Misteri i 130 mijë votave | Logu: KQZ-së nuk i del llogaria, ‘testi logjik’ mashtrim, nuk ekziston në Kodin Zgjedhor.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, i ftuar në emisionin Task Force, ka deklaruar se zgjedhjet e 11 majit u shoqëruan me shkelje të rënda dhe manipulime të qëllimshme nga strukturat e Partisë Socialiste.

Logu u ndal te problematikat me fletët e votimit në zonat ku përdoret votimi elektronik. Sipas tij, pavarësisht pajisjeve elektronike, ligji kërkon që të prodhohen fletë votimi për çdo zgjedhës, pasi ekziston mundësia që pajisjet të mos funksionojnë ose të hasin në probleme teknike. Ai theksoi se në bashkinë Vorë dhe në njësinë administrative nr. 10 ka rreth 52 mijë zgjedhës, ndërkohë që janë prodhuar vetëm 27 mijë fletë votimi, duke lënë pa shpjegim fatin e 25 mijë fletëve të tjera.

Logu theksoi se në procesverbalet e qendrave të votimit duhej të ishin pasqyruar të gjitha fletët e papërdorura për të plotësuar totalin. “Ne provuam t’i mblidhnim të gjitha qendrat, rreth 220 me nga 0, por asnjëherë nuk na dolën 99 mijë vota”, u shpreh ai.

Ai kritikoi ashpër edhe të ashtuquajturin “test logjik” që, sipas tij, nuk është i parashikuar as në Kodin Zgjedhor dhe as në legjislacionin zgjedhor. “Testi logjik është histori më vete. Morën një shifër të parë, një të dytë, nuk doli, atëherë shtuan edhe një të tretë dhe këtë e quajtën test logjik”, tha Logu.

Duke folur për raportimin nga qendrat e votimit, ai solli një shembull hipotetik: “Në një qendër me 100 zgjedhës, nëse marrin pjesë 50, nga të cilët 2 fletë votimi dëmtohen, duhet të rezultojnë 50 fletë të vlefshme, 2 të dëmtuara dhe 48 të papërdorura”.

Gjithashtu, Logu theksoi se ka një diferencë prej 130 mijë votash që nuk justifikohet në asnjë mënyrë logjike apo matematike. “Ajo që na kërkohet ta pranojmë si të mirëqenë nuk është as matematikë, as logjikë, por një ushtrim i sforcuar për të nxjerrë një lloj logjike që nuk ekziston”, përfundoi ai.

Shpërndaje