Analiza | Tafani: Çelësin e zgjidhjes së çështjes palestineze e ka Arabia Saudite

Çelësin e zgjidhjes së çështjes palestineze e ka Arabia Saudite e cila është fuqia më e madhe ekonomike dhe diplomatike në rajon,  me një prestigj dhe pozicion të mirëpranuar si nga vendet arabe dhe myslimane, ashtu dhe nga Europa me SHBA dhe Rusia me Kinën.
Arabia Saudite e ka mbështetur çështjen palestineze që nga fillimet e saj deri në vitin 1973 ku shkaktoi edhe  Krizën Botërore të naftës pikërisht për shkak të konfliktit arabo- zraelit.

Por raportet ndryshuan pikërisht pas këtij konflikti. Kur OÇP e Arafatit filloi të përfshihej në luftën civile në Liban si dhe të ndërmerrte akte terrori nëpër botë. Ky ishte një kurs të cilin Arabia Saudite nuk mund ta pranonte. Me humbjen e mbështetjes së Arabisë Saudite, Arafat iu drejtua për ndihmë Irakut të Sadam Huseinit i cili e furnizoi me armë dhe e financoi lëvizjen e OÇP, kuptohet për interesat e tij. Për këtë arsye kur Iraku pushtoi Kuvajtin në 1990, Arafati mbështeti  Irakun dhe Sadamin duke marrë në këtë mënyrë, neveritjen e pjesës më të madhe të vendeve arabe. Ky veprim nuk ishte pa pasoja humane.

Pas çlirimit të Kuvajtit nga aty u larguan pothuaj 300.000 refugjatë palestineze që ishin pranuar më parë nga Kuvajti. Vetë Kuvajti vendosi mardheniet zyrtare me palestinezët vetëm në vitin 2012 më shumë se 20 vjet pas kësaj ngjarje.

Pas ngjarjeve të Kuvajtit, Arafati e gjeti veten tashmë pa asnjë mbështetje nga ndonjë fuqi rajonale dhe për këtë arsye u detyrua të pranonte dhe Akordet e Oslos në 1993.

Pikërisht në fillim të viteve 90 hyn në skenë Irani i cili tenton dhe vendos me sukses raporte me Hamas-in i cili po përfitonte terren mes palestinezëve që ishin të zhgënjyer me Arafati që ndoqi një rrugë paqe dhe donin të vazhdonin luftën nëpërmjet akteve të terrorit. Hamasi hapi një zyrë në Teheran dhe filloi të merrte një financim prej 30 milionë dollarësh në vit nga Irani. Marrëdhënie i dha efektet e veta direkt me akte terrori në 1995 dhe 1996 të financuar dhe mbështetura nga shteti iranian dhe shërbimet sekrete iraniane.

Dështimi i Arafatit për të arritur Marrëveshje me Izraelin në takimin e ndërmjetësuar nga Klinton në Kampin David në 2000 si dhe vdekja e tij në 2004, forcoi më tej pozicion e Hamasit në terren që kulmoi me marrjen e kontrollit të Gazës në 2007 pas një lufte civile me Autoritetin Palestinez.

Hamas nuk kishte lidhje lidhje vetëm me Iranin por ishte dhe vetë një nënprodukt i Vëllazërisë Myslimane e cila synonte ndryshimin e regjimeve në gjithë vendet myslimanë.

Vëllazëria Myslimanë u shpall organizatë e paligjshme dhe terroriste nga shumë vende myslimanë dhe për këtë arsye Hamasi është mbajtur larg nga çdo vend arab dhe mysliman dhe çështja palestineze nuk pati më atë vëmendje.

Kjo situatë filloi të ndryshonte në 2017 me  daljen në skenë të Princit të Kurorës Saudite Mohamed bin Salman. Me ardhjen e tij në fuqi ai filloi të reformonte Arabinë Saudite si dhe të ulte influencën e grupeve ekstremiste fetare në jetën politike.
Projekti i tij Vizion 2030 tenton të transformojë shoqërinë dhe ekonominë Saudite.

Në 2020 bashkë me Presidentin Trump u fillua një proces paqeje dhe me Akordet Abraham rruga po shtrohej për zgjidhjen paqësore të çështjes palestineze.

Me daljen nga skena të Trump, Akordet sikur e humbën inerci e por e ri fituan prape dhe në maj 2023 në mbledhjen e Lidhjes Arabe në Jeddah, Bin Salman deklaroi “Ne nuk do të vonojmë ndihmën tonë ndaj palestinezëve për të rekuperuar tokat, për rivendosjen e të drejtave të tyre legjitime dhe krijimin e një shteti të pavarur me kufijtë e para 1967 me Jeruzalemin lindor si kryeqytet të tij”.

Pas kësaj konference në gusht 2023 Bin Salman caktoi kreun e misionit të parë diplomatik të Arabisë Saudite në Palestinë dhe në 26 shtator 2023, ambasadori saudit paraqiti letrat kredenciale tek Presidenti palestinez Mahmud Abaz.

