikën e jashtme amerikane.
Madje, në memo shkohet edhe më tej kur udhëzohet se:
“Postet jashtë vendit, pa nevojë për miratim nga Uashingtoni, mund të postojnë deklarata në faqet e tyre të internetit ose rrjetet sociale, ose të bëjnë deklarata në media lokale për të uruar fituesit, përveç rasteve kur rezultati i zgjedhjeve është kontestuar publikisht.”
Pra, i jepet rëndësi kontestimit duke e barasvleftësuar rastin me shtetet tjera që nuk përbëjnë interes për politikën e jashtme amerikane.
Tani, kthehemi sërish tek fshati ynë politiko-mediatik. Besoj u kuptua qartë se statusi në Facebook i Ambasadës Amerikane ishte më tepër reagim rreth një zhvillimi të brëndshëm në Shqipëri se sa urim për fituesin e zgjedhjeve. Duket se Shqipëria, të paktën përkohësisht, e sidomos me këtë qeveri, nuk përbën interes në politikën e jashtme amerikane. Besoj se me këtë rast qartësohet edhe çështja e ishullit të Sazanit ku me shumë gjasë është jargavitje e Ramës ndaj familjes Trump se investim strategjik apo vëmendje amerikane ndaj Shqipërise as nuk bëhet fjalë.