Nga Besart Logu
Dje, gjatë Samitit të NATO-s në Hagë, Presidenti Donald Trump mbajti një konferencë për gazetarët. Duke treguar peshën dhe rolin vendimtar që ka SHBA në zgjidhjen e konflikteve rajonale, ndër të tjera, përmendi edhe rastin e Kosovës. Në vetëm 30 sekonda, e theksoi dy herë shmangien e një konflikti ushtarak mes Serbisë dhe Kosovës.
Kështu, nisur nga kjo deklaratë, në Shqipëri do të duhej të vlonte opinioni publik se si qëndron e vërteta. Gjithëkush duhet të informohet nëse; është mbledhur apo jo Këshilli i Sigurisë Kombëtare? Çfarë informacionesh ka Shërbimi Informativ, ai ushtarak apo të dhëna tjera nga partnerët? Sa rrezik ka përfshirja e Shqipërisë në konflikt ushtarak? Cilat janë masat që ka marrë vendi ynë? A ka patur komunikime me autoritetet kosovare? Është hartuar ndonjë plan masash?
Këto, sa i përket aspektit institucional, sepse Edi Rama është edhe mik i Presidentit Vuçiq e normalisht duhet të dijë diçka më shumë.
Por jo, ka dy ditë që vëmendjen kryesore e ka marrë Genc Deromemaj, që i shkreti, nëse do e dinte se do të bënte kaq shumë bujë, do i kërkonte Ramës të bëhej deputet dhe jo drejtor.
Prandaj, lajmi më i rëndësishëm dhe që do të duhej të trajtohej gjerësisht ishte shmangia e konfliktit ushtarak Kosovë-Serbi dhe jo çfarë kishte veshur Edi Rama dhe se ku e vendosi protokolli për foton zyrtare. Ndërsa marrja me ish kreun e PD Vlorë është mirfilltas shërbim ndaj pushtetit dhe me zero interes për publikun.