Kjo futje në lojë e Arabisë Saudite nuk i pëlqeu Iranit që është kundërshtari kryesor i Arabisë në Lindjen e Mesme. Nëse Arabia Saudite do të zgjidhte paqësisht çështjen palestineze, atëherë investimi 30 vjeçar i Iranit me Hamasin hidhej në erë dhe bashkë me të shkatërrohej dhe projekti perandorak i Iranit që e paraqiste veten në rajon si e vetmja fuqi që kishte për zemër hallet e palestinezëve dhe kuadër të kësaj justifikonte veprimet në Irak, Siri, Liban, Jemen dhe Gaza ku kishte ngritur një kuaziperandori me shtete dhe formacione ushtarake politike  kukull që i bindeshin atij.

Për këtë arsye as 10 ditë pas arritjes zyrtare të ambasadorit Saudit në Palestinë në 26 shtator 2023, iIrani i  jep ok Hamasit për të kryer sulm masiv me sa më shumë viktima në Izrael në 7 tetor 2023.

Qëllimi ishte i qartë. Hedhja në erë e Akordeve Abraham dhe nxjerrja e jashtë loje e Arabisë Saudite nga zgjidhja paqësore e çështjes palestineze.

Iranit nuk ia ndjente për palestinezët që do kishin mbi kurriz gjithë peshën e makinerisë ushtarake izraelite, peshë që as vetë Irani nuk mund ta mbante. Për Iranin palestinezët ishin dhe jane gurë shahu të sakrifikueshem në luftën e madhe që bënte në rajon kundër Arabisë Saudite  për Perandorinë persiane që në vjeshtë të 2023 kishte kapur maksimumin e saj  gjeografik me shtrirje influence në Irak, Siri, Liban, Jemen dhe Gaza.

Pasi futi Gazen në luftë vetë Irani nuk u përfshi direkt dhe nëse palestinezët  vriteshin me mijëra dhe shikonin Gazën që u rrafshohej para syve, Irani u mjaftua me një sulm qesharak me raketa mbi Izraelin.

Gjatë zhvillimeve të luftimeve në 2024 përsëri Arabia Saudite u angazhua për arritjen e një armëpushimi në Gaza duke marrë përsipër zgjidhjen e çështjes palestineze dhe rindërtimin e Gazes por me kushtin e mospërfshirjes të anëtarëve të Hamasit dhe Autoritetit palestinez në strukturat e reja politike palestineze që do drejtonin vendin. Ky propozim u hodh poshtë nga Hamasi sigurisht me ndikimin e Iranit.

Në fillim të 2025 Arabia Saudite bëri përsëri një propozim për armëpushim në të cilin merrte përsipër rindërtimin e Gazes me kushtin për të larguar nga Gaza Hamasin dhe rivendosur aty Autoritetin Palestinez. Ky propozim u hodh poshtë jo vetëm nga Hamasi por dhe nga Izraeli ku tashmë Netanyahu I kishte forcuar pozitat e tij me ardhjen e Trump në pushtet por sidomos dhe në opinionin publik izraelit i cili që pas masakrës të 7 tetorit 2023 dhe luftës së zgjatur në Gaza, në një masë të madhe nuk e pranon më zgjidhjen me dy shtete.

Në fund të ditës ajo që arriti Irani me Hamasin që e përdori si gur shahu, ishte jo vetëm një humbje e pakuptimtë e jetëve dhe e pronave, por dhe një goditje ndaj çështjes palestineze duke hedhur kundër zgjidhjes së çështjes palestineze dhe një pjesë tjeter të opinionit publik izraelit por dhe duke forcuar pozitat e një kryeministri si Netanjahu që njihet për pozicionet e tij ekstreme në çështjen palestineze.

Në fakt Irani dhe Hamasi që vepron si ushtar i tij nuk janë ata që do zgjidhin çështjen palestineze por janë armiqtë e zgjidhjes së saj, pasi është e qartë që prej 80 vjetësh që një zgjidhje ushtarake është e pamundur dhe vetëm një zgjidhje paqësore mund t’i japë një shpresë për një jetë më të mirë miliona palestineze që u bë disa breza që kanë parë vetëm luftë dhe terror.

Për vete çështjen palestineze do ishte mire qe Irani të humbte luftën dhe influencën në rajon, sepse ashtu nuk pengon Arabinë Saudite që t’i japë realisht zgjidhje çështjes palestineze në mënyrë paqësore nëpërmjet diplomacisë dhe forcës ekonomike, mbështetjes dhe prestigjit ndërkombëtar që ka në të gjithë aktorët botërore dhe vendet e rajonit.

Çelësi i zgjidhjes së çështjes palestineze është Arabia Saudite dhe regjimi aktual i Ajatollaheve të Iranit është pengesë e saj.

Shpërndaje