“Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Ndalimi i qëndrimit” janë dy nocione të ndryshme që rregullohen nga ligje të ndryshme, i pari nga Kodi Penal dhe i dyti nga Kodi Rrugor.
Dallimi mes tyre bëhet nga qëllimi që ka patur shkelësi i ligjit dhe kjo reflektohet në mënyrën se si e ka realizuar atë. Që do të thotë, vendosja e sendeve të ndryshme në rrugë me qëllim pengimin e mjeteve të qarkullimit rrugor, duke i ditur pasojat dhe duke i dëshiruar e lejuar ardhjen e tyre, është vepër penale dhe trajtohet sipas nenit 293 të Kodit Penal. Ndërsa të parkosh automjetin dysh, duke u kthyer në pengesë për qarkullimin rrugor, është kundravajtje administrative dhe dënohet me masë administrative me gjobë sipas nenit 7 të Kodit Rrugor.
Pra, ka shumë rëndësi nëse parkimi dysh ka qenë si qëllim më vete apo pasojë mungesës së parkimeve dhe kaosit të qarkullimit në qytet.
Fatmirësisht, nuk është vetëm polici që bën leximin e ligjit por edhe prokurori e gjyqtari, mbi të gjitha avokati!