Kodi Penal | Ndryshojnë dënimet për krimet zgjedhore. Ulet fotografimi dhe rritet blerja e votës.

Nga Besart Logu

Prezantimi nga ana e Ministrit të Drejtësisë të Kodit të ri Penal ka shkaktuar debat të madh në opinionin publik e sidomos në rradhët e profesionistëve. Kodi Penal nuk është konsultuar me asnjë grup interesi, mbi të gjitha me aktorë të sistemit të drejtësisë që kanë si punë të tyre interpretimin e dispozitave penale. Gjatë shfletimit të Kodit Penal, vihet re përfshirja e shumë aspekteve proceduriale që do të duhej të ishin pjesë e ligjit procedurial dhe jo atij material. Konkretisht; rregullimi i procedurës së gjykimit të kërkesës për lirimin para kohe me kusht, duke parashikuar edhe aspekte proceduriale gjyqësore, është një gafë e rëndë që të lë përshtypjen e një pune të nxituar apo të bërë jo nga profesionistë të fushës por nga juristë mediokër e militantë partie të cilët i gjenë me shumicë të punësuar pranë Ministrinë e Drejtësisë.

Tej rezervave të mësipërme, hijet e dyshimit shtohen edhe më tej për të zbardhur se kush i propozoi dhe në funksion të kujt po bëhen këto ndryshime kaq drastike, të shpejta dhe pa debat juridik, në shumë raste edhe politik. P.sh. në kreun që rregullon veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, vihen re ndryshime të dukshme në marzhet e dënimeve.

Ministria e Drejtësisë duket se për disa vepra penale e ka lëshuar dorën dhe për disa të tjera e ka shtrënguar. Konkretisht; shkelja e fshehtësisë së votimit, apo siç njihet ndryshe fotografimi i votës, Kodi i ri Penal e trajton si kundravajtje penale dhe jo më si vepër penale. Padiskutim se ky ndryshim ka reflektuar edhe tek marzhi i dënimit i cili me kodin aktual autorët e kësaj vepre penale dënohen me 3 muaj – 3 vjet burgim ndërsa me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë ulet në gjobë – 2 vjet burgim. Ulje ka pësuar edhe vepra penale e “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” ku me kodin e ri dënohet 6 muaj – 2 vjet ndërsa me atë aktual ka marzh dënimi 6 muaj – 3 vjet burgim. Gjithashtu, ulje në minimumin apo maksimumin e marzhit të dënimit kanë pësuar edhe veprat penale të “Pengimi i zgjedhësit”, “Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve” dhe “Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumentave të identifikimit”.

Ndryshe ndodh për veprat penale të “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor” apo “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Të gjithë kanë rritje të marzhit të dënimit njëkohësisht si në minimum ashtu dhe në maksimum.

Duket sikur qeveria po lufton krimet zgjedhore!

Rritja e dënimeve për veprat penale që ndikojnë direkt në rezultatin zgjedhor të jep përshtypjen sikur kjo mazhorancë nuk ka asnjë lidhje me farsën zgjedhore edhe pse për ironi, Ministri aktual i Drejtësisë del në përgjimet e prokurorisë në dosjen hetimore 184.

Gjithsesi, nëse krahasojmë veprat penale që kanë pësuar ulje dhe rritje të dënimit konstatojmë se autorët që rëndohen nga kjo politikë e re penale janë kryesisht subjektet që militojnë pranë Partisë Socialiste, njerëz të besuar të saj. Kjo sepse blerja e votës (korrupsioni aktiv) dhe treni bullgar (falsifikimi i materialit zgjedhor) kërkojnë eksperiencë e mbi të gjitha besim e devotshmëri ndaj Partisë. Ndërsa fotografimi i votës apo përdorimi i funksionit publik për veprimtari zgjedhore, realizohen kryesisht nga rrethe më të largëta se kategoria e mësipërme dhe përgjithësisht janë si kolateral i rezultatit të përgjithshëm zgjedhor.

Në kushtet kur Task Forca Zgjedhore, e përbërë nga Prokuroria e Posacme bashkë me atë të Juridiksionit të Përgjithshëm, nuk parandaluan asnjë krim zgjedhor edhe pse opozita, apo organiztatat e shoqërisë civile, denoncuan me dhjetra e qindra raste flagrante të blerjes së votës, përdorimit dhe intimidimit të administratës publike, përfshirjes së krimit të organizuar apo krijimit të lehtësirave dhe avantazheve me natyrë ekonomike, bën që këto ndryshime në Kodin Penal të jenë aksesorë të një vullneti kriminal i cili e ka kthyer në sistem ndikimin dhe tjetërsimin e rezultatit zgjedhor. Për më tepër, kur Kodin e ri Penal e prezantojnë Arben Rakipi (që është akuzuar për manipulim të provimit në Shkollën e Magjistraturës) dhe Ulsi Manja (aktiv në përgjimet e dosjes 184), jo vetëm që nuk krijohet besimi në luftën kundër krimeve zgjedhore por përforcohet bindja se kjo klikë po investohet edhe më tej në farsën zgjedhore duke e mbuluar me propagandën se po e luftojnë atë.

Më poshtë janë ndryshimet që pësojnë dispozitat në fushën e krimeve zgjedhore:

1. Pengimi i subjekteve zgjedhore
• ishte: 1 – 5 vjet burgim
• bëhet: 2 – 5 vjet

2. Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve
• ishte: 1 – 5 vjet burgim
• bëhet: 2 – 5 vjet

3. Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor
• ishte: 6 muaj – 5 vjet burgim
• bëhet: 2 – 5 vjet

4. Shkelja e fshehtësisë së votimit
• ishte: 3 muaj – 3 vjet burgim
• bëhet: gjobë – 2 vjet

5. Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar
• ishte: 1 – 3 vjet burgim
• bëhet: 2 – 4 vjet

6. Korrupsioni aktiv në zgjedhje
• ishte: 1 – 5 vjet burgim
• bëhet: 3 – 6 vjet

7. Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
• ishte: 6 muaj – 3 vjet burgim
• bëhet: 6 muaj – 2 vjet

8. Korrupsioni pasiv në zgjedhje
• ishte: 1 – 5 vjet burgim
• bëhet: 2 – 7 vjet

9. Kanosja apo dhunimi ndaj pjesmarrësve në zgjedhje
• ishte: 6 muaj – 3 vjet burgim
• bëhet: 2 – 5 vjet

10. Pengimi i zgjedhësit
• ishte: 1 – 5 vjet burgim
• bëhet: gjobë – 4 vjet

11. Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve
• ishte: 6 muaj – 3 vjet burgim
• bëhet: 6 muaj – 2 vjet

12. Shkelja e së drejtës së zgjedhjes
• ishte: 2 – 5 vjet burgim
• bëhet: gjobë – 4 vjet

13. Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumentave të identifikimit
• ishte: 1 – 5 vjet burgim
• bëhet: gjobë – 2 vjet

14. Shpërdorimi autoritetit ushtarak
• ishte: 6 muaj – 3 vjet burgim
• bëhet: 1 – 4 vjet

15. Shpërdorimi autoritetit policor
• ishte: 1 – 5 vjet burgim
• bëhet: 2 – 5 vjet

Shpërndaje