Nga Hysni Gurra
Rama në meditim strategjik global: Nuk Flet për Trump që Sulmon Iranin, sepse… është në një nivel tjetër diplomacie
Nga Redaksia Ndërkombëtare e Zërit të Surrelit:
Botë, mbaje frymën! Donald Trump ka ndërmarrë një tjetër ofensivë të beftë ushtarake ndaj Iranit, duke shkaktuar panik diplomatik, reagime ndërkombëtare dhe një tjetër stuhi në rrjetet sociale.
Por në mes të gjithë kësaj trazire globale, një zë mungon. Po, pikërisht ai. Zëri i Arsyes. Zëri i Liderit Global që kemi pas dere: Edi Rama.
Po ku është Rama, ky Promete i politikës ballkanike që zakonisht komenton çdo gjë – nga zgjedhjet në Paraguaj deri te Eurovision-i i Norvegjisë?
Burime të paidentifikuara, por shumë të bindura, thonë se Rama është futur në “karantinë diplomatike reflektive”, një fazë ku ai i bën botës një nder duke mos e ngarkuar me mençurinë e vet në çdo çast.
Kjo është forma më e lartë e ndërhyrjes sipas teorisë së re të diplomacisë “jo-komentuese ballkanike” – një risi e shpikur në Surrel.
Për herë të parë në histori, Edi Rama ka zgjedhur të mos komentojë një veprim të Donald Trump. Shkencëtarët janë në panik. Gazetarët janë të hutuar. Bota është në shok.
Një ekspert ndërkombëtar i diplomacisë ballkanike (d.m.th. një shqiptar që jeton në Bruksel dhe shkruan në Twitter), tha: “Heshtja e Ramës është më e zhurmshme se çdo deklaratë. Është një formë arti. Një protestë poetike ndaj absurditetit.”
Ndërkohë në Shqipëri…
Qytetarët që dikur lexonin me pasion analizat e Ramës për çdo zhvillim të huaj, këtë herë kanë mbetur të hutuar. Ata që deri dje pëshpërisnin nën zë se ky ka fitu rol të madh ndërkombëtar, do ndërmjetësojë paqen në Ukrianë, do bëhet Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s…duket të shokuar, por jo të dorëzuar.
Një qytetar në Vlorë tha:
“Unë s’e kuptoj… ai fliste edhe për Bidenin kur merrte biçikletën. Tani që Trump ka bërë nami në Iran me atë “Çekiçin e Natës”, s’ka as status, as video me syze dielli, as konferencë për shtyp? Mos është sëmurë?!”
Një teori tjetër sugjeron se Rama po ruan energjitë për një moment më të madh: një editorial të ardhshëm në “CNN” me titullin: “Si do ta kisha zgjidhur unë krizën Izrael-Iran po të isha Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së (ose të paktën në krye të një paneli të G20 në Durrës).”
Përfundimisht, heshtja e Ramës ndaj goditjes së Trump ndaj Iranit nuk është rastësi. Është një strategji e lartë. Është filozofi. Është një formë e re arti politik. Dhe në një botë ku të gjithë flasin, ndonjëherë… të mos flasësh është akti më revolucionar.
Por mos u shqetësoni.
Sapo Trump të thotë diçka për vaksinën, klimën, ose çmimet e ngjyrave të flokëve, Rama do të jetë aty – me një video të kuruar, një fjalim pa fund dhe një fjalë të re në anglisht, “Trump është rrezik i rrezikshëm për njerëzimin. Mos vallë është duke menduar t’i bëjë naftën marrdhënieve me Amelikën, siç edhe pati deklaruar???