Nga Besart Logu
Risi e fushatës se zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ishte garimi i një sërë partish të reja të cilat në retorikë dukeshin premtuese. Kjo më tepër në raport me kohën që u krijuan dhe rezultatin që do të merrnin se sa të realizonin ndryshimin e madh të pretenduar.
Padiskutim, përfshirja e tyre në garë u shoqërua me hije dyshimi, kryesisht nga opozita, duke pasur parasysh hapësirat e pakëta që të jep Kodi Zgjedhor aktual. Kjo sepse pamundësia e nxjerrjes së mandatit bën që vota opozitare të fragmentarizohet dhe subjekti i vetëm që përfiton nga kjo skemë është partia në pushtet, pra Partia Socialiste.
Referuar rezultatit të zgjedhjeve parlamentare publikuar nga KQZ, vetëm në rang bashkie (Tiranë), rezulton se partitë e vogla/reja shënuan këto rekorde:
▪︎ Mundësia: 19.377 vota
▪︎ Nisma: 11.734 vota
▪︎ KEA: 6.900 vota
▪︎ DZH: 1.695 vota
▪︎ AKSH: 923 vota
Një total prej 40.629 vota që i përkasin një spektri politik mes qendrës dhe të djathtës. Nëse llogarisim këtu edhe partinë Lëvizja Bashkë, që siguroi 10.704 vota, shkojmë në 51.333 vota të cilat pretendohet se janë në oponencë me qeverinë.
Ndërkohë, Partia Demokratike, si forcë e parë opozitare, vetëm në qëndrat e votimit të bashkisë Tiranë shënoi një rezultat prej 110.396 votash. Nga ana tjetër Partia Socialiste mori 166.891 vota.
Ashtu siç u tha edhe më lart, partitë e vogla u panë me dyshim se për çfarë po futen dhe ku duan realisht të shkojnë tej retorikës së përmbysjes së establishmentit. Fundja, në zgjedhje parlamentare edhe mund të mbledhin forcat e të prodhojnë ndonjë mandat. Ndryshe ndodh në zgjedhjet vendore ku shanset pothuaj bëhen zero në mundësinë e nxjerrjes së ndonjë kryebashkiaku.
Kështu, duke qenë se Bashkia Tiranë ka kaluar afatin ligjor që nuk drejtohet nga kreu i saj për shkak të masës së sigurimit “arrest me burg”, me shumë gjasë këtë vjeshtë, ose pranverën që vjen, do të shkojmë në zgjedhje të pjesshme e të parakohëshme vendore, përfshirë këtu dhe bashkitë tjera me vakanca për shkak të dënimeve penale apo se kryetarët kandiduan si deputet më 11 maj.
Si përfundim, dyshimet se partitë e vogla/reja janë në opozitë me pushtetin apo në shërbim të tij, do të shuhen shumë shpejt; në garën për kreun e Bashkisë Tiranë. Futja e disa kandidaturave do të jetë sinjali më i qartë e i pakontestueshëm se Edi Rama kontrollon segmente të caktuara të opozitës. Me këtë rast merr fund edhe misioni i tyre, copëzimi i votës opozitare në dy palë zgjedhje si mënyra e vetme që garanton forcimin dhe mbajtjen e pushtetit të Edi Ramës.