PD kërkon shkarkimin e Veliajt: Të mblidhet urgjentisht Këshilli Bashkiak i Tiranës!

Ilir Alimehtmeti dhe Ilda Zhulali, dy anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës Partia Demokratike, kanë kërkuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

Ata e kanë theksuar se kjo çështje nuk është më një debat politik, por një çështje morale dhe ligjore, që ka për qëllim rikthimin e besimit të qytetarëve në administratën e Tiranës.

Përmes një fjalimi të drejtpërdrejtë përpara ambjenteve të bashkisë, Alimehtmeti dhe Zhulati kërkuan që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe të zbatojë ligjin për të korrigjuar këtë situatë.

Zhulali, gjithashtu, i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të reflektojnë mbi realitetin e qeverisjes aktuale dhe të mbështesin një model më të përgjegjshëm dhe të drejtë.

Pjesë nga deklarata e Ilir Alimehtmeti:

“Ditën e hënë kërkojmë që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe të zbatojë ligjin. Ne duhet të rikthehemi në lidhje dhe kjo çështje, pra shkarkimi i Erion Veliajt, nuk është më një diskutim partiak apo politik, por është një çështje morale dhe politike që ne do ta bëjmë për të rikthyer integritetin dhe besimin e qytetarëve në Bashkinë e Tiranës”.

Pjesë nga deklarata e Ilda Zhulalit:

“Unë do i ftoja qytetarët e Tiranës që të reflektojnë. Çfarë kemi ne sot në Tiranë? Kemi një model qeverisje lokale dhe një institucion që nuk ka kokë, por vetëm gjymtyrë. Ky sistem është dënuar për korrupsion dhe gjendjen në burg. Po ashtu, po në këtë qytet sot ndodhet edhe qeverisja qendrore, ku do të bëhen të gjitha, do të jetë edhe kryetar bashkie dhe edhe kryeministër.

Prandaj, qytetarët duhet ta mendojnë dhe reflektojnë dhe të shkojnë të votojnë kundër këtij modeli. Ky nuk është model qeverisje për qytetarët, nuk është mënyra për të trajtuar qeverisjen e tyre.

Kështu që besoj se bashkë me Ilirin kemi treguar, edhe këto ditë, pavarësisht fushatës elektorale, kemi ardhur për të bërë detyrën tonë si anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, si njerëz të përgjegjshëm që e marrin qeverisjen seriozisht. Kjo është ftesa jonë për çdo qytetar të bëjë detyrën e tij. Ne kemi në dorë të bëjmë këtë shpërblim për Këshillin Bashkiak për shkarkimin e Veliajt dhe qytetarët kanë në dorë votën”.

Shpërndaje