Fox News dhe arsyeja e histerisë kolektive në Shqipëri!

Nga Besart Logu

Në portalin e medias së njohur amerikane, Fox News, u publikua një opinion i z.Nesho me titull “Takoni Ramaduron: autokrati progresist i Europës, i trajnuar nga Sorosi dhe armik i Trumpizmit”.

Si për çdo ngjarje që ndodh tej oqeanit, në Shqipëri nisi histeria kolektive sipas parimit propagandistik qeveritar “Relativizoje që të mos i jepet rëndësia e duhur”. Dihet që disa e bëjnë me pagesë por ka dhe nga ata që u është kthyer në mënyrë të arsyetuari, sidomos kur bëhet fjalë për zhvillime që janë në favor të opozitës.

Shumë u morën me artikullshkruesin duke i bërë biografinë në stilin enverist. A thua se çfarë ishte shkruar nuk kishte të bënte me portrezimin më real të mundshëm të Edi Ramës. Shumë të tjerë, debila të dobishëm të sistemit, ankoheshin për imazhin e Shqipërisë. Dmth, për vendin që qeveriset nga ai që ka pritur në takime në Kryeministri anëtar të kartelit të drogës që administrata Trump i ka shpallur organizatë terroriste.

Për t’i dhënë rëndësinë e duhur artikullit të botuar, po prezantojmë se kush është Fox News dhe çfarë përfaqëson kjo media.

Fox News u krijua në vitin 1996 nga manjati i medias amerikane me origjinë australiane Rupert Murdoch me qëllim për të tërhequr një audiencë kryesisht konservatore.

Brënda një kohe të shkurtër arriti e prodhoi tetë nga dhjetë emisionet më të ndjekura të darkës.

Në janar 2020, një studim i Pew Research Center mbi besueshmërinë e mediave publikoi gjetjet e tij ku 43% e të rriturve amerikanë i besonin Fox News.

Sipas Los Angeles Times, më 19 gusht 2020, “Fox News Channel kishte gjashtë nga 11 programet më të vlerësuara të prime time.

Pas një rënieje të vlerësimeve në zgjedhjet presidenciale të 2020, një vit më pas, në 2021, Fox News rifitoi epërsinë e saj në vlerësimet e lajmeve kabllore përpara CNN dhe MSNBC.

Pra, kjo media e përmasave të këtilla, ka miratuar publikimin e artikullit të z.Nesho duke i mundësuar kështu opinionit amerikan të njohë profilin e atij që drejton prej 12 vitesh qeverinë shqiptare. Në fakt, nuk është pak në raport me pozitat favorizuese e preferenciale që gëzonte Edi Rama nën drejtimin e demokratëve.

Së fundmi, për të kuptuar qëllimin e vërtetë të këtij reagimi të komanduar, në mënyrë që të mos konfuzohemi me smirën profesionale të botimit të artikullit në një media kaq të madhe, kujtojmë këtu se si nisi goditja e Lulzim Bashës për çështjen e lobimit rus. Gjithçka nisi me një artikull të publikuar në revistën Mother Jones, revistë me karakter investigativ, ku ngriheshin dyshime mbi origjinën e parave dhe transaksionin në tërësi që kishte bërë Partia Demokratike në funksion të takimit të Lulzim Bashës me Presidentin Donald Trump. Pra, rrjeti i analistëve të pavarur pranë qeverisë kanë marrë komandën SOS: Shefit mund t’i nisë hetim në shtetin amerikan!

Shpërndaje